Whatsapp


Etichette

HISTORI PSIKOLOGJI LETERSI SHQIPE SHKENCA POLITIKE BIOLOGJI QYTETARI SOCIOLOGJI DREJTESI ESE ARGUMENTUESE JURIDIK PEDAGOGJI GJEOGRAFI EDUKATE SHOQERORE DIDAKTIKE BAZAT E FINANCES SHKRIM AKADEMIK FINANC BANK LETERSI BOTRORE GJUHE SHQIPE MATEMATIKE HISTORI SHQIPRIE SHKENCA JURIDIKE ANALIZE VEPRASH EDUKIM FIZIKE PSIKOLOGJI EDUKIMI ESE UNIVERSITETI POEZI MENAXHIM FINANCIAR MJEKESI KIMI PARAPSIKOLOGJIA EKONOMI INFORMATIKA ESE LETRARE MENAXHIM BIZNESI NJOHURI PER MEDIANIAN TRASHGIMI KULTURORE Anatomi ESE FILOZOFIKE GAZETARI INFERMJERI MENAXHIM TURIZEM SHKENC TOKE E DREJTA NDERKOMBETARE PUBLIKE HISTORI BOTRORE POLITIKAT E SIGURIS KOMBETARE E DREJTA E PRONES Histori e Mendimit Politik ALL POST AUDITIM BANKAR BAZAT E DEMOKRACISE DHE TE DREJTAT E NJERIUT ESE SHKENCORE FILOZOFI HISTORI ARTI HISTORI E EKONOMIS SHQIPTARE LETERSI MENAXHIM NDERTIMI MIKROEKONOMI POEMA PSIKOLOGJI REHABILITIMI BJOLOGJI EDREJTA E MJEDISIT FJALE TE URTA LEKSIONE AUDITIM MARDHENIA ME PUBLIKUN MASTER SHKENCOR Marrëdhënie Ndërkombëtare PSIKOLOGJI KESHILLIMI PSIKOLOGJI SHKOLLE SINTAKS TEORI E MARDHENIEVE NDERKOMBETARE ANGLISHT EDUKIM MUZIKORE ESE ANGLISHT ESE INFORMUESE GJUHE INFERMIERI KERKIM SHKENCOR METODAT E EDUKIMIT EMPIRIK METODIKE ARITMETIKE PSIKOLOGJI ZHVILLIMI TEKNOLOGJI INFORMACIONI TRASHGIMI KULTURORE EUROPIANE APLIKIM KOMPJUTERIK BUJQESI ESE HISTORIKE ETIKA E TE USHQYERIT GUIDE TURISTIKE HIGJENE HYRJE NE PSIKOLOGJI INFORMATIK ISMAIL KADARE LETERSI PER FEMIJE MENAXHIM KLASE MESIMDHENIE ORGANET E MARDHENIEVE NDERKOMBETARE PSIKOTERAPI SOCIOLOGJI EDUKIMI pyetjet e Licences ANALIZE sHARL BODLER Dituri natyre E DREJTA KUSHTETUESA EDUKIM FIZIK EDUKIM PER KARRIER KSHILLA SHTATZANIE LIBRA LEXO-SHKARIKO LOGJIKE MATURA SHTETERORE MBROJTJE DOKTORRATURE MIGJENI MUZIKE POLITIK ARSIMORE POLITIKA NE BE PSIKOLOGJI E ZBATUAR NE MESIMDHENIE RECENSION TEME DIPLOME hist

