LASHTESIA
Paleoliti
Gjurmët më të hershme njerëzore në territorin e Shqipërisë shfaqen në periudhën musteriane, që i përket Paleolitit të Mesëm (100 000 – 30 000 vjet më parë). Këto përfaqësohen nga vegla prej stralli të punuara
mirë, me forma tipike musteriane, të cilat i kanë shërbyer njeriut primitiv për procese të ndryshme pune që lidheshin drejtpërdrejt me sigurimin e ushqimit të tij të përditshëm. Të tilla vegla, si prefëse, kruese, gërryese, etj., janë gjetur, deri më sot, në stacionin prehistorik të Xarrës në rrethin e Sarandës, në stacionin e Kryegjatës, në afërsi të Apollonisë (Fier) dhe në stacionin e Gajtanit në rrethin e Shkodrës. Nga format dhe përmasat e tyre të vogla këto vegla ngjasojnë mjaft me veglat e strallit të zbuluara në depozitimet musteriane të krahinave fqinje të Greqisë Veriore, të Thesalisë, të Malit të Zi etj.
Neoliti
anë zbuluar e gërmuar një numër i madh vendbanimesh neolitike me shtrirje gati në tërë territorin e Shqipërisë, si në Maliq, Cakran, Vashtëmi, Burimas, Podgorie, Barç dhe në Dërsnik të rrethit të Korçës, në Kamnik të Kolonjës, në Blaz e Nezir të Matit, në Cakran të Fierit, në Burim, në Gradec e në Cetush të Dibrës, në Kolsh të Kukësit, në Rrajcë e në Rashtan të Librazhdit e nga gjetje të rastit në pika të tjera. Më mirë është njohur e studiuar pellgu i Korçës, i cili gjatë epokës parahistorike ka pasur kushte shumë të mira gjeo-klimatike. Jeta në Shqipëri gjatë neolitit u zhvillua në kushte shumë të përshtatshme natyrore. Klima e ftohtë dhe e lagësht e paleolitit, e cila kishte filluar që në mezolit ia la vendin një klime më të butë, që kishte pak a shumë karakterin e klimës së sotme. Si rrjedhim edhe flora e fauna thuajse nuk ndryshojnë prej asaj të ditëve tona.
Epoka e bronzit
Epoka e bronzit në Shqipëri përfshin mijëvjeçarin e tretë dhe gjithë mijëvjeçarin e dytë p.e.s., e deri në fundin e shek. XII p.e.s. Ajo njihet prej të dhënave të fituara nga shtresat e kulturës së bronzit në vendbanimet e Maliqit, të Trenit e të Sovjanit në pellgun e Korçës, nga shtresa e parë e vendbanimit të Gajtanit në afërsi të Shkodrës, nga gjetjet në shpellën e Nezirit dhe nga vendbanimi i Badherës e kalaja e Kalivosë në rrethin e Sarandës. Gjithashtu njihet nga varrezat tumulare në Mat, në Kukës, në Barç (Korçë), në Pazhok (Elbasan), në Divjakë (Lushnjë), në Patos (Fier), në Vajzë e Dukat (Vlorë), në Piskovë (Përmet), nga tumat në luginën e Dropullit, nga tuma e Bajkajt (Sarandë) e nga depo e gjetje të rastit të zbuluara buzë liqeneve të Shkodrës, të Pogradecit, të Prespës etj.
Këto të dhëna dëshmojnë se territori i Shqipërisë gjatë kësaj epoke ka qenë i populluar gjerësisht, që nga zonat e tij të ulëta fushore e deri në krahinat e brendshme dhe të vështira malore. Njerëzit banonin kryesisht në vendbanime të hapura. Në një masë më të kufizuar janë shfrytëzuar dhe shpellat, ashtu siç kanë vazhduar të jenë në përdorim edhe palafitet, siç tregojnë gërmimet e viteve të fundit në vendbanimin palafit të Sovjanit. Nga fundi i kësaj epoke lindin edhe vendbanimet e para të fortifikuara, të cilat rrethohen me mure gurësh të palatuar e të lidhur në të thatë apo me ledhe e hunj. Një pjesë e mirë e vendbanimeve të këtij lloji, si kalaja e Gajtanit, qyteza e Margëlliçit (Fier) etj., që do të marrin zhvillim të plotë dhe do të bëhen karakteristike për epokën pasuese, atë të hekurit, e kanë origjinën e vet në këtë periudhë.
