Nëse jemi të ndershëm me vetveten, besoj se problemi më tërheqës që mund
të shtrojmë është: “Kush jam unë?”. Çfarë kemi parasysh dhe çfarë
ndjejmë kur themi fjalën “Unë”? Nuk besoj se mund të ketë një perceptim
më joshës se ky, kaq i pakapshëm dhe i fshehtë. Ajo që je në brendësi të
qënies tënde i shpëton vëzhgimit, në të njejtën mënyrë siç nuk mund ta
shohësh veten drejtpërdrejt në sy pa ndihmën e pasqyrës. Ja pse egziston
gjithmonë një element i thellë misteri në pyetjen: “Kush jemi ne?”. Kjo
pyetje më ka tërhequr për shumë vite. Kam pyetur shumë persona: “Çfarë
ke parasysh me fjalën ‘unë’?”. Kam vënë re se egziston
një farë
marrëveshje rreth kësaj përgjigjeje, mbi të gjitha mes njerëzve që u
përkasin qytetërimit perëndimor: Simbas përkufizimit tim, kemi një
konceptim të vetvetes si “uni i ndërfutur brënda lëkurës”. Është e
çuditshme mënyra sesi e përdorim fjalën “unë”. Në një bisedë të
zakonshme, ne nuk themi: “Unë jam një trup”. Në fakt themi: ”Unë kam një
trup”. Nuk deklarojmë: “Unë e bëj të rrahë zemrën time”, në të njejtën
mënyrë siç themi: “Unë ec, unë mendoj, unë flas”. Ndjejmë se zemra rreh
vetë e nuk ka të bëjë fare me unin. Me fjalë të tjera, nuk e
konsiderojmë unin- vetvete si të përputhshëm me organizmin tonë fizik.
Pjesa më e madhe e perëndimorëve e kupton unin brënda kokës, diku mes
syve e veshëve, teksa e tërë pjesa tjetër e jona rri e varur nga kjo
pikë referimi. Në kultura të tjera nuk është kështu.
Kur
një japonez apo kinez duan të lokalizojnë qendrën e vetes, i pari e
quan kokoro dhe i dyti e quan shin: zemër-mendje. Disa persona e
vendosin unin e tyre në strukturën diellore (formacion anatomik në formë
rrjete), por në përgjithësi e përfytyrojmë mbrapa syve e diku mes
veshëve. A thua se në brendësi të zonës së epërme të kafkës të ishte një
lloj qendre që i ngjan shtabit të përgjithshëm të Aereonautikës në
Denver, ku funksionarët ulen në mjedise të gjera, të rrethuar nga
ekrane, radarë e gjithfarë ekranesh, dhe kontrollojnë lëvizjet e
avionëve në tërë botën. Në të njejtën mënyrë ne e konceptojmë veten tonë
si një person i vogël në brendësi të kokës sonë, që mban kufje dëgjimi
për të marrë mesazhet nga veshët, që ka një televizor përpara vetes për
të marrë mesazhet nga sytë, e që është i mbushur në trup plot me
elektroda të çdolloj tipi të cilat dërgojnë mesazhe nga duart e kështu
me radhë. Ky person gjendet mbas një paneli të mbushur me pulsantë
kuadrantë, etj, e në këtë mënyrë, arrin pak a shumë ta kontrollojë
trupin.
Gjithsesi në tërë mënyrën tonë të të
menduarit është ideja se jemi një shpirt, një lloj esence shpirtërore e
burgosur brënda trupit. Për rrjedhojë ndjejmë nevojën e të përballurit
me realitetin, e të përballurit me ngjarjet. Le të themi se kemi ardhur
në këtë botë dhe jemi rritur me ndjesinë e të qënit një ishull
vetëdijeje i mbyllur në një thes lëkure. Jashtë shohim një realitet që
na është thellësisht i huaj, në kuptimin se ajo që është jashtë “meje”
nuk është unë. Ky fakt krijon një ndjesi themelore armiqësie dhe
tëhuajësimi mes nesh e së ashtuquajturës botë e jashtme. Pra vijojmë të
flasim për pushtimin e natyrës, pushtimin e hapësirës, dhe e shohim
veten tonë si të rreshtuar në një betejë për t’iu kundërvënë gjithçkaje
që përfaqëson atë që është e ndryshme prej nesh. Është absolutisht
absurde të themi se kemi hyrë në këtë botë. Nuk është kështu: në të
vërtetë ne kemi dalë! Çfarë ju thotë mendja se jini? Japim një shembull:
supozoni se bota është një pemë. Mos jeni një gjethe nga degët e saj,
apo një turmë zogjsh që kanë ardhur prej diku për t’u vendosur mbi një
pemë të vjetër e të tharë? Çdo gjë që njohim mbi organizmat e gjallë,
nga pikëpamja shkencore, na tregon se ne “rritemi jashtë” kësaj bote,
secili prej nesh e ajo që mund të përkufizohet një simptomë e gjendjes
së universit në terësinë e saj. Gjithsesi, ky mendim nuk bën pjesë në të
kuptuarët tonë të zakonshëm.
