Whatsapp


Etichette

HISTORI PSIKOLOGJI LETERSI SHQIPE SHKENCA POLITIKE BIOLOGJI QYTETARI SOCIOLOGJI DREJTESI ESE ARGUMENTUESE JURIDIK PEDAGOGJI GJEOGRAFI EDUKATE SHOQERORE DIDAKTIKE BAZAT E FINANCES SHKRIM AKADEMIK FINANC BANK LETERSI BOTRORE GJUHE SHQIPE MATEMATIKE HISTORI SHQIPRIE SHKENCA JURIDIKE ANALIZE VEPRASH EDUKIM FIZIKE PSIKOLOGJI EDUKIMI ESE UNIVERSITETI POEZI MENAXHIM FINANCIAR MJEKESI KIMI PARAPSIKOLOGJIA EKONOMI INFORMATIKA ESE LETRARE MENAXHIM BIZNESI NJOHURI PER MEDIANIAN TRASHGIMI KULTURORE Anatomi ESE FILOZOFIKE GAZETARI INFERMJERI MENAXHIM TURIZEM SHKENC TOKE E DREJTA NDERKOMBETARE PUBLIKE HISTORI BOTRORE POLITIKAT E SIGURIS KOMBETARE E DREJTA E PRONES Histori e Mendimit Politik ALL POST AUDITIM BANKAR BAZAT E DEMOKRACISE DHE TE DREJTAT E NJERIUT ESE SHKENCORE FILOZOFI HISTORI ARTI HISTORI E EKONOMIS SHQIPTARE LETERSI MENAXHIM NDERTIMI MIKROEKONOMI POEMA PSIKOLOGJI REHABILITIMI BJOLOGJI EDREJTA E MJEDISIT FJALE TE URTA LEKSIONE AUDITIM MARDHENIA ME PUBLIKUN MASTER SHKENCOR Marrëdhënie Ndërkombëtare PSIKOLOGJI KESHILLIMI PSIKOLOGJI SHKOLLE SINTAKS TEORI E MARDHENIEVE NDERKOMBETARE ANGLISHT EDUKIM MUZIKORE ESE ANGLISHT ESE INFORMUESE GJUHE INFERMIERI KERKIM SHKENCOR METODAT E EDUKIMIT EMPIRIK METODIKE ARITMETIKE PSIKOLOGJI ZHVILLIMI TEKNOLOGJI INFORMACIONI TRASHGIMI KULTURORE EUROPIANE APLIKIM KOMPJUTERIK BUJQESI ESE HISTORIKE ETIKA E TE USHQYERIT GUIDE TURISTIKE HIGJENE HYRJE NE PSIKOLOGJI INFORMATIK ISMAIL KADARE LETERSI PER FEMIJE MENAXHIM KLASE MESIMDHENIE ORGANET E MARDHENIEVE NDERKOMBETARE PSIKOTERAPI SOCIOLOGJI EDUKIMI pyetjet e Licences ANALIZE sHARL BODLER Dituri natyre E DREJTA KUSHTETUESA EDUKIM FIZIK EDUKIM PER KARRIER KSHILLA SHTATZANIE LIBRA LEXO-SHKARIKO LOGJIKE MATURA SHTETERORE MBROJTJE DOKTORRATURE MIGJENI MUZIKE POLITIK ARSIMORE POLITIKA NE BE PSIKOLOGJI E ZBATUAR NE MESIMDHENIE RECENSION TEME DIPLOME hist