Interesat kombëtare Përkufizimi i interesit kombëtar

Interesat kombëtare
Përkufizimi i interesit kombëtar
 Interesat Kombëtare (IK) përbëjnë atë çfarë është e dobishme për kombin në marrëdhëniet e tij ndërkombëtare. IK janë një deklarim që rrjedh nga vlerat që një komb i vlerëson më shumë si pavarësia,
mbrojtja e atdheut, vlerat kombëtare, gjuha dhe identiteti kombëtar, vlerat thelbësore demokratike etj. Interesat e sigurisë kombëtare përcaktohen si bazat për zhvillimin e objektivave kombëtar.
Interesat e sigurisë kombëtare përfshijnë mbrojtjen e popullit; territorit;identitetit politik, të strukturës dhe institucioneve demokratike; nxitjen e mirëqënies ekonomike; mbështetja e vlerave demokratike dhe mbështetjen e rendit ndërkombëtar, i cili mbështet interesat jetike kombëtare. Ato janë shprehje e gjendjes së dëshiruar përfundimtare.Realizimi i interesave mund të rrisë mbarëvajtjen politike, ekonomike, të sigurisë, mjedisit dhe moralit të popullsisë dhe shtetit (aktorit) të cilit ato i përkasin. Kjo është e vërtetë si brenda vendit ashtu dhe në marrëdhëniet e jashtme të ndërmarra prej tij. Interesi kombëtar qëndron me përparësi në profesioneve të tilla siç janë ushtarakët, diplomatët dhe udhëheqin në formulimin e strategjisë kombëtare dhe vlerësimin e fuqisë së nevojshme për mbështetjen e zbatimin e strategjie.
RËNDËSIA, NDRYSHIME, AFRITË IDEOLOGJIKE, MBROJTJA E VENDIT DHE INTERESA JETIKE
Morgenthau dhe mendimtarët e tjerë realistë theksonin se në thelb ideologjia është një kurth për të justifikuar diktaturën. Por vetë diktaturat, kur merren me politikën e interesave kombëtare, e shohin ideologjinë në përgjithësi me dyshim në se ajo është plotësisht e vërtetë.
Lindin këto pyetje: A e largoi Lenini Rusinë nga Lufta e Parë Botërore, a  ishte ajo një luftë e padrejtë imperialiste, e bëri për të mbrojtur Rusinë nga copëtimi i mëtejshëm prej Gjermanisë e cila përparonte me vrull gjatë luftës? Etj.
Në Luftën Civile në Spanjë në vitet 1936-1939, Stalini urdhëroi vullnetarët e Kominternit në Spanjë që të përshtatnin një vijë politike tejet të moderuar. Stalini me këtë përpiqej që të bindëte Britaninë dhe Francën të bashkoheshin me të në luftën kundër Hitlerit. Pa sigurimin e një aleance të tillë, ishte e qartë që kërcënoheshin seriozisht interesat jetike të BS.
Ideologjia komuniste apo demokracia spanjolle s’kishin të bënin aspak me të, sigurimi i territoreve sovjetike ishte gjithçka për të cilën shqetësohej Stalini. Ideologjia mund të ndryshojë menjëherë. Kështu, Stalini i ndaloi kritikat e rënda kundër Gjermanisë naziste në vitin 1939, sepse ai nuk arriti të siguronte asnjë bashkëpunim të Britanisë dhe Francës për të siguruar kufijt e tij perëndimor, kështu që ai ju drejtua Hitlerit për të bërë një marrëveshje për të njëjtin qëllim. Për të njëjtën arsye, Uillson Çurçill, një konservativ i flaktë, shpjegonte përse Britania ishte tani në aleancë me Bashkimin Sovjetik: “Në qoftë se Hitleri do të pushtojë ferrin (skëterrën), unë do të gjejë pak fjalë të mira që ti them për djallin (për Stalinin dhe ish BS) në parlament”.
Ndryshimet apo afritë ideologjike nuk kanë shumë rëndësi, vetëm mbrojtja e vendit është ajo që ka realisht rëndësi. Më vonë gjatë luftës, Gjeneral Brigade Maclean raportonte nga Jugosllavia që partizanët e Titos ishin komunistë dhe mund të vendosnin komunizmin në Jugosllavinë e pas luftës. Çurçilli i mori njoftimet i pabefasuar dhe e pyeti Maclean, “Mos keni ndërmend të vendoseni me banim të përhershëm në Jugosllavi pas luftës”? Macleani pohoi se ai nuk do të ishte resident në Jugosllavi. “Mirë”, pohoi Çurçilli me kokë, “as unë nuk do të jem”. Çurçilli tregoi se në kokën e tij, më e rëndësishmja nuk ishte ideologjia e Jugosllavisë se pas luftës, pasi për të gjëja më e rëndësishme dhe kryesore ishte mbijetesa e Britanisë në luftë.
Po si mendoni për një besimtar të vërtetë, për revolucionarin që vazhdon të veprojë në bazë të ideologjisë së tij? Njerëz të tillë janë jashtëzakonisht të vështirë për të bashkëpunuar dhe për të arritur ndonjë marrëveshje, pasi ata injorojnë interesat e tyre kombëtare dhe në këtë mënyrë ata janë të paparashikueshëm.
Si karakteristikë është se pasioni i tyre nuk zgjat shumë, sapo ata njihen me barrën dhe përgjegjësinë e qeverisjes dhe mbrojtjes së vendit të tyre. Kështu, për shembull, Lenini filloi të ndryshojë nga ideologjia në pragmatizëm pothuajse menjëherë me marrjen e pushtetit, pasi që nga ky moment, ai duhej të shqetësohej e tregonte kujdes për Rusinë. Në qoftë se ata nuk janë në gjendje të ndryshojnë, ata mund të shkatërrojnë gjithë rajonin, përfshirë edhe vendin e tyre, siç bëri dhe Hitleri. Vëreni se si pas vdekjes së Komeinit, politika e Iranit u bë më pragmatike. Ideologjia dhe interesat kombëtare janë në papajtueshmëri mes tyre, një vend që tërhiqet apo mbështetet te ideologjia, në mënyrë tipike nuk është në gjendje të ndjekë një politikë të interesave kombëtare, e cila kërkon një vështrim të qartë dhe të qetë të realitetit.
PËRCAKTIMI, RËNDËSIA, DISKUTIME, QENDRUESHMËRIA DHE ARSYEJA E CAKTIMIT TË IK-së
 Detyra më e rëndësishme në hartimin e një strategjie kombëtare është përcaktimi i interesave kombëtare. Sapo të identifikohen interesat, ato shërbejnë si bazë dhe udhëheqje për formulimin e politikës së jashtme dhe strategjisë së sigurisë kombëtare, strategjisë ushtarake dhe të strategjive të tjera kombëtare, si dhe përcaktimin e kursit kryesor që do të ndiqet, llojin dhe sasinë e burimeve që nevojiten dhe mënyrën si duhen përdorur ato për arritjen e suksesit. Henri Kizinger dhe Robert Art bëjnë të qartë se identifikimi i interesave kombëtare është vendimtar për zhvillimin e politikës dhe strategjisë. Ato janë element i domosdoshëm për përcaktimin e objektivave që shërbejnë si qëllime për politikën dhe strategjinë kombetare.
Interesat janë themeli dhe pika nisëse për direktivat politike. Interesat kombëtare shërbejnë gjithashtu për të përcaktuar llojin dhe sasinë e fuqisë kombëtare që përdoret si mjet për zbatimin e politikës dhe strategjisë së caktuar. Nocioni i interesit kombëtar nuk është i ri në sistemin ndërkombëtar të shek. XXI. Ai ka qenë gjithnjë një konsideratë themelore e çdo aktori të këtij sistemi. Pavarësisht se çfarë kanë thënë akademikë të ndryshëm, interesat kombëtare nuk janë faktor vetëm për aktorët që përfaqësojnë shtetet-kombe. Të gjithë aktorët në sistemin ndërkombëtar kanë interesat e tyre përkatëse. Disa akademikë bëjnë dallim ndërmjet interesave kombëtare (interesat që përfshihen në marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit) dhe interesave publike (interesat që shtrihen brenda kufijve të shtetit). Me zvogëlimin e ndryshimeve ndërmjet ndikimeve të çështjeve të brendshme dhe të jashtme si rrjedhojë e proceseve të globalizimit të shpejtë të botës, nuk do të ketë me dallime ndërmjet interesave të brendshme dhe të jashtme. Në të vërtetë ato do të përfshihen në interesat kombëtare.
Ndërmjet akademikëve ka diskutime në lidhje më atë nëse interesat e shtetit-komb janë të qëndrueshme, politikisht bipartizane, kushte të përhershme që shprehin interesat thelbësore që i kapërcejnë ndryshimet në qeveri, në dallim me interesat që mund të ndryshojnë me kalimin e kohës ose që i përgjigjen ndryshimit në sistemin ndërkombëtar. Gjithashtu ka mosmarrëveshje në lidhje me atë nëse interesat kombëtare caktohen kryesisht për avancimin e fuqisë së një aktori me qëllim të arritjes së një sigurie më të madhe për aktorin, apo interesat udhëhiqen nga vlerat dhe etika me synim që të bëjnë diçka të mirë për pjesët e tjera të sistemit ndërkombëtar ose për sistemin në përgjithësi. Kjo mund të përfshijë bashkëpunimin dhe koordinimin me aktorët e tjerë në sistemin ndërkombëtar.
Ajo mund të kërkojë gjithashtu, që aktori i cili përcakton interesin kombëtar, të nënshtrojë interesa të caktuara prej të cilëve mund të përfitonte vetëm ai, për hir të interesave të tjera që janë me një dobi më të madhe për aktorët e tjerë në sistem. Së fundi, ka mosmarrëveshje në lidhje me kategorizimin dhe përcaktimin e intensitetit ose prioritetit të interesave.
Terma si mbijetesë, jetik, vendimtar, i rëndësishëm, serioz, dytësor, tepër të rëndësishëm, i rëndësishëm, më pak i rëndësishëm, humanitar, periferik janë përdorur për të karakterizuar interesat në shkrimet e botimet akademike dhe dokumentet zyrtare shtetërore. Kategorizimi është i lidhur direkt me çështjen e përcaktimit të prioritetit të interesave bazuar në intensitetin, i cili përcakton se cilët lloje të interesit janë me të rëndësishëm se të tjerët.