Për shumë shekuj njeriu
perendimor ka qenë nën ndikimin e dy miteve të mëdha. Kur përdor termin
‘mit’ nuk synoj të them detyrimisht ‘fallso’. Fjala mit përfton një ide
të madhe në hapësirën e së cilës njeriu mundohet të zbulojë domethënien
e botës; mund të jetë një koncept, ose një imazh. I pari i këtyre dy
imazheve që e kanë ndikuar thellësisht Perëndimin e konceprin e botës si
‘prodhim’, pak a shumë si vazoja e bërë nga poçari. E, në fakt, në
Librin e Gjenezës është ideja që në origjinë njeriu ishte një figurë
prej dheu e prodhuar nga Zoti, i Cili fryu përmbi të duke i dhënë jetë.
Tërë mendimi i Perëndimit është thellësisht i ndikuar nga ideja që çdo
gjë (çdo ngjarje, çdo qënie njerëzore, çdo mal, çdo yll, çdo lule, çdo
karkalec, çdo krimb) është nga natyra një ‘prodhim’: është fabrikuar.
Kësisoj është e natyrshme që një fëmijë perëndimor ta pyesë të ëmën: “Si
kam lindur unë?”. Në të kundërt, kjo do të ishte një pyetje anormale
për një fëmijë kinez, sepse kinezët nuk besojnë që natyra është një
bashkësi objektesh të fabrikuara.
Gjithsesi, mbas
tërë procesit tonë të mendimit perendimor është ideja se bota është
ndërtuar prej gjërash të bashkuara nga një arkitekt qiellor, një
zdrukthëtar, një artist që, pikërisht ngaqë e ka krijuar, e di edhe sesi
është bërë. Kur isha i vogël i bëja nënës sime shumë pyetje, të cilave e
gjora nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej. Atëherë zhytej në dëshpërim,
e më thoshte: “I dashuri im, ka gjëra që nuk na është dhënë t’i
njohim”. E unë këmbëngulja: “Por a do ta gjejmë ndonjë ditë
përgjigjen?”. “Po,” më sqaronte ajo, “kur të vdesim e të shkojmë në
qiell, gjithçka do të na bëhet e qartë.” Kështu, isha i bindur se gjatë
mbasditeve me shi, në parajsë, do të uleshim përreth Fronit të Mëshirës e
do mund ta pyesim Zotin: “Atëherë, na sqaro më në fund përse e ke
krijuar botën në këtë mënyrë, e si ke mundur ta bësh këtë tjetrën”, dhe
Ai do të sqaronte e do na e bënte të kuptueshme gjithçka. Çdo pyetje do
të kishte një përgjigje, sepse e kemi mësuar nga teologjia popullore se,
Zoti është mëndja e madhe e gjithëdijshme. Nëse do ta pyesje Zotin për
lartësinë e saktë të Mount Whitney, deri në milimetrin e fundit, Ai
natyrisht do ta dinte dhe do të na e thoshte. Do mund t’i drejtoni
çdolloj pyetjeje, sepse Ai është Enciklopedia Britanike kozmike.
