Fjalë të urta nga Mit`hat Frasheri
Liria është që të mos të trazojë njeri ty dhe ti të
mos të trazosh të tjerët.
Meqënëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur
me fatin e të gjithë atyre që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte
shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të
hetojë nga thellësia e vetes së tij se c’shërbim ka bërë për shoqerinë dhe c’të
mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që quajmë komb.
Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm
një dashuri per çdo cep të Shqipërisë.
Patriotizma është një egoizëm. Ajo ndjenjë na shtyn
të kërkojmë madhërinë dhe nderin e kombit, se tek ajo madhëri e tek ai nder do
të gjejmë ne vetë madhërinë, lumturinë dhe nderin e secilit.
Njerëzit e një kombi janë solitarë. E mira dhe
lumturia jote, janë dhe të miat. Fatkeqësia jote është dhe për mua. Nderi yt më
nderon edhe mua dhe turpi yt më nxin edhe faqen time.
Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes
tonë.
Gjithë vlefta, gjithë fuqia, gjithë virtyti në këtë
botë është, puna. Një punonjës për mua është një njeri i madh, qoftë
hekuruar, qoftë bujk i palodhur, qoftë artist, ose letrar. Admiroj tek ai
sforcim që s’lodhet, vullnetin që nuk dëshpërohet, metodën qe i shton fuqinë
dhe durimin, që ia ben punën të ketë duk dhe uratë. Se ai që nxjerr një punë në
shesh, ai që krijon një send prej asgjëje, ai pa dyshim ka bekim, ka frymë dhe
dritë prej së larti.
Puna, vulneti dhe palodhja ndalojnë shumë të këqia,
lin dhe një tok të tjera.
Është i lumtur ai që di dhe mmund të punojë, që di
dhe mund të bëjë edhe të tjerët të punojnë.
Që ta zgjojmë frymëm e iniciativës, duhet të
pushojmë së shpresuari gjë prej qeverisë.
Disa njerëz nuk duan bisedimin, po u pëlqen
vetëfjalimi(monologu): ata këmbëngulin në idetë e tyre dhe marrin vrapin mbi
tezën që u pëlqen. Në gjuhen frënge ka një shprehje të bukur për të tillët:” U
pelqen të dëgjojnë veten e tyre”.
Bisedimi është një dëfrim shpirti dhe mendjeje,që
ndien njeriu duke rrëfyer mendimin e tij dhe duke dëgjuar të tjerët,me pak
dëshire,me çelje zemre,mbase,nga një herë,edhe me pak diplomatëri,si lodra e
shahut.
Ëmbëlsi e bisedimit është në sforcim që bën njeriu
të rrëfejë kthjelltë dhe me elegancë idenë e tij;në përpjekjet që bëjmë të
kuptojmë mendimet e tjetrit,të hyjmë në shpirt të tij dhe të identifikohemi me
të.Pak njerëz dinë dhe ndjejnë shijen e bisedimit,për të cilin duhet më parë të
jemi tolerantë,pa këmbëngulje,të matur dhe pa inat.
Fatkeqësi e njerëzisë vjen nga mungimi i vullnetit.
Ai ndalon perfeksionimin moral dhe s’na lë të korrigjojmë të metat tona…Ky
përtim moral e mban lidhur njerinë me të metat, fajet. Shumë herë njeriu ,duke
rrëkëllyer poshtë, dëshiron të mbytnjë atë zë që vjen së thelli…
Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të
bardhës- të bardhë dhe të zezës- të zezë.
Është një virtyt i madh të duam të jemi, ashtu si
duam, të dukemi ose të rrëfehemi ashtu si jemi.
Ena kallaiset së brendëshmi.
Miqësia s’bëhet kurdoherë me të ngjarë dhe me
simpati të karakterit; shumë herë bëhet me të ditur të bëjmë lëshime për mikun,
të dimë ta duam ashtu si është, me të mirat dhe të ligat e tij.
Të endurit matet-me kut, lëndët-me okë dhe koha-me
ngjarje.
Cdo njeri ka një tru të vecantë. Prej trurit vjen
mendimi dhe logjika, fytyra besnike dhe harmonike e veglës që mendohet dhe që
ndjen. Pas arkitekturës konstitucionale të trurit është dhe karakteri i
njeriut, stili i tij në të shkruar, manifestimi i të jashtërave të mendimit,
d.m.th prirja prirja e tij për artet grafike dhe plastike, muzikën etj. Mbase
një ditë, do të vijë, që duke parë veprat e një njeriu, të një piktori, një
punë arkitekture, një shkrim etj,, do të mundim të bëjmë diagramën besnike
të encefalit të tij.
Që të mund njeriu të jetë kurdoherë i ndershëm, të
mbajë kundër cdo ngjarjeje dhe rënieje ndershmërinë dhe integritetin e
tij, duhet ta marrë në sy që të mund të rrijë një ditë me kepucë të vjetëruara
dhe hajë buk’ e djathë. Cdo njeri që është në mizerje, s’është padyshim
kurdoherë i ndershëm, po ay që s’duron dot mizerjen dhe privacionin, s’mund që
të mbajë ndershmërinë e tij.
Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që
ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj.
Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit
këshillë.
Shqiptari , duke mos e shaj shqiptarin për fajin që
ka bërë,se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj.
Merrë me të mire dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit
këshillë.
