Dëshira për të arritur linja trupore perfekte përmes
mbajtjes së dietave të rrepta, shpesh herë shndërrohet në armik të shëndetit.
Kjo pasi jo vetëm nuk e ndihmon arritjen e linjave të bukura, por ndikon në
shfaqjen e probleme psikologjike, të cilat nëse nuk marrin ndihmën e duhur
mjekësore në kohë mund të mbartin edhe pasoja fatale. Pjesë e këtyre
shqetësimeve janë dhe të ashtuquajturat “çrregullimet e të ngrënit”, të cilat
fatkeqësisht në ditët e sotme jo vetëm që po shfaqen në rritje, por ndikojnë
negativisht në shëndetin e të rinjve. Ndër format më të shpeshta të
çrregullimeve në të ngrënë janë anoreksia dhe bulimia. Si rrjedhojë e mungesës
së informacionit mbi njohjen e këtyre çrregullimeve, në pjesën dërrmuese të
rasteve trajtimi i tyre neglizhohet, çka e dëmton edhe më shumë individin, si
pasojë e dëmtimeve që pëson shëndeti nervor. Përgjithësisht këto lloje
çrregullimesh kuptohen si imazhe të tilla që kanë të bëjnë linjat e dobëta
trupore, ndërkohë që janë edhe më të thella. Problemet që shfaqen në jetën tonë
të përditshme, qoftë në familje, shkollë, shoqëri etj, rezultojnë të jenë edhe
ndër faktorët e shpeshtë që mund të ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të të
ngrënit. Në një intervistë për gazetën “Dita”, specialistja e shëndetit mendor
në Institutin e Shëndetit Publik, Orjola Pampuri detajon format se si shfaqen
këto çrregullime, si dhe rastet kur duhet kërkuar detyrimisht ndihma mjekësore.
Si duhet ti kuptojmë
çrregullimet e të ngrënit, si dhe në çfarë formash shfaqen?
Çrregullimet e të ngrënit karakterizohen nga prania e
shtrembërimeve të forta në sjelljen e të ngrënit. Ndër çrregullimet më të
shpeshta janë Anoreksia nervore, Bulimia nervore, çrregullime të
paspecifikuara, si dhe obeziteti. Në thelb anoreksia nervore mund të
konceptohet si një sjellje e mësuar, e cila bëhet e qëndrueshme nëpërmjet
përforcimeve pozitive, që e shoqërojnë në fillimet e saj. Anoreksia nervore, e cila
shfaqet me refuzimin e mbajtjes së peshës trupore mbi peshën minimale normale
është një çrregullim me rrezik serioz për jetën që nuk shkaktohet nga asnjë
sëmundje fizike. Etimiologjia e termit anoreksi, nënkupton një humbje të rëndë
të oreksit me bazë emocionale, ndërsa bulimia e prejardhur nga fjalët greke
“bous’ që do të thotë kafshë dhe “limos” që do të thotë uri, është e njohur
ndryshe edhe si “sindroma e pastrimit”. Origjina gjuhësore e këtyre termave
përputhet vetëm në dukje me këto çrregullime problematike për individët që i
mbartin. Është interesant fakti që fjala anoreksi është përdorim i pasaktë,
pasi shumë anoreksikë nuk shfaqin aq humbje të forta të oreksit sesa kanë frikë
për të ngrënë. Si anoreksia, ashtu edhe bulimia nervore shfaqen zakonisht në
nivelet më të ngritura të shoqërive, apo tek njerëz për të cilët eleganca
fizike konsiderohet e rëndësishme.
Në çfarë kushtesh
këta pacientë detyrohen të kërkojnë ndihmën mjekësore?
Personi
zakonisht vjen për asistencë mjekësore nën presionin e familjarëve, kur humbja
e peshës ose paaftësia për ta fituar atë bëhet e dukshme. Rastet kur individi e
kërkon vetë ndihmën mjekësore janë rrjedhojë e shqetësimit të lidhur me pasojat
trupore e psikologjike, me të cilat ai përballet. Duhet të vëmë në dukje se
rrallë individët me anoreksi nervore shfaqin preokupim për dobësimin në
vetvete. Në përgjithësi shfaqet mungesa e ndërgjegjësimit mbi sëmundjen ose
mohimi me ngulm i saj. Kjo është një pengesë serioze dhe kjo është
arsyeja përse subjektet me anoreksi nervore janë një burim i pasaktë për
mbledhjen e të dhënave mbi historikun e sëmundjes.