PËRDORIMI I INTERESAVE KOMBËTARE

Interesat shërbejnë si bazë për formulimin e politikës. Për shtetin komb, në më të shumtën e herës ka lidhje direkte ndërmjet interesave kombëtare dhe politikës së jashtme. Në shumë raste, “lideri mendon dhe vepron në bazë të interesit kombëtar”. Ato interesa që besohet se janë më të rëndësishme për arritjen e qëllimit politik të aktorit do të kenë një theks më të madh gjatë procesit të formulimit të politikës. Ato duhen formuluar që t’i tregojnë politikëbërësit përse ai duhet të tregojë kujdes rreth një çështje të caktuar, si dhe të ndihmojnë për të përcaktuar vëmendjen e duhur ndaj sfidave, kërcënimeve dhe shanseve. Interesat duhet gjithashtu të ndihmojnë politikëbërësin në identifikimin e çështjeve kryesore gjatë procesit të formulimit të politikës, si për shembull: sa ndikojnë zhvillimet aktuale ndaj interesave? A janë në gjendje forcat armike të ndikojnë ndaj interesave? A ka fuqi të mjaftueshme në dispozicion (ushtarake dhe jo ushtarake) për mbrojtjen e interesave? Ç’madhësi e fuqisë duhet të përdoret për mbrojtjen e interesit?
Në të vërtetë, kuptimi i interesit, ndihmon aktorin për të përcaktuar shkallën e rëndësisë që i duhet dhënë një çështje të caktuar. Interesat aktuale duhet të deklarohen me më tepër qartësi e saktësi (specifikime) pasi kjo është tepër e rëndësishme për një formulim të mirë të strategjisë. Specifikimi i interesave shton qartësinë në synimin e vërtetë të politikës dhe ndihmon në identifikimin e faktorëve të rëndësishëm strategjik në lidhje me interesat kombëtare. Përveç kësaj, meqënëse në mjedisin strategjik çdo gjë është e ndërvarur, specifikimi më i madh ndihmon në përcaktimin e natyrës dhe kontekstit të interesit dhe sqaron nivelin dhe llojin e strategjisë së përshtatshme për adresimin (trajtimin) e interesit. Për shembull “aksesi” në burimet e naftës është shprehje i një gjendje përfundimtare të dëshiruar por është shumë e përgjithshme.
Ajo mund të zbatohet kudo në botë. “Aksesi në burimet e naftës në Lindjen e Mesme” është një interes i deklaruar në shkallë rajoni, duke i fokusuar përpjekjet strategjike në një rajon specifik; megjithatë, ai ende lejon përdorimin e elementeve të ndryshëm të fuqisë dhe një kufi të gjërë objektivash dhe konceptesh (mënyrash). “Liria e lundrimit në Gjirin Persik” si një shprehje e një interesi të deklaruar në mënyrë specifike në strategjinë ushtarake të teatrit të CENTKOM (Komandës Qendrore), jep një fokus madje edhe më të ngushtë për gjendjen e dëshiruar përfundimtare dhe vë theksin pikërisht në instrumentin ushtarak. Pra, deklarimet e interesave në strategjitë përkatëse arrijnë specifikimin (saktësinë) me anë të zgjedhjes së fjalëve, të drejtimit të fokusit dhe ngushtimit të kontekstit. Ndërsa strategu, duke patur në konsideratë që strategjia varet nga politika, duhet të përcaktojë dhe sqarojë sa më mirë synimet politike dhe të identifikojë dhe artikulojë në mënyrën e duhur interesat kombëtare. Në ato raste kur mendohet se synimet (idetë) politike ose deklarimet e interesave janë në kundërshtim me realitetin e mjedisit strategjik dhe shpjegimet janë të paqarta, strategu jep (paraqet) rekomandime të përshtatshme tek autoriteti miratues.

MENDIM PËR NDRYSHIM APO JO TË IK-së NË VARËSI TË ZHVILLIMIT TË MJEDISIT STRATEGJIK

Disa studiues të fushës politike, si Hans Morgenthau, besojnë se interesat kombëtare janë karakteristika permanente të sistemit ndërkombëtar. Pavarësisht se cila mazhorancë është në qeverisje, interesat e një shteti komb mbeten përbërës të pandryshueshëm të procesit politik. Ato janë “të paprekshme nga kushtet e vendit dhe kohës”. Disa e interpretojnë këtë në kuptimin që shtetet kombe kanë interesa thelbësore të përhershme dhe të pandryshueshme. Kjo do të nënkuptohej, që interesat thelbësore të shtetit, ekzistojnë potencialisht qysh me krijimin e tij, dhe se nuk kanë ndryshuar qysh atëherë. Analiza e interesave kombëtare sugjeron se në të vërtetë kanë ndodhur përshtatje me kalimin e kohës. Vetë, Morgenthau, thotë që koncepti kyç i interesit nuk duhet të caktohet “me një kuptim që fiksohet njëherë e përgjithmonë”. Morgenthau mendon që koncepti i përgjithshëm i interesit është i pandryshueshëm në lidhje me kuptimin e tij në sistemin ndërkombëtar. Por kjo nuk do të thotë që interesa individuale nuk do të përshtaten apo të krijohen rishtaz me qëllim që të marrin parasysh ndryshimet në sistemin ndërkombëtar.
Teoricienë të tjerë pohojnë se interesat mund të jenë “një grup i preferencave të ndryshme subjektive që ndryshojnë periodikisht, në përgjigje të vetë procesit të brendshëm politik dhe në përgjigje të ndryshimeve në mjedisin ndërkombëtar. Prandaj interesi kombëtar ka më shumë mundësi të jetë ajo çfarë mendon politikëbërësi se është në çdo kohë të caktuar”. Shumica e aktorëve në sistemin ndërkombëtar, kanë patur interesa të ndryshuara dhe të pandryshuara gjatë një periudhe të gjatë kohe. Disa interesa kombëtare kanë qenë në fokus më të qëndrueshëm të politikave dhe strategjive të ndryshme se të tjerat, dhe të gjitha kanë patur shkallë rëndësie të ndryshme gjatë periudhave afatshkurtër dhe afatgjatë. Disa nga këto interesa janë ndryshuar ose përshtatur për arsye të ndryshimit të kushteve botërore (mjedisit strategjik ndërkombëtar) ose konsideracioneve politike të brendshme.