Banesat kanë qenë kasolle, që ndërtoheshin me lëndë drusore, kallama e kashtë. Ato janë njëkthinëshe zakonisht me planimetri katërkëndëshe, por duket se ka qenë në përdorim edhe tipi me bazë të rrumbullakët e trup konik. Dyshemetë kanë qenë të shtruara me baltë të ngjeshur e të rrahur, kurse muret të thurura me thupra e të lyera me baltë të përzier me byk. Në mes kishin nga një vatër të rrumbullakët; ka raste kur këtë e gjejmë të vendosur anash në formën e një korite që nuk njihet në banesat neolitike. Vlen të përmendim një kompleks banesash të bronzit të vonë të zbuluara në kalanë e Badherës, të cilat kanë formë katërkëndëshe ose rrethore të ndërtuara me një xokolaturë gurësh, mbi të cilën ngriheshin paretet dhe çatia prej materiali të lehtë.
ILIRET DHE PELLAZGET
Pellazget ishin një popull i lashtë indo-evropian që sipas disa shkrimeve të lashta të lëna nga Homeri, Herodoti, etj. jetonin në pellgun e Egjeut dhe në bregdetin perëndimor të Azisë së Vogël, në Peloponez, në Greqinë Qendrore, në Thesali dhe në afërsi të këtyre viseve.
Në mesin e mijëvjeçarit të tretë dhe në fillim të mijëvjeçarit te dytë para Krishtit erdhën nga stepat e Lindjes grupe të reja popujsh që merreshin me blegtori. Këtu u përzien me banorët vendës dhe kështu u krijua bashkësia e re kulturore e Gadishullit Ballkanik. Kjo popullsi mendohet të jetë popullsia e lashtë pellazge. Sipas shumë studiuesve shqiptarë e të huaj, pellazgët ishin paraardhësit e ilireve.
Iliret, paraardhësit dymijë vjeçarë të kombësisë së sotme me prejardhje gjenetike të grupeve fisnore të familjeve të mëdha shqiptare si në zonat urbane e rurale si dhe nga studimet mbi shumë individë me lidhje gjaku 99% shqiptareve, vërtetuar edhe nga studimet e botimet e fundit nga institutet kërkimore shkencore nga Evropa kontinentale, SHBA e Kanada, nga specialistët e huaj dhe shqiptarë të shkencave antropologjike, gjenetike e arkeologjike, banonin që nga pjesa veri-perëndimore e Detit Adriatik deri në Detin Jon, si dhe përgjatë kufirit tokësor të Gadishullit Ilirik me Dalmatet, Maqedonasit dhe Grekët.
POPULLSIA E SHQIPERISE
Shqipëria ka 2,821,977 banorë. 46% e shqiptarëve jetojnë nëpër fshatra. Mbas kohës së diktaturës ndodhi një ndryshim demografik. Me qindra shqiptarë kanë emigruar (të ligjshëm ose të paligjshëm) në Itali, Greqi, BE edhe në vendet e Amerikës Veriore. Në 2004 shteti shqiptar shpalli një milion emigrantë në më pak se 15 vjet. Pavarësisht se njerëzit kanë emigruar, rritja e popullsisë në qytete si Tirana dhe Durrësi nuk u ndalua. Tirana, në vitin 1990 kishte 250,000 banorë edhe 20 vjet me vonë ka më shumë se 600,000 banorë, kjo është një rritje prej 140%. Në atë kohë njerëzit kanë lënë vendin dhe kanë shkuar nëpër vende të huaja ose njerëzit kanë lënë fshatin dhe kanë shkuar nëpër qytete. Kështu shumë fshatra në jug janë sot të lëna pas dore. Shqipëria ka disa pakica etnike-gjuhësore. Midis tyre janë pakica greke (etnia më e madhe), vllahët (10,000), sllavët (3,000 serbë, boshnjakë, goranë dhe maqedonas, romë 9,000). Rreth 25,000 grekë kanë banimet në zonat rurale në jug të Shqipërisë dhe kryesisht në zonat e pakicave gjuhësore në kufi me Greqinë të qarkut të Sarandës, të Gjirokastrës (Dropull, Pogon), të Delvinës, të Himarës, si dhe në qendrat e mëdha si Durrësi, Tirana.