Në çfarë formash
shfaqen këto lloje çrregullimesh?
Bazuar në praninë ose jo të episodeve të rregullta aktuale
të të ngrënit pa kriter ose të sjelljeve të eliminimit, për vlerësim përdoren
nëntipat e mëposhtëm: “Nëntipi kufizues, në të cilin kemi të bëjmë me rastet
kur humbja e peshës tek këta individë arrihet në fillim përmes dietës,
mosngrënies ose aktivitetit të tepërt fizik. Në përgjithësi tek këta persona
nuk vërehen të ngrëna pa kriter ose sjellje eliminimi. Një tjetër formës e
shfaqjes është edhe nëntipi me të ngrënët pa kriter ose të sjelljeve
eliminuese. Kjo formë ndodh kur humbja e peshës tek këta individë arrihet
përmes ngrënies pa kriter dhe përdorimit në vijim të sjelljeve eliminuese që
kanë të bëjnë me : “të vjella të provokuara”, diuretikët dhe laksativët. Në
disa raste individët nuk hanë pa kriter, po shfaqin përdorim të këtyre metodave
pas marrjes së sasive të kufizuara të ushqimit. Duket se shpeshtësia e këtyre
sjelljeve në këtë nëntip është, së paku javore, por të dhënat në dispozicion
nuk janë të mjaftueshme për të specifikuar shpeshtësinë minimale.
Përmendëm që bulimia nervore është një ndër format më
të shpeshta të këtyre çrregullimeve, konkretisht me çfarë ka të bëjë dhe si
perceptohet pesha trupore tek këta individë ?
Individët me bulimi nervore janë në kufijtë normal të
peshës, megjithëse disa prej tyre mund të jenë pakëz mbi ose nënpeshë. Duket se
para shfaqjes së çrregullimit të bulimisë nervore, individët tentojnë të kenë
histori mbipeshe, krahasuar me moshatarët. Karakteristikat thelbësore të
bulimisë nervore janë: “Prania e episodeve të vazhdueshme të ngrënit pa kriter
dhe e sjelljeve të vazhdueshme të papërshtatshme për të parandaluar rritjen në
peshë, përmes nxjerrjes së ushqimeve. Niveli i vetëvlerësimit tek individët me
bulimi nervore ndikohet tepër nga pesha dhe forma e trupit. Për të justifikuar
diagnozën, individi shfaq mesatarisht dy herë në javë për tre muaj rresht, të
ngrënët pa kriter dhe sjellje të papërshtatshme kompensuese (nxitja e të
vjellave). Episodi i të ngrënit pa kriter, apo i cilësuar ndryshe “kriza
bulimike” është përkufizuar si : Ngrënia në një periudhë të caktuar kohore, e
një sasie më të madhe ushqimi, krahasuar me atë që shumica e njerëzve mund të
hanë në atë periudhë kohe dhe në rrethana të ngjashme. Është e rëndësishme të
vlerësohet konteksti në të cilin ndodh episodi.
Si duhet të kuptojmë
ngrënien pa kriter?
Ajo që
konsiderohet si sasi e tepërt për një vakt në një ditë të zakonshme, për një
ditë feste mund të jetë normale. Me “një periudhë të caktuar kohore” kuptohet
një periudhë e kufizuar, zakonisht më e paktë se dy orë. Episodet e të ngrënit
pa kriter nuk është e thënë të ndodhin medoemos në një kontekst të caktuar, ato
mund të nisin në restorant dhe të përfundojnë në shtëpi. Nuk konsiderohen si
episode të tilla pickimet e vazhdueshme të sasive të vogla të ushqimit edhe
nëse këto ndodhin gjatë gjithë ditës. Megjithëse, tipi i ushqimit përgjatë
ngrënies pa kriter varion gjerësisht, ku përgjithësisht përdoren, ushqime të
ëmbla hiperkalorike, të tilla si akulloret apo tortat. Ajo që duket se e
karakterizon të ngrënin është më shumë dhe mbi të gjitha anomalia në sasinë e
ushqimit sesa rendja kundrejt një ushqimi specifik.