INTERESAT THELBESORE KOMBËTARE

Në strategjitë e sigurisë kombëtare të SHBA të dekadave të fundit identifikohe tre interesa thelbësore që kanë mbetur në një mënyrë apo tjetër të përhershme si siguria e vendit, mirëqënia ekonomike dhe mbështejta e vlerave demokratike dhe kombëtare. Këto tre interesa çojnë drejtpërsëdrejti në tre objektiva strategjike madhorë mbrojtja e sigurisë së vendit; mbështetja e prosperitetit ekonomik të vendit dhe mbështetja e vlerave kombëtare.Për shek. XXI, këto tre interesa thelbësore mund të përcaktohen si:
-Siguria. Mbrojtja e popullsisë (brenda dhe jashtë vendit), e territorit dhe institucioneve demokratike ndaj rreziqeve të jashtme potenciale. Kjo gjithnjë ka përfshirë mbrojtjen e vendit. Së brendshmi ajo tani do të përfshijë mbrojtjen e infrastrukturës kritike, tepër të rëndësishme siç është energjia, sistemi bankar dhe financiar, telekomunikacioni, sistemet ujore dhe rrjetet kompjuterike. Zgjerimi i pjesës së jashtme të këtij interesi thelbësor tani përfshin përbërës të tillë si mbrojtja kundër përhapjes së armëve të dëmtimit në masë (ADM), liria e lëvizjes, aksesi në shërbimet (facilitetet) kyçe, dhe garancinë e transformimit të institucioneve të sigurisë kombëtare për të përballuar sfidat dhe shanset e shek. XXI.
-Mirëqenia ekonomike. Mbështejta e ekonomisë së tregut, tregtisë dhe investimeve vendase dhe të huaja, përfshi mbrojtjen e interesave ekonomike private në vendet e huaja në kushtet e zgjerimit të tregjeve të lira dhe globalizmit.
-Vlerat demokratike. Vlerat atdhetare, identiteti kombëtar, gjuha, zakonet, simbolet, heronjtë, idealet kombëtare etj., kanë qenë një pasuri e madhe dhe faktor kryesor i mbijetesës dhe zhvillimit të popullit dhe kombit shqiptar. Sot me ndryshimet e thella në shoqërinë tonë dhe zhvillimet e vrullshme demokratike një vend të rëndësishëm po zënë vlerat thelbësore demokratike, mbështetja e të cilave përbën një interes dhe objektiv të rëndësishëm kombëtar.
Në një argument më të hershëm, Donald E. Nuechterlein i referohet këtyre tre interesave “thelbësore” si kategori dhe liston katër (kategori): Mbrojtja e vendit, lulëzimi (prosperiteti) ekonomik, mbështetja e vlerave, dhe rendi i favorshëm botëror. Nuechterlein sugjeronte që këto katër gjendje përfundimtare ishin kaq të përgjithshme nga natyra, sa që dobia kryesore e tyre qëndronte në konsiderimin e tyre si kategori për të ndihmuar organizimin e gjykimit në lidhje me interesat. Ai gjithashtu vuri në dukje që një kategorizim i tillë është deri diku artificial dhe interesat kanë tendencë të shtrihen mbi kategoritë e tjera.
Rend botëror i qëndrueshëm dhe i sigurt. Ky interes, tashmë mund të konsiderohet si interesi thelbësor i katërt. Një rend botëror i favorshëm bazohet në krijimin e një mjedisi ndërkombëtar paqësor në të cilin mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve mund të zgjidhen pa përdorur forcën dhe luftën dhe në të cilin përdoret siguria kolektive për të frenuar dhe përballuar agresionin e mundshëm. Kërkesat për stabilitet në botën e shek. XXI përfshijnë gjithashtu aleancat e koalicionet e qëndrueshme, sigurinë rajonale dhe më gjerë, dhe nevojën për t’ju përgjigjur problemeve humanitare apo të tjera, siç është përgjigja ndaj fatkeqësive natyrore dhe të krijuara nga njeriu, mbrojtjen e mjedisit, dhe mbështetjen për probleme shendetësore si SIDA etj.