Strategjia ushtarake Kuptimi dhe përmbajtja e strategjisë ushtarake

Strategjia ushtarake 
Kuptimi dhe përmbajtja e strategjisë ushtarake
Çfarë kuptojmë me strategji ushtarake? Në Greqinë e lashtë me strategji ushtarake kuptohej “arti i gjeneralit”. Ndërsa në ditët tona, në lidhje me përcaktimin e strategjisë ushtarake ekzistojnë shumë përkufizime të ndryshme. Strategjia ushtarake hedh dritë vetëm mbi
problemin e pare, nga shumë probleme që ndeshen në procesin e studimit të kësaj fushe shumë të rëndësishme dhe njëkohësisht shumë komplekse. Për strategjinë ushtarake nuk ekziston një përkufizim universal, madje as edhe një gjykim apo përcaktim sipas një opinioni apo marrëveshje të shumicës. Në ditët e sotme termi strategji përdoret në mënyre krejtësisht të gjërë, pra në një kuptim të lirë e të pakufizuar.
Disa quajnë strategji një vijë të hequr në hartë, të tjerë besojnë se një listë e pastër objektivash kombëtare paraqet një strategji etj. Problemi nuk është vetëm semantik, pra që ka të bëjë me zhvillimin dhe ndryshimin e kuptimit të fjalëve, por ai ka të bëjë me përdorimin në mënyrë kompetente të njerit nga mjetet më të rëndësishëm të profesionit ushtarak. Në përpjekjet për të vendosur ndërmjet strategjive alternative shpesh përballemi me krahasimin e gjërave krejt të ndryshme për aresye se zgjidhjet nuk ju drejtohen apo referohen kushteve të njëjta. Vetëm duke patur një kuptim të përbashkët për atë se çfarë përfshin strategjia ushtarake, ne mund të shpresojmë që të përmirësojmë shkëmbimin e mendimeve apo ideve në nivel strategjik. Kjo kërkon që të ketë një marrëveshje të përgjithshme në mënyrën e formulimit konceptual të strategjisë ushtarake: një përkufizim; një përshkrim të elementeve bazë që përbëjnë strategjinë ushtarake; dhe një analizë se si ato janë të ndërlidhura ndërmjet tyre. Në lidhje me qëllimin e këtij studimi ne do të përdorim përcaktimin që po ndeshet gjithnjë e më tepër.

STRATEGJIA USHTARAKE

Strategjia ushtarake është arti dhe shkenca e përdorimit të Forcave të Armatosura të një vendi për sigurimin e objektivave të politikës kombëtare me anë të përdorimit të forcës, ose kërcënimit të përdorimit të forcës. 
Strategjia është karakterizuar si një tërësi e përbërë nga objektivat, mënyrat dhe mjetet. Këtë koncept ne mund ta shprehim si një ekuacion ku: Strategjia është baras me Qëllimet (objektivat që përpiqemi të arrijmë) plus Mënyrat (kurset e veprimit për arritjen e objektivave) plus Mjetet (instrumentat me anë të cilave mund të arrihen objektivat).Ky koncept i përgjithshëm mund të përdoret si një bazë për formulimin e çdo lloj strategjie, qoftë ajo ushtarake, politike, ekonomike, etj., në varësi se cili element i fuqisë kombëtare përdoret në rastin konkret. Duhet bërë kujdes që të mos ngatërrojmë strategjinë ushtarake me strategjinë kombëtare (e madhe), e cila mund të përkufizohet si:
-Arti dhe shkenca e zhvillimit dhe e përdorimit të fuqisë politike, ekonomike dhe psikologjike të një vendi, së bashku me Forcat e saj të Armatosura, në kohë paqe dhe lufte, për garantimin e objektivave kombëtare. 
