SHPIRTI I TURMËS bashkëjeton me njeriun dhe është tipar i historisë
njerëzore, sepse njeriu në mënyrë të natyrshme është qenie shoqërore që
kërkon përherë të shoqërizohet. Porse njohuria për të, përkujdesja ndaj
këtij shpirti dhe mbi të gjitha shfrytëzimi i tij për qëllime të
caktuara përbën anën tjetër të medaljes. Çeshtja madhore është se sa i
theksuar është shpirti i turmës në shoqëri, sepse njeriu i brymosur me
një mendësi të tillë ka në themel të mendjes së tij çiftin Sundimtari
dhe Turma. Kjo
është çeshtje madhore sepse mendimet dhe ndjenjat janë
shfaqje të shpirtit të njeriut dhe janë pikërisht ato që përcaktojnë
sjelljen e tij shoqërore, domethënë kufirin ndarës çfar quhet e mirë dhe
çfar quhet e keqe. Sjellja dhe puna e njeriut janë dy gjëra të ndryshme
por që njëkohësisht plotësojnë e bashkëshoqërojnë njëra tjetrën, ngase
në fund të fundit ato bashkëshoqërojnë njeriun. Sjellja shoqërore është
ajo që përcakton ngjarjet shoqërore, sepse njeriu bën atë që dëshiron të
bëjë.
Njeriu në turmë ka një shpirt të ndrydhur, të
pa lirë e të pa larmishëm dhe duke qenë në gjendje të tillë ai
kundërvepron duke i lindur dëshira në skutat e shpirtit të tij për ta
parë veten në krye të turmës. Shpirti i tij ngashëron, kredhet përqark,
i friksuar mban sytë e veshët hapur te të tjerët, frigon e idhtohet nga
e mira e tjetrit, i sheh të tjerët detyrimisht të barabartë me
vetveten, sheh në të tjerët aspak ndryshim nga vetvetja ose në rastin më
të mirë ndryshime të parëndësishme. Ai ndjehet njësh me “të barabartët e
tij” dhe vetpërfytyrohet si përfaqësues i tyre. Ky shpirt i ngujuar në
mënyrë natyrale kërkon hapje, liri dhe vet-dallueshmëri. Prandaj ai e
anon ndërgjegjen e tij drejt njëshit, drejt unit, drejt vetkuptimit me
ndjenja të forta që ky vetnjësh kështu nuk ka vlerë dhe si rrjedhim i
mbin dëshira që të duket mbi të tjerët ose, e thënë sipas mendjes së
tij, mbi “të barabartët e tij”. Zgjidhja më e lehtë për të është mburrja
ose bërja e tjetrit me turp. Ai gjithmonë është në kërkim të rastit për
t’u mburrur ose bërë tjetrin me turp, sepse ai ndjehet keq dhe i
turpëruar kur nuk mburret apo kur nuk e turpëron tjetrin. Me ligësi, ai
gjithmonë është në kërkim të thashethemit për tjetrin, sepse edhe vetë
ai është një thashethem. Kështu, njeriu në turmë harxhon pa ndërprerje
vëmendje dhe energji e tij për emocione të panevojshme dhe hamendje të
papëlqyeshme, për ngacmime nervore të nxituara, për ëndërrime me sy
hapur dhe thashetheme të pashtershme.
Njeriu në turmë
e ka të pamundur të pranojë se jo çdo gjë është apo i përket çdonjerit
dhe jo çdo njeri është për çdo gjë. Një mendësi e tillë nuk arrin të
pranojë se veç punës së tij egziston e duhet të egzistojë edhe puna e të
tjerëve dhe nuk vozit në mënyrë të atillë që puna e tij të plotësojë
punën e të tjerëve ose puna e tij të plotësohet prej të tjerëve. Për një
shpirt të tillë i mirë është, domethëne duhet të egzistojë, vetëm guri i
tij dhe jo muri i përbashkët. Ai vetëgjykon se është i pazëvëndësueshëm
dhe ka edhe raste që ai përpiqet ta prishë murin e përbashkët, sepse ka
një shpirt të pabesë me aromë kalbëzimi. Një shpirt i tillë nuk
përcjell respekt për të tjerët e midis të tjerëve, biles për të nuk
egziston dhe nuk duhet të egzistojë edhe mendimi ndryshe, aq më tepër të
kuptojë se kur respektohet mendimi ndryshe edhe bashkimi është më i
fortë. E thënë më gjërë, një shpirt i tillë nuk pranon ndryshimin dhe
ndryshueshmërinë, domethënë harmoninë, dhe si rrjedhim nuk pranon
përparimin, madje e urren atë.
