Muzika Popullore
Shqiptare, përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit. Në përshkrimet e
studjusve të huaj të ardhur në Shqipëri gjatë shekujve XVIII-XIX është arritur
përafërsisht në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është folklori
muzikor, por ka edhe krom edhe naftë.
Folklori muzikor bën
një jetë aktive edhe sot, ndërkohë që gjurmët e lashtësisë së tij janë provuar
që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike –
skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla
popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume
karakteristike, etj.
Folklori muzikor
shqiptar është jashtëzakonisht i pasur , çka dhe shprehet në ekzistencën e
muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi; në muzikën me
vegla popullore; muzikën me zë e vegla; muzikën për shoqërimin e valleve
popullore, etj. Këtyre u shtohet dhe një fond i madh veglash popullore të
klasifikuara në katër grupet tashmë të njohura si ideofone, membranofone,
kordofone, areofone.
Folklori muzikor
shqiptar e bën jetën e vet në një ndarje specifike, që lidhet me format e të
shprehurit muzikor dhe me tipet kryesore të instrumenteve të përdorur. Lumi i
Shkumbinit, që përshkon mes për mes Shqipërinë, përvecse ndan dy dialektet
kryesore të vendit në Gegë në Veri të Shkumbinit dhe në Toskë në Jug të
Shkumbinit, shërben edhe si kufi natyror për klasifikimin e tipologjisë së
folklorit muzikor. Në veri të lumit Shkumbin lokalizohet zona monodike e të
shprehurit muzikor, e shoqëruar kjo me shkallët modale (diatonike apo
kromatike) sëbashku me vegla muzikore specifike për këtë zonë, si lahuta dhe
çiftelia. Ndërkohë, për trevat që shtrihen në jug të lumit Shkumbin është
karakteristik fenomeni i të shprehurit muzikor në iso-polifoni (ang. Poliphonie
with burdon) me përdorimin e shkallëve pentatonike si dhe të instrumenteve
specifik si gajde dhe bicula (fyell i dyfishtë). Krahas muzikës fshatare pa
shoqërim me vegla (a capella), duke nisur nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë,
lindi dhe u kristalizua muzika popullore qytetare, që në Jug të Shqipërisë
takohet kyesisht në qytetet Korçe, Vlorë, Sarandë, Delvinë, Përmet, Leskovik,
Pogradec, me formacionin polifonik të Sazeve (të përbërë nga instrumente të
importuar si klarineta,violina dhe fizarmonika, si dhe nga vegla popullore
karakteristike si lahuta, dajre, fyell), ndërsa në Veri në qytetet Shkodër,
Durrës, Elbasan, Kavajë, etj., shoqëruar nga ansamble popullore monodike ose
monodi me shoqërim (të përbërë nga vegla të importuara si klarineta,
fizarmonika dhe violina, por edhe nga vegla të traditës popullore, si
kemanxhia, fyelli, etj).
Nisur nga roli i dorës
së parë që ka në traditën shqiptare, folklori muzikor studjohet si lëndë e
veçantë në shkollat e mesme të përgjithëshme, në ato artistike, si edhe në
Akademinë e Arteve të Tiranës, ku formohen edhe etnomuzikologët e ardhëshëm.
Regjistrimet e
folklorit muzikor shqiptar nisin që prej viteve 1900 e këtej. Përpara viteve
1940 ato janë realizuar pranë shoqërive Odeon, Columbia, Pathé, His master’s
voice. Regjistrime më të vona takohen edhe në formën e CD-ve, si CD me muzikë
të “Familjes Lela”, prodhuar në Francë më 1992 nga Judigo; dy CD me muzikë
toske të “Laver Bariut”, prodhuar përkatësisht në Greqi dhe Angli, etj.
Aktivitetet kryesore
folklorike shqiptare janë Festivali Folklorik Kombëtar, mbajtur çdo pesë vjet,
i cili ka filluar në vitin 1952 në qytetet Lezhë dhe Tiranë, për të vijuar më
pas në dy qytetet muze me arkitekturë mesjetare, Gjirokastër dhe Berat;
Festivali Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare në Elbasan; Takimi i Rapsodëve
Lahutarë në Lezhë; Takimi i Sazeve në Korcë; Takimi i Grupeve Polifonike në
Vlorë dhe Gjirokastër; Takimi i Grupeve dhe Shoqërive Folklorike (NGO) në
Sarandë.
Organizatat folklorike
kryesore që veprojnë në Shqipëri, të krijuara kryesisht pas viteve 1990 me
qëllim mbështetjen e folklorit dhe të traditave popullore në përgjithësi, janë:
Elena Gjika – Përmet, Demir Zyko – Skrapar, Shoqëria Folklorike – Gramsh; Grupi
Bilbili – Vlorë, Gjirokastër; Shoqata Tirana – Tiranë, Kastrioti – Krujë, etj.