-Strategjia ushtarake është një pjesë e kësaj strategjie kombëtare gjithëpërfshirëse. Komponenti ushtarak i strategjisë sonë kombëtare herë-herë përmendet si strategjia ushtarake kombëtare pra është strategjia ushtarake në nivelin më të lartë të saj, dhe që ndryshon nga strategjitë operacionale që përdoren si bazë për planëzimin dhe për operacionet ushtarake.
Strategjia ushtarake duhet të mbështesë strategjinë kombëtare dhe të veprojë në përputhje me politikën kombëtare, e cila përkufizohet si një kurs apo mënyrë e gjërë veprimi ose direktivash të përpunuara nga qeveria në nivel kombëtar për përmbushjen e objektivave kombëtare.  Nga ana tjetër duhet patur parasysh se politika kombëtare ndikohet si nga mundësitë ashtu dhe nga kufizimet e strategjisë ushtarake.
Duke pasur si udhërrëfyes konceptin e përgjithshëm të strategjisë: strategjia është baraz me qëllimet plus mënyrat plus mjetet – ne mund të zhvillojmë mënyrën e duhur për të arritur në formulimin e strategjisë ushtarake.
“Qëllimet” mund të shprehen si objektiva ushtarake. “Mënyrat” kanë të bëjnë me metodat e ndryshme të përdorimit të forcës ushtarake. Në esencë kjo ka të bëjë me shqyrtimin e kurseve apo mënyrave të veprimit të planëzuara për arritjen e objektivave ushtarake. Këto kurse veprimi quhen koncepte strategjike ushtarake. “Mjetet” i referohen mjeteve (burimeve) ushtarake (forca njerëzore, materiale, para, forca ushtarake, logjistike, etj.) që kërkohen për plotësimin e misionit të ngarkuar.
Kjo mënyrë trajtimi na çon në përfundimin se Strategjia Ushtarake është baras me Objektivat Ushtarake plus Konceptet Ushtarake plus Mjetet Ushtarake. Kjo mënyrë konceptuale e përcaktimit të strategjisë ushtarake është e zbatueshme në të tre nivelet e luftës: Strategjik (kur bëhet fjalë për strategjinë ushtarake kombëtare apo të madhe), Operativ, dhe Taktik. Ajo gjithashtu zbulon ngjashmëritë themelore ndërmjet strategjisë ushtarake kombëtare, artit operacional, dhe taktikes.
Strategët, planëzuesit e çdo niveli, komandantët e forcave, komandantët e njësive apo reparteve deri tek drejtuesi i skuadrës janë të gjithë njësoj të interesuar për mënyrat për përdorimin e mjeteve për të arritur objektivat e caktuar.
Disa lexues mund të vënë në diskutim këtë ide, duke menduar se megjithëse mjetet ushtarake janë të domosdoshme për mbështetjen e një strategjie, ato nuk mund të jenë si pjesë përbërëse e kësaj strategjie. Ata mund ta kufizojnë përmbajtjen e strategjisë ushtarake duke shqyrtuar apo marrë në konsideratë vetëm objektivat ushtarake dhe konceptet strategjike ushtarake.
Megjithatë, gjatë diskutimit të superioritetit numerik, Klauzeviçi thekson se vendimi në lidhje me madhësinë e forcës ushtarake “është vërtetë një pjesë shumë e rëndësishme e strategjisë”.  Ndërsa Bernard Brodie vë në dukje se “Strategjia në kohë paqe, shprehet në mënyrë të konsiderueshme në zgjedhjet e bëra ndërmjet sistemit të armeve…”.  Duke i konsideruar mjetet ushtarake si një element bazë i strategjisë ushtarake, ne gjithashtu mund të zbusim problemin që lidhet me vëmendjen e pakët që tregohet ndaj rëndësisë së objektivave ushtarake dhe koncepteve strategjike gjatë kohës që përqëndrohemi në çështjet e ndërtimit të forcës.