Njeriu në turmë
kthehet pa e kuptuar në një narcist. Si i tillë ai kërkon me këmbëngulje
në turmë vetëm pasqyrime të vetvetes; të tjerët janë njësoj për të,
duhet të jenë kështu ose përndryshe të shndërrohen në të tillë.
Pëlqyeshmëria për vetveten duke parë dhe prekur vetveten nga të gjitha
anët e në tërë turmën është e pakufijshme. Ndërsa narcistit të
lashtësisë i duhej të qëndronte tërë ditën mbi një pellg të vogël me ujë
të patrazuar për të parë vetëm vetveten e pasqyruar me qëllim që t’i
avullonte kënaqësinë e pëlqyeshmërisë së vetvetes, për narcistin e
turmës pasqyra e vetvetes shtrihet në të katër anët e pafundme për sa
kohë që egziston turma e tij. Si e tillë kjo pasqyrë e nderë bëhet
njëkohësisht mjaft e brishtë, lehtësisht e thyeshme dhe e thërmueshme
nga çasti në çast për shkak të madhësisë e shtrirjes së saj. Një
kënaqësi e tillë e dhënë nga një pasqyrë e pafundme nuk mund të lëshohet
apo të harrohet. Për ta ruajtur këtë gjendje, mjetet e vetme të
narcistit të turmes janë: vigjilenca, cmira, urrejtja dhe dhuna ndaj çdo
drithërime të sipërfaqes së pasqyrës ujore, ndaj çdo tingulli sadopak
të ndryshëm të dëgjuar, ndaj çdo njëshi tjetër në turmë dhe ndaj çdo
ndryshimi që shfaq ky njësh. Në mënyrë të veçantë, narcisti i turmës
hidhërohet thellë dhe mbushet me dëshpërim e urrejtje kur vëren ndonjë
të mirë që i shkon apo i ndodh tjetrit. Për të, njëshat e tjerë në turmë
nuk e meritojnë dhe nuk duhet t’iu ndodhin të mira. Ay i përqesh të
tjerët kur shprehen e shfaqen ndryshe, i pengon ato të ndryshojnë dhe të
përparojnë. Për të, vetëm sundimtari i turmës, idhulli i tij, vetvetja e
tij e dëshiruar, meriton të mira, prarim, vezullim e lartësi.
Një
shpirt i tillë i jep vlerë vetëm të qënit mundues për të tjerët, i jep
vlerë vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, i jep vlerë vetes duke
përdhosur vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të shoqërisë që i
përket. Një shpirt i tillë njeh vetëm lirinë e tij të egërt e të
pakufishme. Ay është shpirtërisht pjesmarrës në krimin apo tradhëtinë që
sundimtari (Mbinjëshi) i tij kryen. Ai nuk arsyeton për këtë dhe nuk e
arsyeton mbinjëshin e tij, sepse ay vetë është sundimtari i ëndërruar pa
qenë sundimtar. Ai dallon vetëm të drejta për veten e tij; për të
egziston vetëm liria e tij dhe jo e të tjerëve. Biles, kur mbaron ai
duhet të mbarojnë edhe të tjerët. Një shpirt i tillë është i pangopur, i
pakënaqur, i paqetë dhe rrjedhimisht mizor për të mbajtur gjallë
pangopshmërinë e tij. Ai vetmendon se është i pagabueshëm, i
pacënueshëm, me të drejta absolute e liri të pakufijshme. Ai nuk mban
dhe nuk ndjen përgjegjësi për veten dhe të tjerët; një shpirt i tillë
është, bie fjala, një Ali Pashë Tepelenë. Një shpirt i tillë synon që
çdo gjë me vlerë të jetë brenda derës së tij, ai dëshiron dhe përpiqet
të ndërtojë vetëm ishullin e tij, kullën e tij me frëngji. Atij nuk i
intereson ambjenti përreth dhe madje ai e sheh me armiqësi këtë ambjent,
sepse atij nuk i interesojnë gjërat e përbashkëta. Një shpirti të tillë
i pëlqen të ndërtojë ishullin e tij të thepisur; ai ngazëllehet kur
prish urat lidhëse dhe pret telat ndërlidhëse për të ndërtuar garth
përrreth vetes së tij. Atij nuk i pëlqen bashkëjetesa paqësore, sepse ai
nuk respekton tjetrin dhe pjesën e tjetrit, ai është një fqinj i keq,
ai urren dhe i erren sytë për çdo ndryshim të vënë re tek “të barabartët
e tij”. Dhe njëkohësisht, ai vrojton se ç’bëjnë të tjerët për të bërë
të njëjtën gjë, për të mos ngelur mbrapa emocionalisht.
