Beteja e Beratit (1455) dhe e Albulenës (1457)
Marrja e Beratit kishte një rëndësi të dyfishtë për
shqiptarët. Nga njera anë u prishej turqve të sanxhakut të Shqipërisë baza
ushtarake më e përparuar dhe më e fortifikuar e nga ana tjetër hapej rruga për
çlirimin e krahinave jugore të Shqipërisë.
Në korrik të vitit 1455, Skënderbeu në krye të ushtrisë prej
14 mijë vetësh, i ndihmuar edhe nga repartet napolitane rrethoi Beratin. Në
fillim shqiptarët korrën suksese, pushtuan qytetin, ngushtuan rrethimin e
kështjellës që ngrihet mbi qytet dhe e detyruan komandantin turk të garnizonit
të kërkonte armëpushim prej 15 ditësh për të bërë dorëzimin. Në pritje të
afatit Skënderbeu u nis për të pregatitur sulmin kundër një kështjelle tjetër.
Por ndërkohë, në mënyrë të befasishme, një ushtri turke prej 40 mijë vetësh,
nën komandën e Isak Bej Evrenozit që e kishte njohur Shqipërinë gjatë shtypjes
së kryengritjes së Gjon Kastriotit më 1430, i erdhi në ndihmë, pa u diktuar,
garnizonit të rrethuar të Beratit dhe i sulmoi prapa krahëve shqiptaret e
papërgatitur dhe të shkujdesur. Në këtë përleshje shqiptarë u thyen rëndë. Me
mijra vetë u vranë, bashkë me to edhe pjesa më e madhe e ushtarëve napolitanë.
Kjo qe një disfatë serioze që pësuan forcat shqiptare gjatë periudhës që
luftuan nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Ardhja pa u diktuar e turqve u bë e mundur, sepse Moisi
Golemi, komandant i forcave kufitare, i pakënaqur nga përqëndrimi i pushtetit
në duar të Skënderbeut ia kishte hapur tradhëtisht rrugën Isak Bej Evrenozit.
Pas disfatës së Beratit, Moisiu kaloi hapur në anën e turqve.
Disfata e Beratit u kushtoi shumë shtrenjtë shqiptarëve.
Përveç humbjeve të mëdha njerëzore, u keqësua edhe gjëndja politike e
Skënderbeut. Alfonsi i Napolit hoqi dorë përfundimisht nga ndihmat ushtarake.
Venediku shfrytëzoi rastin dhe rifilloi provokimet për të eliminuar pushtetin e
Skënderbeut. Krerët feudalë, të nxitur edhe nga Venediku, duke kujtuar se
tashmë i erdhi fundi rezistencës shqiptare, vrapuan të merreshin vesh me turqit
ose të siguronin strehim në Venedik. Dukagjinët u prishën përsëri me
Skënderbeun dhe u lidhën me turqit. Por me gjithë këto fatkeqësi, në sajë të
përkrahjes së pakufizuar që gjeti në masat popullore, Skënderbeu e rimori
vehten dhe e rimëkëmbi brënda një kohe të shkurtër ushtrinë e gjymtuar.
Më 1456 një ushtri turke prej 15 mijë kalorësish, duke pasur
në krye tradhëtarin Moisi Golemin, u nis kundër Shqipërisë, por thye në betejën
që u zhvillua më 14 maj, në fushën e Oranikut (Dibër). Moisiu, i penduar, iu
dorëzua Skënderbeut dhe i shërbeu atij me besnikëri deri në fund. Më 1456
ndodhën lëkundje të tjera në radhët e bujarëve shqiptarë. Gjergj Stres Balsha u
dorëzoi me tradhëti turqve kështjellën e Modricës. Kulmi i përçarjes dhe i
tradhëtisë feudale arriti më 1457. Nipi dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i
Skënderbeut, Hamza Kastrioti, i cili e humbi shpresën për t'i zënë vendin
ungjit të vet kur këtij i lindi djali trashëgimtar, kaloi në anën e sulltanit.
Viti 1457 ka qënë një nga vitet më kritikë të periudhës 25
vjeçare të luftave të Skënderbeut. Vdekja e Huniadit që ndodhi më 1456 i dha
rast sulltan Fatihut ta drej-tonte vemendjen e vet kundrejt Shqipërisë. Ai nisi
në korrik të këtij viti një ushtri të madhe turke prej 80 mijë vetësh nën
komandën e gjeneralit të regjur në luftën kundër shqiptarëve, Isak Bej
Evrenozit dhe të shoqëruar nga Hamza Kastrioti, të cilin e kish-te emëruar
sundimtar të Krujës.
Hamza Kastrioti, njohës i mirë i vendit, i ushtrisë
shqiptare dhe i taktikës së Skënderbeut, përpara se t'i drejtohej Krujës, e
këshilloi komandantin turk të asgjëson-te masën kryesore të ushtrisë shqipëtare
e cila bashkë me komandantin e saj qëndron-te zakonisht jashtë kështjellave.
Skënderbeu këtë radhë ishte i detyruar të ndiqte një taktikë të re. Pasi kreu
një sërë veprimesh dhe tërheqjesh ai, si duket e shpërndau përkohësisht masën
kryesore të ushtrisë për t'u dhënë turqve të kuptonin se ishte shpartalluar, se
ushtarët e tij kishin dezertuar, se krerët e kishin tradhëtuar, dhe se ai vetë
po kërkonte shpëtim. Kjo manovër duket se pati sukses, sepse edhe kapiteni
venedikas i Durrësit, Marko Diedo, e njoftonte më 31 korrik 1457 dogjin e
republi-kës: "Fort i larti Skënderbe po bredh nëpër male për të shpëtuar
kokën, dhe u braktis nga të gjithë krerët kryesorë të rrethit të vet që shkuan
të bashkohen me turkun". Isak Bej Evrenozi dhe Hamza Kastrioti, duke mos e
ndeshur në asnjë vend ushtrinë shqip-tare, u bindën më në fund se Skënderbeu
tashmë ishte shpartalluar. Por kur më 7 shtator 1457 ushtria turke kremtonte në
fushën e Albulenës pranë Milotit fundin e rezistencës shqipëtare, - Skënderbeu,
i cili nuk i kishte humbur lidhjet me ushtarët e vet, me kushtrimin e tij të
parë grumbulloi me të shpejtë ushtrinë e shpërndarë dhe sulmoi në befasi turqit
e shkujdesur duke i shpartalluar plotësisht. Shqiptarët zunë rob midis mijra
vetave edhe Hamza Kastriotin, i cili u mbajt i burgosur për disa vjet në Itali.