NIVELE TË STRATEGJISË USHTARAKE

-strategjia operacionale
-strategjia e krijimit të forces

Strategji operacionale janë ato strategji që bazohen në aftësitë dhe kapacitetet ekzistuese ushtarake, pra ato strategji që përdoren si bazë për formulimin e planeve të veçantë të veprimeve në një periudhë të shkurtër kohore. Ky nivel i strategjisë gjithashtu është paraqitur edhe si taktikë e madhe dhe art operativ.
Strategjitë afatgjatë mund të bazohen në vlerësimin e kërcënimeve, objektivave dhe kërkesave të së ardhmes dhe prandaj ato nuk kufizohen nga gjendja e tanishme e forcave. Strategjitë afatgjata më së shpeshti jane globale nga natyra, dhe mund të kërkojnë përmirësime për sa u takon aftësive ushtarake. Strategjitë ushtarake mund të jenë strategji rajonale si dhe globale të lidhura me skenarë të posaçëm kërcënimi. Objektivat ushtarake dhe konceptet ushtarake të një strategjie të caktuar ushtarake shtrojnë kërkesa për mjete, por nga ana tjetër ato vetë ndikohen nga mjetet që janë në dispozicion apo që mund të përdoren. Në qoftë se mjetet ushtarake nuk do të trajtohen si element përbërës i strategjisë ushtarake, atëherë ne mund të përballemi me atë që mund të quhet harmonizim jo i drejtë i strategjisë ushtarake dhe aftësive. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë të kesh aftësi të pamjaftueshme për të plotësuar me sukses konceptet strategjike dhe përmbushur objektivat e një stategjie ushtarake. Ky është një rast i zakonshëm në se ne jemi duke zhvilluar një strategji afatgjatë e cila kërkon përmirësimin e aftësive të strukturës së forcave ushtarake. Por kjo (aftësitë e pamjaftueshme ushtarake) mund të jetë me pasoja shkatërruese në rastin kur ne jemi të angazhuar në një strategji operacionale, pasi në ato aftësi do të bazohen planet e mundshme dhe veprimet ushtarake. Kjo është arsyeja përse strategjitë operacionale duhet të bazohen gjithnjë në aftësitë ekzistuese ushtarake.
Le të përqëndrojmë vëmendjen në elementin e parë bazë të çdo strategjie në objektivin ushtarak. Ai mund të përcaktohet si një mision apo detyrë e veçantë për përmbushjen e të cilit do të përdoren përpjekjet dhe mjetet ushtarake. Këtu mund të përdorim disa shembuj si: frenimi (shkurajimi) i agresionit, mbrojtja e atdheut, rimarrja e territoreve të humbura, mundja e kundërshtarit, mbrojtja e vijave të komunikacionit, etj. Objektivat nga natyra e tyre duhet të jenë të karakterit ushtarak. Megjithë lidhjen e pandashme që ekziston ndërmjet luftës dhe politikes, forcave ushtarake duhet tu jepen gjithnjë misione të përshtatshme dhe brenda aftësive të tyre.
Gjatë diskutimit të çështjes së “objektivit” në luftë, është e rëndësishme që të kuptojmë mirë dhe të kemi të qartë dallimin ndërmjet objektivit politik dhe objektivit ushtarak. Të dy këto objektiva janë të ndryshëm, por nga ana tjetër ato janë edhe të pandarë. Kombet apo vendet e ndryshëm nuk zhvillojnë luftë për hirë të luftës, por në zbatim të politikës që ato ndjekin. Objektivi ushtarak është vetëm mjet për realizimin e një qëllimi politik.
Kështu që objektivi ushtarak duhet të përcaktohet e të udhëhiqet nga objektivi politik, në varësi të kushtit themelor që politika nuk kërkon atë çfarë ushtarakisht është praktikisht e pamundur.  Në përkufizimin tonë të strategjisë ushtarake, objektiva kryesorë dhe të fundit janë ato të politikës kombëtare. Nga ndonjëherë direktiva politike është vështirë të kuptohet, është e paqartë ose me dy apo me shumë kuptime.
Politika kombëtare është gjithashtu e lidhur me elementet kryesore të fuqisë kombëtare si: politike, ekonomike, socio-psikologjike dhe ushtarake. Madje nganjëherë për ti bërë gjërat më interesante, politikat kombëtare në këto fusha të ndryshme shpeshherë mbipalosen, madje mundet edhe në një mënyrë kontradiktore. Rrallë kemi objektiva “të pastër ushtarakisht” ose “të pastër politikisht”.
Mundet që në ndonjë rast drejtuesit e shtetit të zgjedhin elementin ushtarak të forcës për ta përdorur në zbatim të objektivave kombëtare të cilët nga natyra e tyre janë kryesisht objektiva të karakterit politik ose ekonomik. Kjo mund të shkaktojë mjaft probleme. Në ndonjë rast forcat ushtarake mund të mos jenë mjeti i përshtatshëm për tu përdorur. Në këto raste komandantët ushtarak mund të kenë vështirësi të përcaktojnë objektivat e mundshme ushtarake që rrjedhin nga objektivat e politikës kombëtare.