Institucioni i vetëm
shkencor që merret me studimin e folklorit është Instituti i Kulturës Popullore
në Tiranë, i përbërë nga departamenti i etnomuzikologjisë dhe etnokoreologjisë
dhe nga departamenti i etnografisë. IKP boton revistën periodike Kultura
popullore. Pranë tij gjendet një arkiv shumë i pasur me mbi 60000 ekzemplatë të
mbledhur në tërë Shqipërinë.
Disa nga librat më të
rëndësishme mbi Folklorin Muzikor Shqiptar janë: Gjurmime Folklorike i Ramadan
Sokolit (Tiranë, 1981); Polifonia labe i Spiro Shitunit (Tiranë, 1989);
Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë së Jugut i Beniamin Krutës (Tiranë, 1989);
Folklori muzikor shqiptar i Sokol Shupos (Tiranë, 1997); Muzika me saze + CD i
Vasil. S. Toles (Tiranë, 1997).
Muzika profesioniste
Paraqitet si një ndër
traditat më të reja artistike shqiptare . Fillimet e saj i përkasin viteve
1920-1930 të shekullit XX, ndërsa zhvillimet më të rëndësishme periudhës së
mbas Luftës II Botërore e këtej. Sidoqoftë, nga të dhënat e deritashme,
studjuesi i njohur i traditave muzikore shqiptare, Prof. Ramadan Sokoli, në
librin e tij 16 shekuj (Tiranë; Eurorilindja, 1995) argumenton së paku
kontributet e dy figurave të shquara shqiptare në artit kishtar mesjetar.
I pari prej tyre është
Niketë Dardani, i njohur ndryshe si Niketa i Ramesianës, lindur rreth vitit 340
në Ramesianë të Dardanisë. Personalitet poliedrik, teolog, vjershëtor,
muzikant, mik i afërt i Aurel Ambrason, N. Dardani emërohet në moshën 26
vjecare Ipeshkëv i Ramesianës. Vepra e tij më e njohur është himni Te Deum
Laudamos, i përhapur në Europë më 525, dhe mbi të cilin kanë shkruar muzikë
kompozitorë të tillë si G.B.Lulu, G.F.Haendel, J.S.Bach, W.A.Mozart,
F.Schubert, G.Verdi, G.Mahler, etj. Muzikanti tjetër, Jan Kukuzeli, i lindur në
qytetin bregdetar të Durrësit rreth viteve 1078-1088, njihet si një ndër
figurat më të mëdha të kishës bizantine Arsimohet dhe afirmohet në
Kostandinopojë, për t’u vendosur më pas në kishën Laura e madhe në malin Athos,
ku harton edhe veprën madhore të jetës së tij, shkrimin neo-biznatin. Disa nga
krijimet e tij kryesore janë Himnet Aniksandri, Kënga e Kerubinëve, Psalmi 107,
Polilei 117, të pasqyruara pothuajse në të gjitha antologjitë e muzikës
bizantine.
Në periudhën e
Rilindjes Kombëtare jeta muzikore shqiptare pasurohet me forma të reja, të
cilat i drejtohen mjediseve të gjëra qytetare. Qendra të rëndësishme kulturore
e muzikore të kohës janë qyteti i Shkodrës në Veri dhe ai i Korçes në Jug të
vendit, ku krijohen formaconet e para orkestrale dhe korale laike. Sidoqoftë,
përpjekjet më serioze për krijimin e një arti muzikor profesionist i gjejmë së
pari tek kompozitori franceskan Pader Martin Gjoka (1890-1940), i cili punoi
përgjithësisht pranë kishës franceskane të qytetit të Shkodrës, ku përvec
muzikës fetare, kompozoi disa vepra vokale dhe instrumentale, midis të cilave
një sinfoni, pjesë korale, pjesë për instrumente të ndryshëm, etj. Ndërkohë,
Gjoka shquhet edhe si veprimtar i muzikës, duke formuar e drejtuar formacione
të ndryshme instrumentale e vokale.
Brezi i parë i
kompozitorëve shqiptarë të pas-Luftës II Botërore përbëhet nga një grup
muzikantësh, pjesa dërrmuese e të cilëve u formuan në Konservatorin Cajkovski
(ang. Tchaîkovski) të Moskës, ndërsa të të tjerët pranë shkollave perëndimore.
Dy veprat kryesore me të cilat themelohet tradita muzikore profesioniste
shqiptare janë Sinfonia (1956) e Çeks Zadesë (1927-1997) dhe opera Mrika (1958)
e Prenga Jakovës (1917-1969), që të dy kompozitorë me origjinë nga Shkodra, dhe
i pari i cilësuar shpesh herë si babai i muzikës profesioniste shqiptare.
Gjatë viteve 1950-1990
tradita e re muzikore shqiptare bëri hapa të rëndësishëm përpara, duke ezauruar
në një mënyrë apo një tjetër vonesën e gjatë në kohë. Repertori muzikor
shqiptar plotësohet me të gjitha format e gjinitë tradicionale, që nga ato të
muzikës së dhomës e deri tek ato skenike. Një rol përcaktues për këtë luajti
ngritja për të parën herë në Shqipëri e institucioneve të tilla të rëndësishme
muzikore, si Filarmonia e Shtetit, Teatri i Operas dhe Baletit, disa orkestra
sinfonike dhe ansamble korale në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, si
Shkodër, Korçe, Vlorë, Elbasan, Durrës, si dhe krijimi i sistemit të plotë të
edukimit muzikor.