Shqipëtari, duke mos qënë i mësuar me jetë politike,
dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe indipendencë, s’ka
kuptuar dot akoma barrën, deyrat dhe përgjegjistë që rrjëdhin nga një jetë
indipendente.
Cdo përparim vjen nga idetë e përparuara, nga idetë
e reja.
Ka natyra të frikshme, të dobeta, që tremben prej
realitetit dhe pëlqejnë krimbin e dyshimit. Janë si ata që duan më mirë t’u
dhëmbë gjithnjë dhëmballa, se sa ta durojnë një herë dhembjen e të
qiturit.
Entuziazmi, besimi i plotë te mendimi, dëshira dhe
inspirimi i minutës, padyshim na shtie shumë herë në faje dhe gabime.
Kënaqësi na jep dhe shpesh herë për sa punë të mëdha
bëhet shkak.
Një ngazëllim i vërtetë është ai që ndjen njeriu pas
një shoqërimi, pasë një lufte ndrërmjet dëshirës dhe detyrës, një luftë në të
cilën mund vehten dhe i jep celik vullnetit. Në jetë cdo gjë duhet të
reduktohet me një operim matematik, me një peshim, dhe do zgjedhur ana që
rëndon më tepër…
Mësoni të kurseni kohën, mësoni mirë përdorimin e
kësaj gjëjë të vlefshme që i thone kohë…Harrojmë se ditët tona janë të matura
dhe se gërshëea e shtrigës kohë është gjithnjë gati të presë fillin e
gjëllimit…
Mbrëmjeve, pa fjetur, shiko hesap e vështro ç’ke
bërë ditën dhe, në qoftë se të ka ardhur një mendim i ri, në qoftë se ke ndjerë
një gjë të re, mos e kqyr si të humbur atë ditë: je me fitim.
Partizanët e barazimit s’duan kurrë që i poshtmi të
ngrihet sa i larti, po i larti të unjet sa i poshtm. Rrafshimi ndër ta do me
thënë prishje dhe rrëzim. Prandaj vjen fatkeqsia.
Gruaja na robëron me dobësitë dhe jo me vullnetin e
saj. Sa më pak Fuqi të duket se ka gruaja, aq më tepër siprëri ka mbi ne.
Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek
shqipëtari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të
qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqipëtarë, pas gëzimit të parë, pyetja
esenciale është: nga të kemi z.tënde?
Shumë herë ideali për shqipëtarin është të qenët i
zoti, me çdo mënyrë që të jetë.Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk
mund të kërkojë vec suksetet e lehta.
Fatkeqësi që njeriu ka pak ambicion dhe shumë
kotësi.
I lumtur është ai që në vështirësi lë të flasë
zemrën dhe jo mendjen e tij.
Njerëzit që s’gjejnë mjaft interes tek vetja e tyre,
merren me punët e botës.
Shumë herë jeta mbetet si një skicë e pambaruar. Kur
shohim zbraztësinë e saj, duam të kompletojmë tablonë, të vëmë ngjyrat e duhura
atje ku mungojnë. Por zëmë të shohim se vilari i jetës nuk duran qortime.
Feja, mëmëdheu, prona. Por, jo vetëm mëmëdheu, edhe
feja vetë- prej frymës së promës rrjedhin.
Fjatët dhe frazat janë kufoma pa jetë: Stili u jep
shpirtë. Ky shpirt që vëmë në stil, është uni.
Vetëm një proverb të mirë di:”Trimi i mirë me shokë
shumë”. Por kur mendij fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë!Atëherë kam
dëshirë ta kthej proverbin:”Trimi i mirë me shokë…pak!”
Ata që s’kanë ndjerë ngazëllimin mistik të
sakrificës inteligjente, pa dyshim janë zvjerdhur dhe prej një nga më të
mëdhenjtë faktorë të lumtirisë.
Gjithë fatkeqësia vjen kur njeriu kërkon të rrojë pa
fituar, të fitojë pa punuar, të punojë pa u lodhur.
Dhembja më e madhe është pikellimi i brendshëm, jo
ai qe rrëfehet.
Shpesh herë zemerimi ynë vjen jo se kemi të drejtë,
po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.
Njeriu ka nevojë për dashuri: të dojë dhe të
duhet.
Në qoftë se kujtimi është një bekim dhe
një lumturi, nga ana tjetër edhe harrimi s’është një dhuratë më e vogël e
zotit. Pa harrimin, si do të mundnim të rifillojmë jetën, të kemi kurajo
dhe zell, të mbajmë gjallë fjalen e entuziazmës dhe të dashurisë?
Komunizma është një sëmundje e tmerruar, si tërbimi
i qëneve dhe i ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin,por dhe
më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut.
Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Sqiptarin
e ka prishur mungesa e disiplines dhe zjarri i padurimit
Kur të proponohet një send që e mendon edhe ti të
mirë dhe e gjykon të dobishëm,bindu. Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo
bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.
Hiqe veten si pak të mençmë dhe kap të ditur.
Mëndjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.
Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk
ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.
Kij ambicion të vërtetë: mos mendo orën e sotme dhe
minutën në të cilën rron. Kujto pak pritmin,eternitetin.
Dhe së fundi, një fjalë e urtë që i përket më së
shumti vetë Mid’hat Frashërit: ”Në punë kije për lavdi të jesh shërbestar. Ji i
lumtur kur bën një send të dobishëm, pa le të mos e dijë bota”.