Njeriu
i turmës nuk rri dot pa e parë dhe dëgjuar papushim e kudo figurën e
mbinjëshit të tij. Figura e stampuar e mbinjëshit të tij mishëron
pasqyrimin e vetetes për njëshin e vocërr dhe si e tillë tek kjo figurë
ai gjen kënaqësinë dhe dehjen më të madhe për veten e vet; kjo është
ëmbëlsia për shpirtin e tij të idhtuar. Karrikja dhe bëmat e
sipërnjëshit i krijojnë njëshit të vocërr një rrymë të atillë jehonash
saqë pa atë rrymë as makina njësh nuk punon e as njëshi nuk ndjen
vetveten. Njeriu në turmë kthehet në vogëlinë e fëmijërisë e tij kur
ëndërronte të ishte i madh, mbinjësh i frikshëm, dhe papërgjegjshmëria
fëminore i jepte shijen e kënaqësisë pakufi. Prandaj, besimi i tij shkon
andej nga fryn era, andej nga burojnë valët e tingujt që e mbajnë të
vogël atë, andej nga shfryn sundimtari i turmës, andej nga është kahu i
fuqisë së turmës. Turma kërkon njerëz të vegjël, grimca rëre, që të
prodhojë furtunë. Si një vocërrak, ai gjykon vetëm duke thërritur për
ndihmë paragjykimet e paharrueshme të vogëlisë. Duke përfytyruar, ai e
kthen veten mbrapa në kohë dhe emocionalisht mburret me këtë. Kështu, me
dashje e pa dashje, ai e shuan zgjuarsinë e tij, bëhet i paaftë të
dallojë dhe kuptojë të vërtetën, e ul veten aq poshtë sa të mos njohë
rrotën dhe të mos dijë sa bëjnë 1+1-1; dhe shpejt e shpesh bën keq dhe
gabime. Njeriu në turmë e ka të pamundur të kujtojë apo vrojtojë
vetveten, e si rrjedhim ai e ka të pamundur të kujtojë apo t'i lidhë
veprimet e ndodhitë e shkuara. Kujtesa e njeriut në turmë është e
çastit, tepër e shkurtër. Ai kujton vetëm çfar dëshiron në çast të
kujtojë ose çfar i shkon për shtat shpresave dhe frikave të tij.
Njeriu
në turmë arsyeton mbi bazën e vetarësyes së shtypur të njëshit.
Domethënë, ai kërkon njësha për mendjen e tij të ngathët, sepse ai e ka
frikë njëshin, mundimtarin e mundshëm të tij, dhe mendon se edhe ai
njësh e ka frikë atë për të njëjtën arësye. Ay është një sundimtar i
gurosur, sepse vetëm kështu mund të jetë njësh, dhe si i tillë nuk
pranon të dallohen njësha të tjerë në turmë. Kur ia dënojnë të këqijat,
ai kërkon vetëm njësha, sepse me dashje ose padashje nuk e kupton se pse
i sulen. Një shpirti të tillë nuk i intereson bashkëpunimi dhe
harmonia, atij i intereson vetëm mbinjëshi që ta sundojë në shpirt.
Pavarësisht sa larg është, ai gjithmonë vigjëlon që mbinjëshi,
sundimtari i tij me të cilin i mburret vetvetes, të mos cënohet, të mos
iki, të jetë i përjetshëm e i paprekshëm, i gurosur, i lartë deri në
qiell, sepse vetëm kështu ai mund të ngrejë sytë lart. Urrejtja e bën
atë gjithmonë gati të bashkohet me shpirtra të tjerë të tillë për t’iu
sulur mizorisht “të barabartëve të tij”, për t’i plaçkitur e përdhosur
ato, për t’i tradhëtuar ato, sa herë i del rasti apo dëgjon se mbinjëshi
iu kërkon një gjë të tillë. Lëvizja barazitiste (komuniste, e thënë jo
shqip) në Shqipëri mori përmasa epidemike gjatë Luftës II Botërorë,
sepse njerëzia u josh nëpërmjet thënies “Ngrihuni t’iu biem atyre që
janë ndryshe dhe t’iua marrim atë çfar kanë”.