A mund të
identifikohen lehtësisht këto raste?
Personave me bulimi nervore zakonisht u vjen turp prej zakoneve të tyre
të ushqyerit patologjik, ndaj tentojnë t’i fshehin ato. Krizat bulimike ndodhin
në vetmi, sa më e fshehtë të jetë e mundur. Shfaqja mund të jetë pak a shumë e
planifikuar, megjithëse jo gjithmonë gjatë të ngrënit të shpejtë të ushqimit.
Prania e këtij çrregullimi paraprihet nga: “Gjendje jo të mira humori, gjendje
stresuese ndërpersonale, uri të shpeshtë pas një kufizimi dietik të ushqimeve,
ndjesi të pakënaqësisë lidhur me peshën fizike, formën e trupit ose me
ushqimin. Gjatë këtij episodi, humori mund të përmirësohet, por pasohet nga një
humor i depresuar dhe autokritikë e pamëshirshme”.
Kur dhe si ndodh
shfaqja e krizave bulimike?
Në përgjithësi fazat e hershme të një krize bulimike
karakterizohen nga ndjesia e mungesës së kontrollit. Ndërsa në faza të
avancuara individi përjeton një lloj ndjesie personale të humbjes së kontrollit
përgjatë krizës e bashkëshoqëruar me paaftësinë për t’u rezistuar stimujve të
krizës ose ndërprerjes së episodit, kur ai ka filluar. Humbja e kontrollit e
shoqëruar me të ngrënit pa kriter tek bulimikët nervorë nuk është absolute,
individi mund ta vazhdojë të ngrënit edhe nëse bie zilja e telefonit, por e
ndërpret atë nëse dikush hyn papritmas në dhomë. Një tjetër karakteristikë
thelbësore e bulimisë nervore është përdorimi i sjelljeve të vazhdueshme e të
papërshtatshme kompensuese, për të parandaluar ngritjen në peshë. Shumë
individë me bulimi nervore realizojnë një sërë veprimesh që kanë për qëllim
neutralizimin e efekteve të ngrënit pa kriter. Midis këtyre metodave ajo më e
përdorshmja është të vjellat e vetëprovokuara pas të ngrënit. Ajo pakëson
ndjesinë e papëlqyeshme fizike dhe frikën e shtimit në peshë.
Si manifestohet
bulimia nervore?
Individët me bulimi nervore mund të përdorin mënyra të
ndryshme për të shkaktuar të vjellët si: përdorimi i gishtave apo i mjeteve të
tjera që shkaktojnë refleksin e të vjellit përmes stimulimit të faringut. Në
faza të avancuara këto individë arrijnë të vjellin me komandë. Rrallë përdorin
nxitësit e tipit të shurupëve apo përdorimi i papërshtatshëm i laksativëve,
diuretikëve, enteroklizmave dhe medikamenteve të tjera. Të tjera masa nxitëse,
janë mbajtja e dietës në ditët në vijim, ose kryerja e ushtrimeve të tepruara
fizike.