QËNDRIMI I SHKOLLËS REALISTE ME IK-në

Sapo të jenë përcaktuar interesat përkatëse kombëtare, pyetja tjetër është përse aktori duhet të tregojë shumë kujdes për të bërë gjithçka të mundshme në lidhje me mbrojtjen dhe përmbushjen e tyre. Gjithnjë, në procesin e formulimit të interesave, është e natyrshme pyetja në përcaktimin e këtyre interesave, a ka qenë arsye themelore realizmi, moralshmëria, apo përdorimi i të dyja këtyre shkollave? Kompleksiteti i sistemit të sotëm ndërkombëtar krijon probleme për vendimmarrjen, që e detyrojnë formuluesin e interesave kombëtare të bëjë “zgjedhje të vështira në lidhje me vlerat morale e kombëtare; me burimet njerëzore, me thesarin kombëtar; dhe për kohën, energjinë dhe ndikimin që një vend dhe qeveri shpenzon në çështjet e jashtme”.
Shkolla e mendimit realist mbështetet në premisën se interesi kombëtar, si një mjet për politikëbërësin, kërkon të identifikojë cili është interesi më i mirë i shtetit të tij në marrëdhëniet me shtetet e tjera. Termi “më i mirë” në këtë rast përcaktohet në lidhje me fuqinë dhe sigurinë e shtetit.Realistët e shohin sigurinë kombëtare si bazën kryesore të interesit kombëtar të shtetit për shkak të kërcënimit të anarkisë dhe kufizimeve nga shtetet e pavarura që janë pjesë e sistemit ndërkombëtar.
Anarkia në sistemin ndërkombëtar mund të manifestohet si “çrregullim, pështjellim, konfuzion ose kaos”. Kjo mund të interpretohet ose si një lloj i gjendjes së përgjithshme të sistemit ndërkombëtar, ose si mungesë e ndonjë lloj institucioni autoritar, të rregullave, ose normave, që janë më të fuqishme se çdo aktor apo shtet sovran dhe që në këtë mënyrë, ato kanë aftësinë të garantojnë sigurinë në gjithë sistemin. Rezultat i faktorëve të mësipërm është mungesa e sigurisë për aktorët që janë anëtarë të sistemit ndërkombëtar. Përveç kërcënimit të anarkisë, realistët janë gjithashtu shumë të ndjeshëm edhe ndaj kërcënimeve që krijojnë “kufizimet e jashtme në lirinë e tyre të veprimit nga traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, nga interesat dhe fuqia e shteteve të tjera, dhe faktorëve të tjerë, siç janë vendosja gjeografike dhe varësia në tregtinë e jashtme.
Sipas shkollës së realizmit, mungesa e sigurisë e shkaktuar nga anarkia dhe kufizimet në sistem bëjnë që shtetet të orientojnë interesat e tyre në “sigurimin (grumbullimin) dhe menaxhimin e fuqisë së shtetit të tyre”, duke qenë më shpesh e lidhur me disa lloje të elementit ushtarak të fuqisë kombëtare. Rezultati, sipas Morgenthaut, është nevoja për të fokusuar interesat kombëtare të aktorit në plotësimin e kërkesave të sigurisë me anë të “mbrojtjes së identitetit fizik, politik dhe kulturor të tij ndaj cënimeve (shkeljeve) prej shteteve të tjera”. Për interesat kombëtare, sipas shkollës realiste theksi është për të bërë atë çfarë është në dobi të një aktori shtet të veçantë. Kjo bëhet duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në fuqinë dhe sigurinë e vendit.
Qëndrimi në përcaktimin e interesave bazohen në moralshmërinë, të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Ndërsa interesat e bazuara në moralshmërinë, përcaktohen “në mënyrë të gjërë për të përfshirë vlera jomateriale si të drejtat e njeriut, lirinë nga privimet ekonomike, shpëtim (lehtësim) nga sëmundjet”. Ndonëse fuqia ushtarake mund të jetë ende element i pëlqyer (dëshiruar) i fuqisë kombëtare, interesat e bazuara në moralshmërinë mbështesin koncepte të tilla si “vlerat e vet-vendosjes kombëtare dhe barazisë ekonomike”. Pjesa e fundit e shek. XX dëshmoi një rritje të mbështetjes për lloje të tilla interesash me bazë moralshmërinë nëpërmjet ndërhyrjeve humanitare në vende të tilla si: Somalia, Haiti, Bosnja dhe Kosova. Ndërhyrja humanitare është një “ndërhyrje e armatosur në një shtet sovran nga shtete të tjerë me ... qëllim të përfundimit ose zvogëlimit të vuajtjeve brenda atij shteti. Këto vuajtje dhe dëme mund të jenë rezultat i luftës civile, krizave humanitare, ose krimeve në këtë vend, përfshi dhe gjenocidin”.
Interesat që bazohen në moralshmërinë nuk zhvillohen për të përfituar vetëm aktori që formulon interesat. Më saktë, ato caktohen në këtë mënyrë, që aktorë të tjerë në sistemin ndërkombëtar të kenë gjithashtu mundësinë që të përfitojnë prej tyre.
Në botën komplekse të shek. XXI, asnjë nga këto përqasje (realizmi, moralshmëria) nuk ka të ngjarë të jetë arsyeja e vetme përse një interes i dhënë zhvillohet për të udhëhequr politikëbërjen. Popujt e vendeve të ndryshme janë të orientuar sot në mbijetesën, mirëqënien dhe mbarëvajtjen e individeve në vendet e tjera.
Përvec kësaj, Joseph Nye, një përkrahës i qartë i komponentit të moralitetit, me anë të mbështetjes së tij ndaj fuqisë së butë, pohon se interesat kombëtare janë një grup përparësish të përbashkëta që shpesh përfshijnë çështje të të drejtave të njeriut dhe demokracisë. “Një përkufizim demokratik i interesit kombëtar nuk pranon ndryshimin ndërmjet një politike të jashtme me bazë moralitetin dhe me bazë realizmin (interesin)”. Ka një tension të përhershëm por dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet dy gjykimeve themelore që ndihmojnë për udhëheqjen e formatimit të interesave kombëtare. Për një situatë të dhënë, çdo njeri prej tyre do të ketë zbatueshmërinë e vet. Çështjet bashkëshoqëruese të botës së shek. XXI do të kërkojnë që përcaktuesi i interesave kombëtare të jetë njëherazi realist pragmatik dhe përkrahës i moralitetit.