Njeriu
në turmë nuk ka forcë shpirtërore dhe gjithnjë bëhet akoma edhe më i pa
aftë të pyesë apo të gjykojë vetveten, të shkëputet prej kthetrave të
brendshme, të shmangë varësinë nga të tjerët, të mos përjashtojë
vetveten, të përdorë ndonjë dritëz kuptimi prej vetvetes; të ketë
kureshtje kush është, nga vjen e ku shkon dhe pse. Njeriu në turmë është
një askush. Ai mendon sipas modës së turmës, sipas propagandës zyrtare
shtetërore apo botërore, dhe përqesh çdo gjë që është ndryshe nga ajo
modë. Njeriu në turmë i ngjan një cifle hekuri të cilën vetëm fusha
magnetike e mbinjëshit e mban drejt, të ngritur lart. Pa këtë fushë
magnetike jetike, ai bie përdhe e shkon me pluhurin. Prandaj njeriu në
turmë guroset pas mbinjëshit dhe shndërrohet në fanatik, domethënë ai e
ka të pamundur të ndryshojë mendjen dhe përmbajtjen. Një njeri me shpirt
të tillë është qenie emocionale, nervore, një tifoz, një spiun, një
madhni që përgjërohet për naltmadhninë e tij. Ay qëndron në turmë për
shkak të urrejtjes që ka ndaj të tjerëve, ndaj atyre që njeh apo ndaj
fqinjit. Mbinjëshi është shpirti i tij, emocioni dhe kënaqësia e tij,
sepse prej hyjniut mbinjësh dhe urrejtjes që ai mbjell egziston turma ku
mund të bëjë pjesë. Urrejtja dhe pickimi i emocioneve që i shërbejnë
kësaj urrejtje janë ato që e mbajnë turmën bashkë, sepse tek mbinjëshi
ai gjen urrejtjen e dëshiruar dhe pickimin e nevojshëm të emocioneve. Pa
këtë pickim emocionesh njeriu i turmës nuk do ta ndjente vetveten, nuk
do ndjehej mirë, dhe do idhtohej duke u rropatur deri sa të gjente një
turmë ku helmi i mbinjëshit t’i ëmbëltonte emocionet. Turma e tij është
bota e tij, e kuptimtë për të egzistuar, në brigjet e së cilës përplasen
botë (turma) të tjera, të huaja dhe armiqësore.
Njerëzit
në turmë janë të egër e të dhunshëm. Shpirti i tyre dhunon dhe kërkon
të dhunohet. Me fjalë të tjera shpirti i tyre është i skllavëruar.
Skllavërimi i është bërë karakter, zakon, kërkesë, dëshirë dhe mënyrë të
jetuari. Njeriu në turmë shndërrohet në një skllav me dashje; ai nuk
rron dot pa vuajtur. Ai nuk ka nevojë më për zinxhirë që ta mbajnë të
tillë, ashtu si fizikisht. Sa më shumë koha kalon, aq më shumë ai e
adhuron skllavërinë e tij dhe aq më shumë krenohet me të. Meqenëse ky
shpirt nuk pranon e respekton ndryshim tek “të barabartët” e mendjes së
tij dhe ndërkohë kërkon të dhunohet, atëhere këtë dhunim e skllavërim e
kërkon, e gjen si zgjidhje, dhe e pret vetëm nga sundimtari i pashpirt i
turmës. Domethënë, e kërkon këtë nga idhuli i tij, nga i dëshiruari i
shpirtit të tij. Meqenëse ky shpirt i egër është i pasjellshëm ndaj “të
barabartëve të tij”, meqenëse ky shpirt nuk pranon të renë dhe
ndryshimin e harmonishëm tek “të barabartët e tij”, ai ka vetëm një
shtysë mendimi: skllavërimin, dhe vetëm një gjuhë veprimi: dhunën.