Gjithsesi, ky imazh i veçantë (ose mit) është bërë tepër i rënduar për
njeriun perëndimor: është ndrydhëse për ty, të mendosh se dihet gjithçka
për ty dhe se je përjetësisht i vëzhguar nga një gjykatës pafundësisht i
drejtë. Kam një mike, një katolike të konvertuar, shumë të ndriçuar: në
banjon e shtëpisë së saj ka një tub që lidh ujëlëshuesin me rezervuarin
e banjos, e ku është një pikturë e vogël e vënë në kornizë që paraqet
një sy. Poshtë, me gërma gotike është shkruar: “Zoti të shikon”. Ky sy
është gjithandej dhe sheh, sheh, sheh, duke të gjykuar, e ti nuk
ndjehesh asnjë çast me të vërtetë vetëm. Zotëria plak është duke ju
vëzhguar dhe duke mbajtur shënime në librin e tij të zi: një koncept i
tillë është bërë i padurueshëm për Perëndimin. Na është dashur të
çlirohemi. Kështu, në vend të tij kemi zhvilluar një tjetër mit: atë të
universit pastërtish mekanik. Ky mit është krijuar në fund të shek.
XVIII dhe është bërë gjithnjë e më në modë gjatë shekullit XIX dhe në
pjesën e mirë të shek. XX, duke përfunduar në ditët e sotme si diçka e
zakonshme. Sot pak persona besojnë me të vërtetë në një Zot të stilit të
vjetër. Thonë se besojnë, por edhe nëse shpresonin me të vërtetë se
egziston një Zot, nuk kanë realisht besim në Të. Dëshirojnë me ankth që
të mos egzistojë detyrimi i të të besuarit dhe ideja e një universi të
qeverisur nga zotëria i moçëm dhe i mrekullueshëm nuk u duket më e
duartrokitshme.
Përkundrazi është bërë modë, e asgjë
tjetër veçse modë, të besohet se universi është i pandjeshëm e që
inteligjenca, vlerat, dashuria dhe ndjenjat më delikate gjenden vetëm
brënda epidermës njerëzore; e që përtej kësaj egziston vetëm një farë
ndërveprimi kaotik dhe i marrë mes forcave të verbëra. Përshembull, falë
Sigmund Freud-it kemi mësuar konceptin që jeta biologjike është bazuar
mbi diçka të quajtur libido, një fjalë shumë mashtruese. Një libido e
tillë e verbër, e pamëshirshme, e paaftë për mirëkuptim, është parë si
baza e inkonshit njerëzor. Mendimtarë të shek. XIX si Charles Darwin e
Thomas H. Huxley ishin të bindur se në rrënjët e qënies egzistonte një
energji, e që kjo energji ishte e verbër. Energjia, thonin ata, është
thjesht energji, krejtësisht e absolutisht e marrë, dhe inteligjenca
jonë është incident i pafat. Për një trill të vëngërt të evolucionit
jemi bërë këto qënie të ndjeshme e racionale (ose më mirë të themi, pak a
shumë racionale); por e gjithë kjo është një gabim i tmerrshëm, sepse
gjendemi në një univers që nuk ka asgjë të përbashkët me ne. Nuk merr
pjesë në ndjenjat tona, nuk është me të vërtetë i interesuar për ne:
jemi vetëm një fat kozmik…
Duke folur në
përgjithësi, zotërojmë dy lloj vetëdijesh. Të parën po e quaj ‘far
drejtues’ dhe të dytën ‘dritë më rrezatim të gjerë’. Fari është vëmendja
e vetëdijshme, e qysh fëmijë na është thënë se përbën formën më të
çmuar të perceptimit. Kur mësuesi i thotë klasës: “Kini mëndjen!”, çdo
nxënës vështron kah mësuesi. Kjo është vetëdija ‘far’: fiksimi i mëndjes
mbi vetëm një objet të caktuar. Përqëndrohemi, e edhe pse nuk jemi në
gjendje ta ruajmë vëmendjen gjatë, përdorim “farin” tonë: i fokusojmë
objektet njërin mbas tjetrit, njërin mbas tjetrit… Gjithsesi kemi edhe
një vetëdije “me rrezatim të gjerë”. Përshembull, mund të grahim një
automobil për disa kilometra me një mik ulur pranë nesh, dhe vetëdija
jonë “far” mund të përthithet krejtësisht nga biseda me mikun. E
prapëseprapë vëmendja “me rrezatim të gjerë” e drejton automobilin, i
sheh tërë sinjalet rrugorë, idiotët e tjerë që po u grahin makinave e
kështu me radhë, dhe ne arrijmë në vendin e duhur shëndoshë e mirë, pa e
menduar fare.