NEVOJA, KATEGORITË DHE PËRCAKTIMI I INTENSITETIT TË IK-së

Me qëllim që formuluesi i interesave kombëtare të vendosë për llojin dhe sasinë e burimeve që duhet të caktojë për të përmbushur një interes të caktuar, ai duhet të kuptojë kategorizimin dhe përcaktimin e intensitetit të interesit të dhënë. Kjo pj3eesë e procesit hartues të interesave është e nevojshme të adresojë pyetje kyçe të politikës si: Cila çështje është më e rëndësishme? Sa do të jetë i gatshëm populli të sakrifikojë që të përballet me kërcënimet që identifikohen apo të përfitojë nga shanset që mund të krijohen?
Përcaktimi i prioritetit, zakonisht i shprehur në termat e intensitetit të një interesi, është vendimtar sepse, nga këndvështrimi i politikëbërësit, interesat shumë mirë mund të vinë në konflikt me njeri-tjetrin. Ky konflikt mund të lidhet me burimet që një aktor mund të kërkojë për të plotësuar interesat, përfshi kohën dhe vëmendjen e vendimmarrësve kryesore.Burime të tilla ka mundësi që në njëfarë mënyre të jenë të kufizuara për çdo organ vendimmarrës, prandaj kërkohet përcaktimi i prioritetit përpara se të përfundojë procesi i përcaktimit të interesave.
Nivelet e intensitetit tregojnë rëndësinë dhe prioritetin e interesave në lidhje me mirëqënien e shtetit. Ato ndihmojnë strategun për kuptimin e rëndësisë relative dhe urgjencës ndërmjet interesave. Nivelet e intensitetit tregojnë rëndësinë relative dhe kanë implikime lidhur me kohën, burimet dhe pranimin e rrezikut, por vendimi për të vepruar dhe per mënyrën si duhet vepruar lidhur me to, rrjedh nga i tërë procesi i formulimit të strategjisë – jo nga caktimi i intensitetit. Nivelet e intensitetit janë kalimtare, për këtë arsye ato janë objekt i ndryshimit bazuar në përceptimin e ngutshmërisë që i shoqëron ato në çdo kohë.
Intensiteti varet nga konteksti i situatës strategjike dhe nga interpretimi që i bën strategu apo politikbërësi kontekstit dhe rëndësisë së interesit në mirëqënien e begatinë kombëtare.
Kasifikimi është i rëndësishëm jo vetëm sepse ai mund të përdoret si një sistem për vlerësimin sistematik të interesave, por gjithashtu sepse ai mund të japë “një mënyrë për të dalluar shqetësimet e menjëhershme të interesit nga ato afatgjatë” duke përdorur kohën si bazë. Në burimet e ndryshme akademike janë përdorur dy deri katër kategori të ndryshme të interesave kombëtare. Kështu për shembull, Morgenthau dallonte dy nivele të interesave kombëtare, të cilat ishin - interesat jetike dhe interesat dytësore. Për mbrojtjen e interesave jetike, të cilat janë interesa të një rëndësie të veçantë dhe përcaktuese në ekzistencën e shtetit, nuk mund të ketë asnjë lloj kompromisi apo hezitimi për hyrjen e vendit në luftë. Interesat jetike kombëtare përcaktohen relativisht me lehtësi, ku veçojmë: sigurinë si një shtet i lirë dhe i pavarur dhe mbrojten e institucioneve, të popullit dhe vlerave themelore. Kështu për shembull për SHBA-në interesi “Asnjë raketë sovjetike në Kubë” ishte një interes jetik.
Interesat kombëtare dytësore, për të cilat mund të kërkohet edhe bërja e ndonjë kompromisi, është më e vështirë që të përcaktohen. Si karakterstikë, ato deri diku janë larg nga kufijtë shtetëror dhe nuk paraqesin ndonjë kërcënim serioz për sovranitetin e vendit. Nëqoftëse një interes është i nivelit dytësor, atëherë mund të bëhen negocime për marrëveshje me përfitim të përbashkët. Kështu “Furnizim i lirë me naftë në botë” përbën një interes dytësor.
Nivelet e intensitetit sipas Kolegji të Luftës së Ushtrisë së SHBA-së janë: jetik, i rëndësishëm dhe periferik. Ndërsa Nuechterlein, nivelin “e rëndësishëm” e emërtoi “kryesor” dhe mbronte ekzistencën e një intensiteti të katërt – mbijetesa - duke synuar ato kërcënime apo ndryshime që përbëjnë një sfidë të vërtetë për ekzistencën e vetë kombit.Ndryshim i rëndësishëm ndërmjet këtyre qasjeve është nëse ato përdorin kategori të veçantë për interesat e mbijetesës, apo nëse ato i konsiderojnë interesat e mbijetesës dhe interesat jetike esencialisht një dhe të njëjta. “Diferenca kryesore ndërmjet interesit të mbijetesës dhe interesit jetik” është “në natyrën dhe afërsinë e kërcënimit ushtarak” ndaj aktorit. Të dy termat adresojnë (trajtojnë) jetën e aktorit, njëra ka të bëjë me rrezikun e afërt të vdekjes (shkatërrimit) të tij, ndërsa tjetri është vetëm potencialisht vdekjeprurës. Në këtë rast diferenca kohore është vendimtare. Në qoftë se ndonjë beson se ka interesa specifike ku mbijetesa apo ekzistenca e vërtetë e aktorit, është në rrezik, atëherë janë të domosdoshme katër kategori.
Në strategjinë e Sigurisë Kombëtare të RSH thuhet se “Garantimi i interesave jetike siç janë ushtrimi i sovranitetit, mbrojtja e pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit, mbrojtja e rendit kushtetues; mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e pasurive dhe vlerave përbën bazën e sigurisë së Republikës së Shqipërisë”.
Përcaktimi i interesave të tjera ndihmon në përcaktimin e zgjidhjeve strategjike për sigurinë e vendit në përputhje me rreziqet, nevojat dhe objektivat që duhen arritur. Interesa të tilla janë: programimi i proceseve të integrimit në BE, struktura e organizma të tjera euroatlantike, nxitja dhe pjesëmarrja në zhvillimin e proceseve të stabilitetit rajonal, zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe me shtetet fqinje dhe partnerët, zgjidhja e problemeve sociale e të mbrojtjes së mjedisit etj.
Për qëllime të këtij vlerësimi, në vijim do të përdoren katër kategori prioritare të intensitetit, nga i lartë deri te i ulët (Mbijetesë, Jetik, i Rëndësishëm dhe Periferik):
-Mbijetesa (ekzistenca). Këto paraqesin interesat më të rëndësishme unike për çdo aktor. Ky është thelbi i vërtetë i ekzistencës së aktorit - mbrojtja e qytetarëve të tij dhe institucioneve të vendit nga sulmi i armiqëve, të brendshëm dhe të jashtëm. Ai adreson (trajton) kërcënimin e një sulmi të afërt dhe është një interes për të cilin nuk mund të bëhet asnjë kompromis. Nëqoftëse ky interes nuk përmbushet, ai do të “sjellë kosto që do të jenë katastrofike, ose afërsisht të tilla”. Për sigurimin e mbijetesës së aktorit duhet bërë gjithçka çfare është e mundshme, përfshirë dhe përdorimin e forcës ushtarake. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, niveli i mbijetesës i Nuechterlein-it meriton rivlerësim në kushtet e rritjes së përhapjes të armëve të dëmtimit në masë ndërmjet shteteve kombe dhe aksesit dhe përdorimit të mundshëm të ADM nga terroristët. Aktorë të caktuar mund të paraqesin një kërcënim të dukshëm e të besueshëm të shkatërrimit masiv, nëqoftëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Në një periudhë globalizimi si kjo që po përjeton bota sot, një kërcënim i dukshëm dhe i besueshëm dhe një dëmtim masiv i sistemeve të transportit dhe mjeteve të informimit që janë baza mbështetëse e ekzistencës kombëtare dhe të një bote të qëndrueshme, mund të arrijnë gjithashtu nivelin e mbijetesës. Në këtë mënyrë, interesat duhet të kenë specifikimin në lidhje me fushën e strategjisë së formuluar dhe mënyrën për identifikimin e rëndësisë dhe prioritetit, me qëllim për të siguruar (dhëne) fokusin në përcaktimin e faktorëve strategjike dhe formulimin e strategjsë.
Shëmbull: Parandalimi, frenimi (pengimi) dhe zvogëlimi i kërcënimit të sulmeve të armëve bërthamore, biologjike dhe kimike ndaj aktorit që përcakton interesin ose ndaj forcave të tij ushtarake jashtë vendit; sigurimi i mbijetesës së aleatëve dhe i bashkëpunimit aktiv të tyre në modelimin e sistemit ndërkombëtar në të cilin aktori që formulon interesin ka mundësi të zhvillohet e begatohet; parandalimi i shfaqjes së fuqive të mëdha armike apo shteteve të dështuara në kufijtë e aktorit që formulon interesin përkatës.
-Jetik. Një interes jetik paraqitet atëherë kur një çështje është kaq e rëndësishme për mirëqënien e mbarëvajtjen e aktorit sa që lidershipi mund të bëjë kompromis vetëm deri në një pikë të caktuar. Përtej kësaj pike, kompromisi nuk është më i mundshëm, për arsye se dëmi potencial për aktorin nuk do të ishte mëtej i tolerueshëm. Nëqoftëse interesi arrihet, ai do të sjellë përfitime të mëdha për aktorin, por nëqoftëse kundërshtohet e nuk arrihet ky interes, ai natyrisht do të ketë kosto për aktorin, të cilat janë të rënda por jo katastrofike. Kosto të tilla mund të dëmtojnë rëndë aktorin, por jo të vënë shumë në rrezik aftësinë e qeverisë dhe shtetit të aktorit për të mbrojtur dhe rritur mirëqënien e popullsisë së tij.
Shëmbuj: Ndalimi i përhapjes së armëve të dëmtimit në masë (ADM) në rajon dhe sistemeve të hedhjes (lëshimit) të tyre; ndalimi i shfaqjes së një aktori hegjemon rajonal në rajone të rëndësishme; mbështetja e mirëqënies së aleatëve dhe miqëve dhe mbrojtja e tyre nga agresioni i jashtëm.
Të rëndësishme. Këto interesa janë të rëndësishme por jo vendimtare për mirëqënien e aktorit. Ato mund të shkaktojnë shqetësime dhe dëme serioze në interesat e aktorit jashtë vendit, dhe megjithëse rezultati deri diku mund të jetë i rëndë dhe me dhembje, ekziston mundësia që të zgjidhen me anë të kompromisit dhe negociatave në vend të konfrontimit. Ky interes mund të rrisë “mirëqënien e tij ekonomike dhe ndoshta sigurinë e tij” dhe në këtë mënyrë, kontribuon në “bërjen e mjedisit ndërkombëtar më të përshtatshëm” për interesat e tij të përgjithshme. Vlerat potenciale, si dhe humbjet potenciale të këtyre interesave do të jenë të kufizuara dhe jo të mëdha. Interesat e rëndësishme, ndryshojnë nga interesat e mbijetesës dhe ato jetike nga shkalla e rrezikut të perceptuar për aktorin, dhe sasia e kohës në dispozicion për gjetjen e një zgjidhje paqësore për çështjen.
Shëmbuj: Mbështetja e pluralizmit, lirisë dhe demokracisë në aktorët shtete të rëndësishëm nga ana strategjike, mundësisht pa krijuar destabilizim; shkurajimi i dhunimit masiv të të drejtave të njeriut në vendet e tjera; ndalimi dhe përfundimi i konflikteve në rajone gjeografike më pak të rëndësishme nga ana strategjike, në se është e mundur me një kosto të ulët.
Periferike. Këto interesa as nuk shkaktojnë kërcënim për sigurinë e aktorit apo mirëqënien e popullsisë së tij, as nuk ndikojnë në stabilitetin e sistemit ndërkombëtar. Ato janë kushte të dëshiruara, por që kanë pak ndikim të drejtpërdrejtë në aftësinë e aktorit për të mbrojtur popullsinë e tij.
Shëmbuj: Mbështetja e interesave ekonomike të qytetarëve të thjeshtë jashtë vendit; zgjerimi i demokracisë kudo për të mirën tonë; mbrojtje i integritetit territorial apo organizimit politik të aktorëve të tjerë kudo qofshin ato.