Egërsia i shkakton dhimbje therëse në shpirt kur sheh harmoni në rrethin
e “të barabartëve të tij”. Vetëm dhuna e më të fortit, e më mizorit, e
më të egrit, e më të poshtrit, e atij që ka të drejtë të dhunojë e
përdhosë të tjerët, e sundimtarit të turmës, mund t’ia fashitë dhimbjen e
instikteve të egra të tij. Vetëm kjo dhunë madhore, vetëm ky sundimtar
turme me të vetmen të drejtë fjale e veprimi, mund t’ia shtypë egërsinë,
shkaktaren e dhimbjes, t’ia qetësojë shpirtin e tij dhe t’ia dehë
emocionet. Ky shpirt nuk e kupton dhe nuk e kërkon mëvetësinë,
ndryshimin në lidhje me të tjerët. Më e shumta që dëshiron ky shpirt
është të bëhët një vasal mizor. Edhe kur e shtyjnë në liri të
përkufizuar për të gjithë, ai nuk mund të shkëputet nga e kaluara e
skllavërimit dhe dhunimit mbi të. Liria për të është dhuna, rasti për të
shfryrë egërsinë e emocioneve të tij. Ai po me dhunë kërkon të kthehet
në skllavërinë e shkuar, me të njëjtat kushte e mundësisht me të njëjtin
sundimtar mizor për turmën. Shpirti i tij qan papushim për egërsinë e
sundimtarit të shkuar. Shpirti i tij i idhnuar psherëtin për mungesën e
munduesit të tij të egër, humbjen e të cilit e ndjen shumë herë më të
madhe se humbjen e vetvetes apo “të barabartëve të tij”. Ai dëshiron
gjithmonë që munduesi të ringjallet dhe shpreson në këtë.
Njeriu
në turmë shndërrohet në një makinë dhe si e tillë ai nuk e njeh dhe nuk
mundet ta njohë vetveten. Ashtu si makina, ai bëhet i papërgjegjshëm
për veprimet e tija dhe as dëshiron e as kërkon të dijë apo të kuptojë.
Kështu ai shndërrohet në një njeri mekanik me të cilin çdo gjë ndodh.
Duke qenë se skllavërimi shoqëror mbështetet mbi frikën, sundimtari i
turmës ia ushqen papushim asaj frikën dhe mospëlqyeshmërinë për çdo gjë
ndryshe, të re apo të panjohur. Makinat janë të verbëra dhe të
pavetëdijshme; ato s'mund të jenë ndryshe dhe veprimet e tyre duhet t'i
përgjigjen natyrës së tyre. Njeriu në turmë, njeriu mekanik, i plotëson
këto veti të makinës. Si i tillë, ai nuk është njeri i lirë. Që të
çlirohet atij i nevojitet së pari të fitojë lirinë e brendshme, të
vetëdijshme, të ndërgjegjes dhe mëvetësisë së tij shpirtërore.
Përndryshe ai ngec i skllavëruar shpirtërisht sepse ai, para së
gjithash, as nuk e njeh dhe as nuk e kupton vetveten e tij. Prandaj
njeriu në turmë e humb dhe nuk e kujton vetveten, sepse ai edhe jeton e
vepron duke qenë në gjumë të thellë ndonëse me sytë hapur edhe nuk bën
përpjekjet e duhura për t'u zgjuar.
ASKUSHMËRIA është
një ndjenjë e skajshme shoqërore që në situatë paniku e fut njeriun në
ankth dërrmues dhe e zvetnon. Nën ndrydhjen e skajshme të shpirtit të
tij, nën hutimin dhe kotësinë që pëson shpirti i tij, nën zhvleftësimin e
historisë në mendjen e tij, i dalldisur nga paarsyeshmëria, fillon të
ndriçojë në shpirtin e tij të tymosur një flakë pishe e zbehtë në
degëzën e askushmërisë. Askushmëria bëhet për të frymëmarrje, liri dhe
shkak veprimi. Ai bëhet kështu një makinë që nuk ka fillim e qëllim
rruge, një makinë pa busull, që përpiqet të ngahet dhe po qe e nevojshme
mund të marrë një kthesë e të ecë për aq sa i kërkojnë shërbim. Duke
harruar me dashje ose pa dashje, ai humb vetveten dhe fshin nga mendja
vlerat dhe historinë në origjinën e tij, rrënjët. Ai nuk e dallon më
tjetrin. Ndërkohë ai kërkon të mbushet me vlera të reja, por nuk arrin
të kuptojë se ato janë të pathemelta tek ai, janë si gjethet të cilat
zverdhen dhe nuk dihet se ku i flak era.