Por kultura jonë na ka mësuar të
specializohemi në vetëdijen “far”, e të identifikohemi vetëm me të. “Unë
jam vetëdija ime far, vëmendja ime e vetëdijshme; pra egoja ime; pra
unë.” Sadoqë në masë të gjerë e injorojmë, “vetëdija me rrezatim të
gjerë” është pareshtur në veprim e çdo gjendje nervore që zotërojme
është instrument i saj. Mund të shkoni për të ngrënë drekë dhe ju qëllon
të uleni pranë zonjë Filan, mandej ktheheni në shtëpi dhe gruaja juaj
ju pyet: “A ishte edhe zonja Filan?”. “Po, isha ulur pranë saj.”. “Çfarë
kishte veshur?”. “Nuk e kam as idenë më të vogël.” Keni parë, por nuk
keni vënë re. Persona që, falë metodave të ndryshme, bëhen krejtësisht
të ndërgjegjshëm për vetëdijen e tyre me rrezatim të gjerë, mund të kenë
përvoja të ashtuquajtura “mistike”: budizmi e përkufizon bodhi,
‘rizgjim’; induistët e quajnë moksha, ‘çlirim’. Në këtë eksperiencë
zbulohet që e vërteta, Vetja e thellë, ajo që ju jeni me realisht,
thelbësisht e përgjithmonë, është qënia në plotninë e saj, gjithë
ç’është, ajo që vepron: ajo që jeni ju. Vetëm kjo Vete universale që
përbën realitetin tuaj të vërtetë, ka aftësinë e të fokusuarit në
këtu-e-tashti të shumta e të ndryshme. William James pohonte: “Fjala
“unë” është në të veërtetë një term që shpreh një koncept pozicioni, si
‘ky’ ose ‘këtu’. Tamam siç dielli e yjet kanë shumë rreze, kozmosi i
tërë shpreh vetveten në ty, në ju, në ne, në të gjitha variacionet e e
mundshme… Por ne harrojmë dhe nuk e dimë se kush jemi. Edukohemi në një
mënyrë të tillë sa nuk e dallojmë dot këtë lidhje, dhe injorojmë faktin
se secili prej nesh është vepra, loja e luajtur në njëfarë mënyre e për
njëfarë kohe. Kështu na kanë mësuar ta shohim vdekjen sikur ajo të ishte
fundi i një shfaqjeje që nuk do të përsëritet më. Jemi kushtëzuar për
të patur frikë nga gjithë çfarë sjell rrezikun e vdekjes: dhimbja,
sëmundja, vuajtja. Nëse nuk jeni me të vërtetë e gjallërisht të
vetëdijshëm për faktin se jeni “vepra”, ka gjasa të mos e provoni kurrë
gëzimin: jeni vetëm një fashë ankthi e përzierë me ndjenjën e fajit. Kur
lindin fëmijët, sillemi në mënyrë të tmerrshme me ta. Nuk u themi: “Si
je? Mirëseerdhe në rracën njerëzore. Duhet ta dish i dashur, se jemi
duke luajtur një lojë shumë të ndërlikuar: këto janë rregullat. Dua që
ti të kuptosh, që t’i mësosh kur të rritesh; mbase arrin deri dhe të
krijosh rregulla më të mira, por tashpërtash duhet të luash simbas
rregullave tona”. Në vend që të jemi të drejtpërdrejtë me fëmijët tanë,
themi: “Këtu jeni nën provë, duhet ta kuptoni. Ndoshta kur të rriteni
pak do bëheni më të pranueshëm, por tashpërtash duhet të shiheni e të
mos iu dëgjohet zëri. Jeni rrumujxhinj: duhet të edukoheni e të
arsimoheni derisa të bëheni njerëzorë”. Këto lloj qëndrimesh që na
rrënjosën që në fëmijëri i kemi të pranishme deri në moshë të thyer,
sepse ka mundësi që bota në të cilën fillohet është edhe bota në të
cilën mbarohet. Njerëzit, duke jetuar, perceptojnë të mospaturët e një
sensi përkatësie, sepse gjëja e parë që kanë dëgjuar nga prindërit ka
qenë: “Shiko, ti ke lindur për të vuajtur. Je nën provë. Nuk je ende një
qënie njerëzore”. Dhe mbetet pre e kësaj ndjesie deri në pleqëri, duke
përfytyruar se tërë universi mbrohet nga një Zot- At i tmerrshëm që
kërkon vetëm më të mirën për ne, që na do, por: “Kush e kursen thuprën,
çon dëm fëmijën. Atë që e do, Zoti e ndëshkon”.