EKONOMIA
Përpara vitit 1991, Partia Komuniste atëherë në pushtet e drejtonte ekonominë e vendit me anë të një serie planesh pesë-vjeçare. Të gjitha degët prodhuese kontrolloheshin nga shteti, bujqësia ishte kolektivizuar plotësisht dhe industria ishte pronë e shtetit, ndërsa sipërmarrjet private ishin të ndaluara rreptësisht. Përveç kësaj Kushtetuta e Republikës Socialiste të Shqipërisë e ndalonte qeverinë të kërkonte ndihma nga jashtë, të pranonte borxhe apo të lejonte investime të huaja në vend. Dështimi i kësaj ekonomie të kontrolluar e shtyu qeverinë paskomuniste të decentralizojë procesin e vendimmarrjes ekonomike. Ndalimi i tregtisë private është shfuqizuar qysh nga fillimi i viteve 90-të, qeveria ka kohë që pranon borxhe dhe kredi të huaja, dhe përpiqet të krijojë vende të reja pune, me anë të bashkëpunimeve me partnerët nga jashtë. Këto masa kanë për qëllim rritjen e industrisë së lehtë, prodhimet ushqimore dhe bujqësore, si dhe ekonominë në tërësi. Progresi i viteve të fundit është i dukshëm, tregu permban të gjithë artikujt e nevojshëm industrialë dhe bujqësorë, ekonomia në përgjithësi po ecën me hapa të shpejta dhe po zhvillohet gradualisht duke pasur për çdo vit një rritje mesatarisht shumë të lartë vjetore në krahasim me vendet e tjera të Evropës Juglindore.
TRANSPORTI
Aeroporti
Aeroporti Nënë Tereza në Rinas është aeroporti i vetëm ndërkombëtar i Shqipërisë për fluturime civile. Ai ndodhet rreth 20 km nga kryeqyteti Tirana. Nga Rinasi ka fluturime direkte me mjaft destinacione të botës. Nga Rinasi fluturojnë disa avionë të shoqërive të fluturimit drejt destinacioneve të Evropës, dhe prej pikave të tranzitit për në disa qytete të tjera joevropiane.
Portet
ortet e Shqipërisë kanë funksionuar në bregdetin shqiptar që në kohët e lashta si në Dyrrah, Ulqin, Tivar, Aulone, Apoloni, Onhezmi, etj. Gjatë shekujve VII-XII Durrësi ishte skela kryesore në perëndim të Perandorisë Bizantine. Gjatë periudhës së principatave arbërore u ngritën skela të vogla kryesisht në grykat e lumenjeve në Shirgj, Shëngjin,Shufada, Rodon, Bashtovë, Pirg dhe Spinaricë zhvillimi i të cilave u frenua gjatë periudhës së pushtimit osman.
Gjatë viteve 1928 deri 1934 u ndërtua porti detar i Durrësit dhe disa pontile druri në Sarandë, Vlorë e Shëngjin, të cilat u shkatërruan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga viti 1945 deri në vitin 1952, u rindertua porti i Durrësit dhe disa kalata betoni në Vlorë, Sarandë e Shëngjin. Gjatë bregdetit Jon janë ndërtuar kalata e pontile në gjirin e Spilesë në Himarë dhe në Sasaj që shërbenin kryesisht për transport agrumesh. Porti kryesor i vendit është ai i Durrësit, ku funksionon edhe kantieri i riparimit të anijeve.
KULTURA
Kultura e Shipërisë është e pasur në shumë drejtime të arit si kinematogafi, teatër, art figurativ etj.
Pas Luftës së II-të Botërore nën udhëheqjen e sistemn Komunist të Shqipërisë është futur në shoqërin9 shqiptare edhe shpërndarja e mirënjohjeve për veprimtari të ndryshme të personava me profesione artistike. Ndër mirënjohjet më të njohura janë Artist i popullit dhe Artist i Merituar. Me ndërrimin e sistemit të qeverisjes, në Shqipëri shpërndarjen e mirënjohjeve e bën Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Mirënjohjet që presidenti i bën shqiptarve dhe shtetasve të tjerë janë shenjë e mirënjohjes për kontributin e individëve për sfera të ndryshme të kulturës shqiptare.
ARTI
Fillimet e artit figurativ në truallin e Shqipërisë janë të hershme. Gjurmët e para i përkasin periudhës se neolitit. Nëpërmjet zbulimeve të shumta arkeologjike, në zona të ndryshme të vendit, janë gjetur qindra e mijëra qeramika, terrakota, zbukurime ne metal etj., që u përkisnin fiseve ilire, paraardhësve të drejtpërdrejtë të shqiptarëve të sotëm.