Ashtu si
natyra nga ku ka lindur, shoqëria njerëzore përmban në vetvete
ndryshueshmëri. Domethënë, njerëzit ndryshojnë nga pamja, mendimi,
gjatësia, vendlindja, dëshirat, kënaqësitë, aftësitë, dituritë dhe biles
brenda një grupi shoqëror (kombi) ka ndryshime në të folurat vendore e
në veshje. Përtej kombit, ndryshimet shtohen në tiparet e jashtme,
ngjyra e lëkurës, gjuha, etj. Grupet shoqërore (kombet) dhe nëngrupet
shoqërore (brenda një kombi) kanë edhe gjëra të ngjashme dhe të
përbashkëta, por nuk kanë gjëra të barabarta. Nëse respektohet natyra,
duke përfshirë edhe shoqërinë e larmishme njerëzore, atëhere jeta është e
paqshme. Në të kundërt, përpjekjet për të krijuar fantazma barazie
përbëjnë dhe prodhojnë krime njerëzore dhe natyrore. Në rastin e
Shqipërisë zyrtare, për gjysëm shekulli u edukua dhunshëm me qëllim dhe
me absolutizëm fantazma e barazitizmit shoqëror dhe ndërkombëtar, aq sa u
kërkuan “vëllezër” edhe në xhunglat e Amazonës e tundrat e Azisë.
Njerëzit u bashkëmblodhën dhunshëm mendërisht dhe fizikisht. U punua për
të krijuar të ashtëquajturin “njeriu i ri”, domethënë askushin e
dëshiruar të barabartë e të edukuar me shpirtin e turmës.
Për
askushin e mirë është askushmëria dhe e keqe është çdo gjë tjetër e
arsyeshme, jo-paemër dhe me formë e përmbajtje të qartë. Askushi nuk di
as çfar, pse e kë të emërojë dhe as pse është emëruar; ai pret urdhër
nga mbinjëshi për të zbatuar një ligj që është urdhëri vetë. Ai nuk di
pse është në një detyrë zyrtare dhe çfar do të thotë ai emërim, çfar
pritet e duhet të bëjë, çfar të thotë e çfar të kërkojë. Ai është një
vjedhës pune, vendi pune dhe vote. Ai nuk e di ç’është e çfar përfaqson
kombi e flamuri kombëtar ose çfar duhet të bëjë për festën kombëtare,
çfar flamuri duhet të mbajë, çfar të bëjë që ai flamur të mos jetë
thjesht një copë lecke me ngjyra, etj. Ay shndërrohet në spiun,
tradhëtar, vjedhës i vetvetes dhe brejtës apo shkatërrues i të tijëve.
Askushmëria shpesh e vozit askushin në veprime tradhëtie, sepse për të
qenë një njësh dikushi, një sundimtar i përmalluar, ai i hyn rrugës së
krimit dhe bashkëpunimit me armiqtë. Ai vetëm keq sheh, uron apo
dëshiron, sepse ai vetë është keq dhe të keqen ka si pikë krahasimi. Ai
flet për gjëra të parësyeshme e të pakuptueshme dhe biles ai nuk dallon
ngjyrimet.
TË MENDUARIT TURMOR DHE ASKUSHMËRIA të
para veçan dhe të veçuara për njeriun e veçuar nuk përbëjnë rrezik për
shoqërinë. Por meqenëse shpirti i askushmërisë lind prej shpirtit të
turmës dhe ndërthuret mjaft me të, atëhere kur shpirti i turmës dhe i
askushëmrisë bëhen tipare shoqërore të përhapura dhe të njëkohshme,
atëhëre ai grup shoqëror është në rrezikun e madh të mashtrimit dhe
vetshkatërrimit. Rreziku bëhet akoma më i madh dhe pësimi prej tij më i
shpejtë kur armiqtë e këtij grupi shoqëror ia njohin atij këtë shpirt
dhe përkujdesen t’ia forcojnë pikërisht këto dy tipare shoqërore. Në
këtë rast, pasoja është e paqartë për çastin por e qartë pas një
periudhe të gjatë kohe. Si rrjedhim, ai grup shoqëror vetshkatërrohet,
humbet vlera njerzore, shpirtërore, kulturore dhe materiale, ose në
rastin më të mirë vazhdon të përtiqet në kufinjtë e mbijetesës duke
ngelur i prapambetur, i vetpenguar në përparim dhe i paqetësuar. Ngulmi i
këtyre dy mendësive i mban njeriut ndezur ëndërrën e barazitizmit dhe
si rrjedhim ai cënon dhunshëm gjërat që s’i përkasin ose që janë të
ndryshme nga ëndërrimi i tij.