Tani le të shqyrtojmë konceptin strategjik ushtarak. Ai mund të përkufizohet si një kurs veprimi i pranuar si rezultat i vlerësimit të situates strategjike.  Konceptet strategjike ushtarake mund të përfshijnë një kufi të gjërë opsionesh si vendosja e përparuar e forcave për të realizuar mbrojtjen sa më afër kufirit shtetëror, tregimi i forces, rezervat strategjike, mbrojtja kolektive etj. Këto janë vetëm disa nga mënyrat që mund të përdoren forcat ushtarake, ose më vete apo në bashkëpunim me aleatët. Përcaktimi i koncepteve strategjike është një çështje e një rëndësie të veçantë. Megjithatë nuk duhet të gabojmë në asnjë rast që një koncept strategjik ta quajmë si strategji. Konceptet strategjike duhet gjithnjë të shqyrtohen në lidhje me objektivat dhe mjetet ushtarake.
Së fundi do të shqyrtojmë “Mjetet”, që është elementi i tretë i ekuacionit tonë të strategjisë ushtarake pra mjetet (burimet) ushtarake të cilat përcaktojnë dhe aftësitë. Këtu mund të përfshijmë forcat aktive dhe rezerviste; teknikën, armatimin dhe materialet luftarake; forcat njerëzore etj. Ne duhet gjithashtu të marrim parasysh edhe rolin që do të luajnë dhe kontributin që do të japin aleatët dhe miqtë tanë.
Grupimi i përgjithshëm i forcave duhet të ndërtohet dhe të planëzohet mirë dhe të ketë një balancë të drejtë të elementeve luftarake, të mbështetjes së luftimit dhe atyre të mbështetjes me shërbime të luftimit, të gjitha të pajisura dhe të mbështetura në përputhje me kërkesat. Në varësi nga lloji i strategjisë që përpunojmë, forcat që merren në konsideratë për tu përdorur, mund të jenë ose jo në dispozicion në atë moment. Në strategjitë operacionale të shtrira në një periudhe të shkurtër kohore, forcat ushtarake duhet të ekzistojnë aktualisht. Në strategjitë afatgjatë të zhvillimit të forcës, konceptet strategjike përcaktojnë llojin e forcave që do të ekzistojnë (pra në të ardhmen - në afatin e parashikuar) dhe mënyrën e përdorimit të tyre.
Tani që ne i kemi shqyrtuar të gjithë elementet bazë të strategjisë ushtarake, le të përpiqemi të bëjmë një kompozim të përbashkët dhe më kuptimplotë të tyre.
Në këtë model, Sigurimi Kombëtar, që është interesi ynë më jetik, mbështetet në një stol – trekëmbësh të quajtur Strategjia Ushtarake. Të tre këmbët e këtij stoli jane emërtuar përkatësisht Objektivat, Konceptet dhe Burimet (Mjetet). Nga kjo analogji e thjeshtë mund të vërehet se për të patur stolin (Sigurimin Kombëtar) të garantuar, këmbët e stolit duhet të jenë të balancuara, pasi në të kundërt sigurimi kombëtar mund të jete në rrezik. Nëqoftëse burimet (mjetet) ushtarake nuk janë në pajtim me konceptet strategjike apo angazhimet e ndërmarra nuk janë në harmoni me mundësitë ushtarake, atëherë ne mund të ndodhemi në një situatë të vështirë.
Natyrisht është detyrë e ushtarakëve që të përcaktojnë në se ekziston ndonjë rrezik që shoqëron strategjinë e dhënë; të vlerësojnë shkallën e këtij rreziku, si dhe ta sqarojnë atë me forcë para udhëheqësve civilë.
Le të provojmë modelin e dhënë me një shembull që të shohim në se ai është i dobishëm për të shpjeguar strategjinë ushtarake. Tashmë dihet që Doktrina e Presidentit Amerikan Karter ishte një deklarim i politikës kombëtare: Qëndrimi ynë është absolutisht i qartë. Çdo përpjekje nga cilado forcë e jashtme për të pasur kontroll mbi Rajonin e Gjirit Persik do të shihet si një sulm ndaj interesave jetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një sulm i tillë do të sprapset me çdo mjet të nevojshëm, përfshirë dhe forcat ushtarake.
Le të krijojmë tani një strategji ushtarake për të vënë në jetë këtë politikë. Në këtë rast një objektiv i nënkuptuar është sigurimi i aksesit në pajisjet dhe rezervat e naftës së Gjirit Persik.
Ky objektiv ekonomik dhe politik së pari duhet të shndërrohet në objektiva ushtarake, siç mund të jenë: ruajtja e lirisë së kalimit nëpërmjet ngushticës së Hormuzit; dhe mbrojtja e fushave të rëndësishme naftëmbajtëse, rafinerive dhe porteve.
Atëherë koncepti strategjik për të realizuar objektivat e mësipërme ushtarake mund të ishte me anë të përhapjes së shpejtë të forcave nga rezervat strategjike amerikane në rajonin e Gjirit Persik. Por natyrshem lind pyetja: A disponohen kapacitete të transportimit të forcave dhe lëvizshmëri strategjike e mjaftueshme me qëllim që të sigurohet mbajtja e stolit në nivelin e kërkuar?