Prodhimet më të hershme janë të thjeshta, për përdorim praktik, por në to shfaqen edhe vlera artistike si në format zoomorfe të enëve ashtu edhe në dekorim, gdhendjet dhe elemente të tjerë. Nga shekulli i gjashtë deri në shekullin e trete p.e.re në qeramika vizatohen linja dhe figura gjeometrike; forma ndërtohet me siluet më elegant dhe pasurohet me elemente plastike. Shumë enë të kësaj periudhe, që ruhen sot në muzetë e Shqipërisë, kanë vlera të mirëfillta artistike dalluese vendase, që nuk i ndeshim në artin e fqinjëve të tjerë po aq të lashtë si helenët, maqedonasitë apo romakët.
FEJA
Feja ka luajtur një rol të dorës së parë në mbijetesën e kombit shqiptar në po atë shkallë si për disa popuj të tjerë të lashtë si armenët dhe hebrenjtë. Ishte krishterimi ai që i dha një identitet më të fortë popullit shqiptar në kohën e dyndjeve barbare dheosmane duke u kthyer në një vend të shenjtë në kohën e Skënderbeut pasi e mbrojtikrishterimin në shekullin XV kur papa dhe patriku kacafyteshin. Ishte feja Islame që i dalloi shqiptarët kur politika sllavizuese dhe helenizuese e fqinjëve synonin përvetësimin dhe përfitimin e trojeve shqiptare. Flaka morale e përbashkët për klerinshqiptar të të gjitha besimeve ishte ajo e një zelli apostolik të lashtë gërshetuar me një ndjenjë atdhetare të zjarrtë.
56,70 % e banorëve në Shqipëri janë myslimanë, 10,03 % katolikë dhe 6.75 % ortodoksë
KUZHINA SHQIPTARE
Kuzhina shqiptare është një përzierje e influencave të kuzhinës turke, asaj ballkanike dhe evropiane. Ajo është e njohur për vlerat e larta ushqimore dhe shijen e saj mjaft të mirë. Pothuajse çdo krahinë ofron specialitet e saj të veçanta.
Gatimi i mishit të pjekur, sidomos qingjit dhe përgatitja e byrekëve të ndryshëm është e përhapur në të gjithë vendin. Veçanërisht në krahinat e jugut dhe Shqipërisë së mesme është i njohur përdorimi në shkallë të gjerë i perimeve dhe zarzavateve, vajit të ullirit, erëzave të ndryshme dhe limonit.
Pjatat e peshkut janë të njohura veçanërisht në qytetin e Shkodrës (tava e krapit), Pogradecit (korani me arra dhe lloje të tjera), zona bregdetare e Jonit dhe Adriatikut etj.
Në Shqipëri gatuhen ëmbëlsira të shumëllojshme, shumë prej të cilave janë të përbashkëta edhe për vendet e tjera ballkanike dhe Azinsë së vogël (ballkavaja, kadaifi, sheqerparet, hashurja etj). Ndër ëmbëlsirat më tradicionale është "ballokumja", e cila gatuhet në qytetin e Elbasanit për festen e Ditës së Verës (14 Mars).
Si rezultat e klimës së përshtatshme mesdhetare Shqipëria është e njohur për kultivimin e rrushit dhe prodhimit e një varieteti verërash të kuqe dhe të bardha. Ndër më të përmendurat janë ato Merlot, Kabërnet, Pinot Nero, Kallmet, Shesh i Zi, San Gioveze, Riesling, Shesh i Bardhë etj.
Pija më tradicionale alkoolike është rakia (një lloj Brandy i prodhuar nga rrushi). Në disa zona të Shqipërisë prodhohet edhe rakia e kumbullës (Korçë, Dibër), ajo e manit (Boboshticë etj). Shqipëria është gjithashtu e njohur edhe për prodhimin e konjakut Skënderbej, i përmendur për shijen dhe aromën e tij. Konjaku shqiptar ka fituar gjithashtu edhe çmime ndërkombëtare.
Ndër pijet jo alkoolike është për tu përmendur boza (një pije freskuese me bazë misrin), e prodhuar në veri të vendit sidomos në krahinën e Kukësit si dhe rehania, e cila vjen nga lëngu i rrushit dhe është pije tipike e Skraparit.