Ku do
të bjerë goditja e ardhshme? Është e qartë se në këtë mënyrë nuk mund
të kemi një ndjenjë përkatësie. Të krishterët thonë se jemi bijtë e
Zotit në mënyrë të adoptuar: jo bij të vërtetë, por vetëm të adoptuar,
për mëshirë, për dhimbje. Dhe ja pra ndjesia absolutisht karakteristike e
njeriut perëndimor, e çdo personi lartësisht të qytetëruar: të qenët i
huaj mbi tokë, një vizllimë çastërore vetëdije mes dy errësirash të
përjetshme.
Për këtë arsye gjendemi në kundërshtim të
vazhdueshëm me çdo gjë që na rrethon: jo vetëm me të afërmin tonë, por
edhe me tokën, me ujërat. Simbol i kësaj në qytetërimin tonë është
buldozeri. Nga vendi ku banoj, në bordin e një anije-trageti, shihen
disa kodrina shumë të bukura përtej ujërave. Mbi këto kodrina po
ndërtojnë një kompleks banesash, por do jenë shtëpi që zakonisht gjenden
në zonat periferike e jo në një mjedis kaq të këndshëm. Një arkitekt i
mirë duhet të përpiqet që shtëpia t’i përshtatet kodrinës e jo të
shkatërrojë kodrinën për të vendosur mbi të një shtëpi. Nëse vendosni të
jetoni mbi një kodrinë, është e natyrshme që doni të jetoni dhe është e
natyrshme që s’duhet ta shkatërroni vetëm për faktin se doni të banoni.
E prapëseprapë, është pikërisht kjo që ndodh, sidomos në Kaliforni ku
ka shumë kodrina të vogla. Çfarë bëjnë? Nivelojnë majën e kodrinës
derisa ta bëjnë krejtësisht të rrafshtë. Mandej ndërtojnë shtëpi, duke
tarracuar territorin deri në fund. Natyrisht shkatërrojnë ekologjinë e
kodrinave e dhe shtëpitë rrezikojnë të rrëzohen, por konstruktori thotë:
“E mandej?” Kur kjo të ndodhë, të gjitha pagesat do të jenë bërë. Është
e qartë se konstruktori nuk e ndjen botën përjashtë si të ishte trupi i
vet. Teksa në të vërtetë është. Një arkitekt inteligjent që e sheh të
jashtmen si shtrirje të trupit të vet, duke u ngjitur në kodrinën e
zgjedhur, do të thoshte: “Mirëdita. Do të doja të ndërtoja një shtëpi në
këtë vend e do të doja ta dija prej teje, kodrinë, se çfarë lloj
shtëpie do të të pëlqente të të ndërtoja sipër”. Në të kundërt,
arkitetkti ka një ide të saktë rreth shtëpisë që do të ngrejë dhe ia
nënshtron kodrinën këtij paragjykimi të vet. E kështu shkatërron
kodrinën, dhe e heq qafe për të ndërtuar sipër saj një shtëpi.
Një
njeri që reagon kështu është krejtësisht jashtë vetes, sepse nuk e
kupton se bota përjashtë është trupi i tij. Vetëm kur ta kuptojë, do të
rihyjë në vete.