INTERESA TË PËRKOHSHME E TË PËRHERSHME, TË PËRGJITHSHME E TË VEÇANTA, PLOTËSUESE DHE KONFLIKTUALE

Mbrojtja e të drejtave të njeriut në një vend të largët, mund të jetë interes i përhershëm, i përgjithshëm, dhe dytësor; kjo do të thotë që ju mund të keni një angazhim afatgjatë për të drejtat e njeriut, por duke mos krijuar konflikt me ndonjë vend tjeter, sidomos kur kjo mund të dëmtojë marrëdhëniet e përgjithshme ose të dobësojë fuqinë e shtetit. Kështu, Morgenthau do t’a gjykonte absurde për Shtetet e Bashkuara kalimin në marrëdhënie armiqësore me Kinën për arsye të të drejtave të njeriut, pasi nga kjo mund të vinin më shumë të këqja se të mira. Për shëmbull, një Kinë armiqësore, i ofron pak ndihmë Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e problemeve, siç është ai me Korenë e Veriut për çështjen e armëve bërthamore. Në të shumtën e rasteve liderët politike duhet të zgjedhin ndërmjet interesave konkurruese.
Dy vende, qofshin këto edhe aleatë, rrallë kanë interesa të njëjta. Më e mira që mund të shpresohet në këtë rast është që interesat e tyre të jenë plotësuese. Për shëmbull, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, mund të kishin si interes të përbashkët kundërshtimin e “pastrimit etnik” nga Serbia, interes që për SHBA është i përgjithshëm, i përkohshëm dhe dytësor, që lidhet kryesisht me të drejtat e njeriut dhe stabilitetin rajonal, ndërsa për Shqipërinë përbën një interes të veçantë, të përhershëm, dhe jetik. Këto interesa mund të shkojnë paralel për një kohë të caktuar, por nuk duhet asnjëherë të ngatërrohen interesat shqiptare me ato amerikane.
Nganjëherë është vështirë që të parashikosh se si një vend tjetër do të përcktojë interesat e tij kombëtare. Secili i vështron gjërat me sy të ndryshëm. Në vitet 1990, Hungaria ishte shumë bashkëpunuese me Perëndimin dhe me shumë dëshirë për t’u anëtarësuar në NATO. Megjithatë, në vitin 1994, kur Shtetet e Bashkuara dhe Franca propozuan kryerjen e goditjeve ajrore për të frenuar krimet e artilerisë serbe në Bosnje, Hungaria ndaloi përdorimin e territorit të saj nga SHBA për fluturimet e avionëve luftarakë. Parë nga ana e amerikanëve, ky refuzim ishte një habi: “Po a nuk duan vallë hungarezët të jenë në ekipin tonë”? Ndërsa parë nga këndvështrimi i hungarezëve, për këtë refuzim ata do të thonin “Ne do të jetojmë me serbët për shekuj; ky kufij është një interes jetik i përhershëm për ne. Rreth 400.000 hungarezë etnikë jetojnë si pengje të vërtetë nën kontrollin serb në Vojvodinë. Amerikanët nuk na ofruan garanci për mbrojtjen tonë, por vetëm prisnin që ne t’u bashkoheshim atyre në luftë. Na vjen keq, por kjo nuk është e drejtë”. Në të vërtetë fluturimet e avioneve luftarakë rifilluan shpejt me zgjidhjen e kësaj çështje.
Detyra e diplomatëve është që të gjejnë dhe zhvillojnë interesa plotësuese, të përbashkëta, në këtë mënyrë dy apo më shumë vende mund të punojnë së bashku. Kështu, një punë përgatitore më e mirë diplomatike do të kishte bërë të ditur qysh më parë ndryshimet në interesat e SHBA dhe Hungarisë në vitin 1994, dhe nuk do të kishte lindur asnjë problem mes tyre.
Shpeshherë vende të ndryshme kanë disa interesa që janë plotësuese dhe disa të tjera që janë kundërshtuese apo të papajtueshme siç ishte rasti kur anëtarët e NATO-s bashkëpunonin për të penguar kërcënimin sovjetik (interesa plotësuese), mirëpo përplaseshin në lidhje me atë se kush do të udhëheqte NATO-n (interesa kundërshtuese). Marrëdhëniet France – SHBA mund të përshkruhen të një natyre të tillë. Aty ku interesat nuk pajtohen totalisht, sigurisht që nuk mund të ketë një bashkëpunim të fortë ndërmjet palëve. Në këtë rast është detyrë e diplomatëve të shprehin këtë dhe të gjejnë mënyrat që të minimizojnë dëmet e mundshme. Në një situatë të tillë nuk duhet të dëshpërohemi, pasi interesat kombëtare mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, dhe armiqtë e sotëm mund të jenë aleatët e nesërm. Nga ana tjetër, bashkëpunimi i Rusisë në Bosnje-Hercegovinë në kuadrin e IFOR-it ishte një interes plotësues, ndërkohë mbështetja e Rusisë për Serbinë përbën një interes konfliktual, ose mbështetja e Irakut nga ana e SHBA-se në luftën Irak-Iran ishte një interes i përkohshëm, pasi më pas në vitin 1991 dhe në vitin 2003, SHBA-të u angazhuan vetë në luftë kundër Irakut.
Shumë interesa kombëtare mendohen se kanë një përbërës gjeografik, që është, një vend, vijë (kanal) i lundrueshëm, ose burim që mund të ketë një ndikim të veçantë në interesin tuaj kombëtar. Për shembull, Britania kishte një interes të veçantë, të përhershëm, dhe shpesh jetësor në Holandë. Kush kontrollonte Vendet e Ulëta, kishte drejtimin më të mirë për pushtimin e Anglisë. (…erërat veriore, që lëvizin me vrull ndërmjet Anglisë dhe Kontinentit bënin të mundur që anijet me vela të lëviznin me shpejtësi të madhe në perëndim të Holandës drejt Anglisë. Këto erëra, që lehtësonin pushtimin e shpejtë, ndihmuan në përcaktimin e interesit kombëtar të Anglisë - që ishte Holanda). Qoftë kur kërcënimi vinte nga perandorët Habsburge, mbretërit e Francës apo diktatorët gjermanë, Britania ishte e vetëdijshme, që ajo duhet të angazhohej për të siguruar këtë trampoline (pikënisje) që përdorej për pushtimin e saj nga armiqtë e mësipërm.