Veç shpirtligëve,
njerëzit që janë në detyra zyrtare dhe i përmbajnë në vetvete të dy këto
mendësi bëhen shumë dëmtues për shoqërinë gjatë marrjes së vendimeve.
Biles, ato zhyten në krime dhe tradhëti nga të cilat nuk dalin dot dhe
njëkohësisht kujdestarët e tyre nuk i lenë të dalin por i zhytin akoma
më shumë. Njerëz të tillë bëhen kukulla qeverisëse dhe nga veprimet apo
goja e tyre mund të dëgjohen gjërat më të paarësyeshme. Me njerëz të
tillë në pozita shtetërore, veprimtaria armiqsore e huaj, sidomos ajo e
fshehta, ka fushë të lirë veprimi dhe pasoja të dhimshme për vendin.
Historia shqiptare vazhdon ta japë këtë mësim. Ato njerëz që thonë se
nuk ka armik, ose e thonë këtë nga mungesa e zgjuarsisë së tyre, ose e
thonë këtë nga vetvetja për shkaqe emocionale dhe qëllime të ngushta
vetjake apo përfitimi, ose iu është thënë nga armiqtë ta thonë këtë gjë
(duke e ditur ose duke mos e kuptuar këtë); ose shtyhen ta thonë këtë jo
nga një shkak i përmendur më sipër. Shteti i Shqipërisë zyrtare u
shpartallua në fillim të vitit 1997 pikërisht prej humbjes së armikut
(një shembull i askushmërisë) dhe veprimit të frymëzuar nga mendësia e
turmës.
Të dyja këto mendësi ushqejnë njëra-tjetrën
dhe përcaktojnë sjelljen shoqërore të njeriut, e cila do të thotë para
së gjithash si sillet njeriu ndaj shoqërisë dhe çfar ka bërë për të.
Egzistenca dhe nxitja e tyre nga ato që i duan të keqen shqiptarëve i
rrisin mjaft pasojat negative mbi shoqërinë shqiptare, qetësimin,
bashkimin dhe përparimin e saj. Ndikimi negativ në shoqëri i të dyja
mendësive zvoglohet nëpërmjet ndriçimit të shpirtit me vlera dhe mendjes
me ide, shkollimit matematik dhe shkencor, edukimit të njeriut si e pse
të përdorë arësyen, edukimit kombëtar dhe atij bashkësor. Të gjitha
këto kanë qëllim përparimin dhe përkufizimin e mirësjelljes shoqërore
ndaj vetvetes, të tjerëve dhe ambjentit në rrugën drejt një shoqërie të
udhërrëfyer prej arësyes dhe urtësisë, domethënë drejt një shoqërie që i
përket e vërteta dhe që e sheh atë nëpërmjet arësyes. Pra çeshtja
shtrohet: të dihen të metat e mendësisë shoqërore dhe të kundërveprohet
butësisht për largimin e tyre, apo të mos dihen por t’i dijnë armiqtë
dhe të veprohet egërsisht për thellimin e tyre. Meqenëse përmirësimi
paraprak fillon tek vetë njeriu, fillimi i largimit të këtyre dy
mendësive në çdo rast është shumë i thjeshtë: njeriu nevojitet të mos
mendojë e të mos flasë me NE. Kështu ai do të fillojë të zgjohet, të
kujtojë vetveten, të shkuarën e rrjedhimisht të ardhmen, dhe do të
fillojë të egzistojë sepse do të fillojë të mendojë.