Dihet se programimi dhe prodhimi i forcave të nevojshme të transportit ajror dhe detar kërkon vite. Me qëllim që të sigurojmë një strategji operacionale afatshkurtër të mundshme, mund të ishte i arsyeshëm ndryshimi i konceptit strategjik nga ai i përhapjes së shpejtë të forcave në atë të mbrojtjes së përparuar dhe përhapjes e vendosjes me kohë të një sasie më të madhe të forcave ushtarake amerikane në këtë rajon.
Në kushtet e vendit tonë, forca ekzistuese, por dhe ajo e ardhshme është ndërtuar duke u mbështetur në një bërthamë njësish aktive me shkallë të lartë profesionalizmi, me lëvizshmëri të lartë dhe kapacitete operacionale, që sigurojnë përfshirje të shpejtë në zhvillimin e operacioneve mbrojtëse. Nga ana tjetër, për të lehtësuar reagimin e shpejtë të tyre, në rast kërcënimi të territorit të vendit, në planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqe është parashikuar përqëndrimi i këtyre njësive aktive në rajone e drejtime të përshtatshme, përreth qendrës së territorit të vendit, në afërsi të rrugëve të komunikacionit për të siguruar reagimin e tyre në kohë.
Ndoshta tashmë mund të themi se temën e strategjisë ushtarake e kemi shqyrtuar në thellësinë e duhur dhe jemi në gjendje të arrijmë në disa përfundime fillestare për natyrën e saj.
Së pari, nuk është titulli i strategjisë, por përmbajtja e saj ajo që ka rëndësi. Emërtimet e strategjive shpesh janë ndryshuar për aresye kozmetike duke pasqyruar pak ndryshime esenciale në këtë rast. Një studim i historisë tregon që identifikimi i strategjive ushtarake është bërë nëpërmjet një shumëllojshmërie të madhe emërtimesh.
Kështu emërtimi “Shpagim Masiv” i administratës së Ajzenhauerit, “Pergjigje Elastike” i administratës së Kenedit dhe ai i kohëve të fundit “Shkurajim Real”, të gjitha janë paraqitur si strategji.
Gjatë viteve emërtime të tjera janë përdorur për “Strategjitë”, si raskapitje, asgjësim, frenim, shkatërrim i sigurtë, detyrim, kundër forcës, kundër vlerës, kundër balancë, etj.
Duhet patur parasysh se, në kushte ideale, janë objektivat ushtarake dhe konceptet stratagjike ato që përcaktojnë strukturën e forcave ushtarake si dhe përhapjen e këtyre forcave brenda territorit të vendit. Por, nga ana tjetër duhet patur parasysh se edhe vetë objektivat ushtarake dhe konceptet strategjike ndikohen në mënyrë të pashmangshme prej aftësive dhe kufizimeve të forcave ushtarake që disponohen në momentin e dhënë.
Strategjia ushtarake mund të jetë deklarative ose e vërtetë. Me fjalë të tjera strategjia ushtarake e shpallur nga udhëheqësit tanë mund të jetë strategji e vërtetë ose jo. Strategjia ushtarake rrallëherë shprehet qartazi, dhe po rrallë përshkruhet në detaje të mjaftueshme që të jetë e kuptueshme nga të gjithë. Disa thonë se është marrëzi, madje edhe mjaft e rrezikshme që të shpallësh hapur një strategji ushtarake. Një veprim i tillë mund të kufizojë zgjedhjet tona në kushtet e një krize, ose ti bëjë qysh më parë të njohur armiqëve tanë të mundshëm se cilat mund të jenë veprimet tona në të ardhmen. Për një vend të caktuar mund të jetë e nevojshme që të ketë disa strategji ushtarake në një kohë të dhënë.
Për shëmbull në qoftë se një vend ka vetëm strategjinë e frenimit, dhe kjo strategji dështon, atëherë ç‘duhet të bëjë ky vend? Të dorëzohet? Ti nënshtrohet sulmeve të njëpasnjëshme dhe humbjeve në rritje të shkaktuara nga armiku? Mbrojtja e vendit dhe rivendosja e integritetit territorial, në se preket, nëpërmjet krijimit të kushteve të përshtatshme për rimarrjen e territorit të kapur nga armiku? Këto do të ishin disa nga zgjedhjet e mundshme në qoftë se një vend nuk ka edhe një strategji të zhvillimit të luftës për mbrojtjen e vendit.
Strategjia ushtarake mund të ndryshojë shpejt dhe shpesh, dhe kjo sepse objektivat mund të ndryshojnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Sido qoftë, të ndryshosh forcat ushtarake në mënyrë që ato ti përgjigjen objektivave dhe koncepteve të reja kërkon një kohë më të gjatë.
Në mënyrë të përmbledhur, strategjia ushtarake përbëhet nga përcaktimi i objektivave ushtarake, formulimi i koncepteve strategjike ushtarake për plotësimin e objektivave dhe përdorimi i mjeteve (burimeve) për zbatimin e koncepteve. Kur cilido nga këto elemente bazë është jo në pajtim me të tjerët, atëherë sigurimi ynë kombëtar mund të vihet në rrezik serioz.
 

Post più popolari

KERKO DETYREN TENDE