Shkruan: Alan Watts,
marrë nga: “Tao i filozofisë”
Përktheu: Shpëtim Kelmendi
Bartur nga: www.sa-kra.ch
Etichette
HISTORI
PSIKOLOGJI
LETERSI SHQIPE
SHKENCA POLITIKE
BIOLOGJI
QYTETARI
SOCIOLOGJI
DREJTESI
ESE ARGUMENTUESE
JURIDIK
PEDAGOGJI
GJEOGRAFI
EDUKATE SHOQERORE
DIDAKTIKE
BAZAT E FINANCES
SHKRIM AKADEMIK
FINANC BANK
LETERSI BOTRORE
GJUHE SHQIPE
MATEMATIKE
HISTORI SHQIPRIE
SHKENCA JURIDIKE
ANALIZE VEPRASH
EDUKIM
FIZIKE
PSIKOLOGJI EDUKIMI
ESE UNIVERSITETI
POEZI
MENAXHIM FINANCIAR
MJEKESI
KIMI
PARAPSIKOLOGJIA
EKONOMI
INFORMATIKA
ESE LETRARE
MENAXHIM BIZNESI
NJOHURI PER MEDIANIAN
TRASHGIMI KULTURORE
Anatomi
ESE FILOZOFIKE
GAZETARI
INFERMJERI
MENAXHIM TURIZEM
SHKENC TOKE
E DREJTA NDERKOMBETARE PUBLIKE
HISTORI BOTRORE
POLITIKAT E SIGURIS KOMBETARE
E DREJTA E PRONES
Histori e Mendimit Politik
ALL POST
AUDITIM BANKAR
BAZAT E DEMOKRACISE DHE TE DREJTAT E NJERIUT
ESE SHKENCORE
FILOZOFI
HISTORI ARTI
HISTORI E EKONOMIS SHQIPTARE
LETERSI
MENAXHIM NDERTIMI
MIKROEKONOMI
POEMA
PSIKOLOGJI REHABILITIMI
BJOLOGJI
EDREJTA E MJEDISIT
FJALE TE URTA
LEKSIONE AUDITIM
MARDHENIA ME PUBLIKUN
MASTER SHKENCOR
Marrëdhënie Ndërkombëtare
PSIKOLOGJI KESHILLIMI
PSIKOLOGJI SHKOLLE
SINTAKS
TEORI E MARDHENIEVE NDERKOMBETARE
ANGLISHT
EDUKIM MUZIKORE
ESE ANGLISHT
ESE INFORMUESE
GJUHE
INFERMIERI
KERKIM SHKENCOR
METODAT E EDUKIMIT EMPIRIK
METODIKE ARITMETIKE
PSIKOLOGJI ZHVILLIMI
TEKNOLOGJI INFORMACIONI
TRASHGIMI KULTURORE EUROPIANE
APLIKIM KOMPJUTERIK
BUJQESI
ESE HISTORIKE
ETIKA E TE USHQYERIT
GUIDE TURISTIKE
HIGJENE
HYRJE NE PSIKOLOGJI
INFORMATIK
ISMAIL KADARE
LETERSI PER FEMIJE
MENAXHIM KLASE
MESIMDHENIE
ORGANET E MARDHENIEVE NDERKOMBETARE
PSIKOTERAPI
SOCIOLOGJI EDUKIMI
pyetjet e Licences
ANALIZE sHARL BODLER
Dituri natyre
E DREJTA KUSHTETUESA
EDUKIM FIZIK
EDUKIM PER KARRIER
KSHILLA SHTATZANIE
LIBRA LEXO-SHKARIKO
LOGJIKE
MATURA SHTETERORE
MBROJTJE DOKTORRATURE
MIGJENI
MUZIKE
POLITIK ARSIMORE
POLITIKA NE BE
PSIKOLOGJI E ZBATUAR NE MESIMDHENIE
RECENSION
TEME DIPLOME
hist
Post più popolari
-
ESE: Atdheu Im Atdhe, nje fjale qe menjehere te sjell ndermend vendlindjen tone te bukur. Per ne shqiptaret atdheu eshte shume i rende...
-
Ese letrare : Deshira ime Deshira ime . . Siç dihet çdo njeri ka dëshira. Një prej tyre jam edhe unë. Por kur bëhet fjalë vetëm për ...
-
Kafshet ne rrezik zhdukje neShqiperi Kafshët e rralla në vendin tonë prej disa vitesh janë rrezikuar të pakësohen si pasojë e dë...
-
“ I HUAJI ROMAN I MASËS APO I LEXUESIT TË SPECIALIZUAR” Hyrje Çfarë ndikimi ka tek ne si qenie njerezore ky roman?Albert Kamy...
-
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL ANALIZE LETRARE: KENGET E MILOSAOS - JERONIM DE RADA [ANALIZE LETRARE] KËNGA XX Poemat epiko...
-
Grupi i shtatëmbëdhjetë i elementeve kimike Ky grup përbehet nga këto elemente : Fluori Klori Bromi Jodi ...
-
Ç’fare eshte Organizimi i Komunitetit? Qëllimi kryesor i organizimit në komunitet, është të ndihmojë njerëzit të identifikojnë ne...
-
MBIERMRI Mbiemër quhet ajo pjesë e ndryshueshme e ligjeratës që emërton një tipa, cilësi të një frymori a të një sen...
-
Tema: Gjakmarrja Nje pellumb I bardhe fluturon ne qiellin me ngjyren e syve te sapo-qare, te vuajtur deri ne skuqje. Pershkon hapesir...