NDIKIMI I INTERESAVE NË FORMULIMIN E POLITIKËS DHE STRATEGJISË NË SHEK. XXI

Ashtu siç është kompleks zhvillimi i interesave kombëtare, po ashtu është edhe zbatimi i tyre në procesin e formulimit të politikës dhe strategjisë kombëtare. Siç e kemi parë, pjesëmarrësi në formulimin e zhvillimin e interesave kombëtare duhet të marrë parasysh çështjet e mëposhtëme: sa elastike mund të jetë interesi i momentit në lidhje me interesin thelbësor kombëtar për aktorin e dhënë? A duhet interesi të jetë i bazuar në realizmin apo moralshmërinë, apo mund të jetë njëfarë kombinimi i të dyve? Si mund të kategorizohet interesi dhe shkalla e intensitetit që i përshtatet interesit të caktuar?
Ndoshta, faktori më i komplikuar që duhet të ketë parasysh përcaktuesi i interesit kombëtar është ndikimi i politikës së brendshme në procesin e formulimit të interesit. Mendimi që caktimi i llojit të burimeve dhe sasisë së tyre do të ndikohet nga identifikimi i interesit të caktuar, krijon një lidhje tepër të rëndësishme ndërmjet të dy elementeve (burimeve dhe interesave). Lidhja mes tyre është kyçe, sepse në demokraci, është qeveria e një aktori shtet që duhet të mbështesë investimin e burimeve të kërkuara për përmbushjen e interesit. Interesat më të saktë dhe më të qartë, është më lehtë që të mbështeten nga qeveritë dhe popullsia, sepse ato kanë një mendim më të qartë për atë që u kërkohet të bëjnë, si caktimi i parave apo forcave ushtarake. Sa më e madhe saktësia dhe shkalla e konsensusit në klasifikimin dhe nivelin e intensitetit të interesave, aq më e madhe është mundësia që publiku të mbështesë veprimet për mbrojtjen apo avancimin e interesit.
Në mënyrë të përmbledhur, procesi i përcaktimit të interesave duhet të përfshijë çështjet dhe pyetjet vijuese për të siguruar mundësi sa më të mëdha për zhvillimin e interesave të përshtatshme dhe të mbështetshme për çdo aktor. Ato ndihmojnë për të përcaktuar vemëndjen që duhet treguar ndaj sfidave apo kërcënimeve të brendshme e të jashtme si dhe për indentifikimin e çështjeve kryesore për t’u trajtuar gjatë procesit të formulimit të politikës.
Ndër këto çështje përfshihen: Sa e dëmtojnë interesin e aktorit zhvillimet aktuale të mjedisit? A janë në gjendje forcat armike të ndikojnë negativisht në interesat e aktorit? A ka fuqi të mjaftueshme në dispozicion (ushtarake dhe jo ushtarake) për të mbrojtur interesat e aktorit? Cilat çështje kanë më shumë rëndësi? Ku bëjnë pjesë ato në lidhje me nivelet e intensitetit të interesave? Mbijetesë, Jetik, Rëndësishem, apo Periferik?Përse njerëzit duhet të tregojnë kujdes?Sa do të jetë e gatshme popullsia të shpenzojë (sakrifikojë) që të merret me kërcënimet e sfidat e identifikuara apo të përfitojë nga shanset (mundësitë) e njohura? A ështe kjo e mjaftueshme? Etj.

Literatura:
Karlo Jean, Gjeopolitika, Shtëpia Botuese e Ushtrisë, Tiranë, 1998.
Hans Morgethau, Politika Ndërmjet Kombeve, Tiranë, 2008.
Charles W. Kegley, JR., Politika Botërore, Shtëpia Botuese UFO Pres, Tiranë, 2009.
Joshua S. Goldstein, Biblioteka e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Historisë, Tiranë, 2003.
Michael Mandelbaum “The Future of Nationalism,” The National Interest, no. 57, FaIl 1999, pp. 17-26.
Henry Kissinger, Diplomacia, “Plejad”, Tiranë, 1999.
Karl Dojç, Analiza e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Tiranë,1994.
Karen A. Mingist, Bazat e marrëdhënieve ndëkombëtare, Tiranë 2010.
 Komisioni i sigurisë kombëtare 

Post più popolari

KERKO DETYREN TENDE