Etichette
HISTORI
PSIKOLOGJI
LETERSI SHQIPE
SHKENCA POLITIKE
BIOLOGJI
QYTETARI
SOCIOLOGJI
DREJTESI
ESE ARGUMENTUESE
JURIDIK
PEDAGOGJI
GJEOGRAFI
EDUKATE SHOQERORE
DIDAKTIKE
BAZAT E FINANCES
SHKRIM AKADEMIK
FINANC BANK
LETERSI BOTRORE
GJUHE SHQIPE
MATEMATIKE
HISTORI SHQIPRIE
SHKENCA JURIDIKE
ANALIZE VEPRASH
EDUKIM
FIZIKE
PSIKOLOGJI EDUKIMI
ESE UNIVERSITETI
POEZI
MENAXHIM FINANCIAR
MJEKESI
KIMI
PARAPSIKOLOGJIA
EKONOMI
INFORMATIKA
ESE LETRARE
MENAXHIM BIZNESI
NJOHURI PER MEDIANIAN
TRASHGIMI KULTURORE
Anatomi
ESE FILOZOFIKE
GAZETARI
INFERMJERI
MENAXHIM TURIZEM
SHKENC TOKE
E DREJTA NDERKOMBETARE PUBLIKE
HISTORI BOTRORE
POLITIKAT E SIGURIS KOMBETARE
E DREJTA E PRONES
Histori e Mendimit Politik
ALL POST
AUDITIM BANKAR
BAZAT E DEMOKRACISE DHE TE DREJTAT E NJERIUT
ESE SHKENCORE
FILOZOFI
HISTORI ARTI
HISTORI E EKONOMIS SHQIPTARE
LETERSI
MENAXHIM NDERTIMI
MIKROEKONOMI
POEMA
PSIKOLOGJI REHABILITIMI
BJOLOGJI
EDREJTA E MJEDISIT
FJALE TE URTA
LEKSIONE AUDITIM
MARDHENIA ME PUBLIKUN
MASTER SHKENCOR
Marrëdhënie Ndërkombëtare
PSIKOLOGJI KESHILLIMI
PSIKOLOGJI SHKOLLE
SINTAKS
TEORI E MARDHENIEVE NDERKOMBETARE
ANGLISHT
EDUKIM MUZIKORE
ESE ANGLISHT
ESE INFORMUESE
GJUHE
INFERMIERI
KERKIM SHKENCOR
METODAT E EDUKIMIT EMPIRIK
METODIKE ARITMETIKE
PSIKOLOGJI ZHVILLIMI
TEKNOLOGJI INFORMACIONI
TRASHGIMI KULTURORE EUROPIANE
APLIKIM KOMPJUTERIK
BUJQESI
ESE HISTORIKE
ETIKA E TE USHQYERIT
GUIDE TURISTIKE
HIGJENE
HYRJE NE PSIKOLOGJI
INFORMATIK
ISMAIL KADARE
LETERSI PER FEMIJE
MENAXHIM KLASE
MESIMDHENIE
ORGANET E MARDHENIEVE NDERKOMBETARE
PSIKOTERAPI
SOCIOLOGJI EDUKIMI
pyetjet e Licences
ANALIZE sHARL BODLER
Dituri natyre
E DREJTA KUSHTETUESA
EDUKIM FIZIK
EDUKIM PER KARRIER
KSHILLA SHTATZANIE
LIBRA LEXO-SHKARIKO
LOGJIKE
MATURA SHTETERORE
MBROJTJE DOKTORRATURE
MIGJENI
MUZIKE
POLITIK ARSIMORE
POLITIKA NE BE
PSIKOLOGJI E ZBATUAR NE MESIMDHENIE
RECENSION
TEME DIPLOME
hist
Post più popolari
-
ESE: Atdheu Im Atdhe, nje fjale qe menjehere te sjell ndermend vendlindjen tone te bukur. Per ne shqiptaret atdheu eshte shume i rende...
-
Ese letrare : Deshira ime Deshira ime . . Siç dihet çdo njeri ka dëshira. Një prej tyre jam edhe unë. Por kur bëhet fjalë vetëm për ...
-
Kafshet ne rrezik zhdukje neShqiperi Kafshët e rralla në vendin tonë prej disa vitesh janë rrezikuar të pakësohen si pasojë e dë...
-
“ I HUAJI ROMAN I MASËS APO I LEXUESIT TË SPECIALIZUAR” Hyrje Çfarë ndikimi ka tek ne si qenie njerezore ky roman?Albert Kamy...
-
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL ANALIZE LETRARE: KENGET E MILOSAOS - JERONIM DE RADA [ANALIZE LETRARE] KËNGA XX Poemat epiko...
-
Grupi i shtatëmbëdhjetë i elementeve kimike Ky grup përbehet nga këto elemente : Fluori Klori Bromi Jodi ...
-
Ç’fare eshte Organizimi i Komunitetit? Qëllimi kryesor i organizimit në komunitet, është të ndihmojë njerëzit të identifikojnë ne...
-
MBIERMRI Mbiemër quhet ajo pjesë e ndryshueshme e ligjeratës që emërton një tipa, cilësi të një frymori a të një sen...
-
Tema: Gjakmarrja Nje pellumb I bardhe fluturon ne qiellin me ngjyren e syve te sapo-qare, te vuajtur deri ne skuqje. Pershkon hapesir...