Shfaqja
Çrregullimet e të ngrënit fillojnë në moshën e adoleshencës,
dhe janë më të shpeshta tek vajzat se tek djemtë. Numri i të rinjve me
çrregullime të ngrënit shfaqet në rritje, ndërkohë që personat me këto
çrregullime mund të kenë pasoja serioze në shëndet, dhe në rastet kur nuk
trajtohen pasojat mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Personat me çrregullime të
të ngrënit, e shohin peshën e trupit si qendrën e identitetit dhe lumturisë. Disa
nga shkaqet e përmendura që çojnë në shfaqjen e anoreksisë rezultojnë të
crregullimet e personalitetit, faktorët gjenetike, ata mjedisorë, imazhi i keq
për trupin dhe peshën. Shumica e personave me anoreksi shfaqin problem të
personalitetit të tilla si, vetëvlerësimi i ulët, denja e të qenit i pashpresë,
një frikë e vazhdueshme nga mbipesha
Aktiviteti fizik i
tepruar
Aktiviteti fizik konsiderohet i tepruar kur: “ndërhyn në
aktivitetet të tjera të rëndësishme, ndodh në orare dhe në vende të pazakonta
përdoret pavarësisht kushteve fizike të papërshtatshme. Personat me diabet mund
të pakësojnë insulinën për të pakësuar metabolizmin e ushqimit të marrë gjatë
krizës bulimike. Individët bulimikë i japin rëndësi të madhe formës dhe peshës
së trupit në vlerësimin e vetes. Frika e madhe nga shëndoshja dëshira për të
humbur peshë dhe niveli pakënaqësisë, për pamjen fizike janë shenja të
përbashkëta me ato të individëve me anoreksi nervore Sidoqoftë nuk është
e justifikuar diagnoza e bulimisë nervore nëse çrregullimi shfaqet vetëm gjatë
episodeve të anoreksisë nervore
Kritere diagnostikuese për anoreksinë nervore:
Refuzim i mbajtjes së peshës trupore mbi ose në peshën
minimale për moshën dhe gjatësinë. Frikë e vazhdueshme e individit për shtim në
peshë ose shëndoshje edhe kur është nënpeshë. Shtrembërim i mënyrës me të cilën
individi e përjeton peshën ose formën e trupit, influencë e tepruar e peshës
dhe e formës së trupit në nivelin e vetëvlerësimit, refuzim për të pranuar
gjendjen e rënduar aktuale të qenit nën peshë. Shfaqja e amenorreas tek femrat,
pra mungesa radhazi e tre cikleve menstruale.
Anoreksisë nervore, karakteristikat që e shoqërojnë :
Refuzimi i mbajtjes së peshës trupore, mbi peshën minimale
normale
Frika e fortë dhe e vazhdueshme e ngritjes në peshë dhe
shtrembërimi i imazhit trupor i lidhur me përmasat trupore.
Humbja e peshës në fillim arrihet përmes pakësimit të sasisë
së përgjithshme të ushqimit të marrë.
Megjithëse ulja e nivelit të kalorive mund të kufizohet në
fillim përmes përjashtimit të ushqimeve të konsideruara hiperkalorike.
Në pjesën më të madhe të rasteve këto subjekte arrijnë të
kufizohen në pak kategori ushqimesh.
Për më tepër, ata mund të kryejnë sjellje eliminimi apo
pastrimi siç janë: “Të vjella të provokuara nga vetë personi, përdorim i
papërshtatshëm i laksativëve dhe diuretikëve, praktikim të tepruar të
aktivitetit fizik me qëllim uljen e peshës.
Megjithëse disa individë mund të jenë të ndërgjegjshëm për
dobësinë e tyre fizike, ata në mënyrë tipike i mohojnë pasojat e rënda mbi
shëndetin e tyre mendor dhe emocional.
Bulimia nervore, karakteristikat që e shoqërojnë
Megjithëse tipi i ushqimit përgjatë ngrënies pa kriter
varion gjatë, përgjithësisht përdoren, ushqime të ëmbla me kalori të larta, të
tilla si akulloret, tortat e çokollatat në sasi të larta.
Ajo që duket se e karakterizon të ngrënin është më shumë dhe
mbi të gjitha anomalia në sasinë e ushqimit sesa përdorim i tepruar i një
ushqimi specifik.
Subjekteve me bulimi nervore zakonisht u vjen turp prej
zakoneve të tyre të ushqyerit patologjik, ndaj tentojnë t’i fshehin ato.
Krizat bulimike ndodhin në vetmi, sa më e fshehtë të jetë e
mundur.
Episodi mund të jetë pak a shumë i planifikuar dhe
paraprihet nga:
Gjendje jo të mira humori.
Gjendje stresuese ndërpersonale.
Uri të shpeshtë pas një kufizimi dietik të ushqimeve.