Zhvillimet muzikore
shqiptare të kohës pësuan një rritje të ndjeshme që prej gjysmës së dytë të
viteve 1960 me Koncertet e Majit të Tiranës, të cilat u mbajtën në mënyrë
periodike nga viti 1967 deri më 1990 duke aktivizuar muzikantë e trupa
profesioniste dhe amatore. Përgjithësisht muzika e kësaj periudhe ka një
orientim tradicional klasiko-romantik dhe një mbështetje të fortë në folklorin
muzikor shqiptar. Përvec Zadesë dhe Jakovës, disa nga figurat kryesore të
muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX janë Tish Daija (1926),
Nikolla Zoraqi (1929-1991), Tonin Harapi (1928-1991), Feim Ibrahimi
(1935-1997), Shpëtim Kushta (1946), Thoma Gaqi (1948), etj. Në kushtet e
izolimit të vendit, muzika shqiptare e kësaj periudhe, ashtu si të gjitha artet
në përgjithësi, me përjashtim të përpjekjeve të rastit, e pati të pamundur
avancimin drejt zhvillimeve bashkëkohore perëndimore.
Mbas viteve 1990
situata muzikore në Shqipëri njohu zhvillime krejtësisht të reja, të cilat
synuan integrimin e shpejtë në strukturat artistike europiane. Një rol të
rëndësishëm për këtë luajti formimi i shoqatave muzikore, si Shoqata e Muzikës
së re Shqiptare (NAM, anëtare e Konferencës Europiane të Muzikës së Re) dhe
Shoqata Mbarëshqiptare e Profesionistëve të Muzikës (seksioni shqiptar i ISCM),
pranë të cilave është grumbulluar pjesa dërrmuese e kompozitorëve dhe
interpretesve të vendit, dhe që aktualisht shërbejnë si tribuna kryesore të
krijimtarisë së re muzikore të kompozitorëve shqiptarë.
Institucionet muzikore
më të rëndësishme në Shqipëri janë Teatri i Operas dhe i Baletit, Anasambli i
Këngëve dhe Valleve Popullore (që të dyja në Tiranë), ku janë përqëndruar
muzikantët e kërcimtarët më të mirë të vendit. TOB, me seli në sheshin
Skënderbej, ka një aktivitet permanent sezonal, ku vendin më të rëdësishëm e
zenë shfaqjet e repertorit klasik e romantik; ndërsa AKVP, i përbërë nga grupi
i valleve, i korit, orkestrës dhe solistëve, përfaqëson një institucion muzikor
profesionist fare specifik, repertori i të cilit mbështetet kryesisht në
përpunimin artistik të traditës muzikore e koreografike popullore.
Formacionet orkestrale
më të rëndësishme të vendit janë Orkestra Sinfonike e Teatrit të Operas dhe
Baletit, Orkestra Sinfonike e RTV, Orkestra Sinfonike e Akademisë së Arteve dhe
Orkestra e Dhomës e drejtuar nga muzikanti Zhani Ciko - kjo e fundit, me një
veprimtari të dendur disavjeçare brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe shpesh herë
laureate në aktivitete europiane. Ndër dirigjentët kryesorë janë Ermir Krantja,
Rifat Teqja, Ferdinand Deda, Bujar Llapi. Repertori koncertal i këtyre formacioneve
përfshin muzikë që nga periudha barok e deri në shekullin XX, por në
përgjithësi ai anon për nga tradita klasiko-romantike dhe krijimtaria e
autorëve shqiptarë.
Sistemi i edukimit
muzikor në Shqipëri u themelua me hapjen për të parën herë në vitin 1947 të
Shkollës së Mesme Artistike “Jordan Misja”, që me kalimin e kohës u shoqërua me
disa shkolla të tjera të llojit në qytetet kryesore të vendit, si Durrës,
Shkodër, Elbasan, Korçe, Vlorë, Fier, Gjirokastër, etj. Më 1962 hapet
Koservatori Shtetëror i Tiranës, tashmë i përfshirë si një Fakultet më vete në
Akademisë e Arteve të Tiranës, ku bëjnë pjesë gjithashtu dhe Fakulteti Dramatik
dhe ai i Arteve Figurative. Pranë shkollave të muzikës dhe Akademisë së Arteve
ushtrojnë aktivitetin e tyre mësimor dhe koncertal orkestra sinfonike dhe
formacione të tjera të muzikës së dhomës sëbashku me koret. Midis këtyre të
fundit, një aktivitet intensiv, shpesh herë të vlerësuar me çmime
ndërkombëtare, ka Kori i Vajzave të Akademisë së Arteve, me dirigjent Milto Vakon.
Po në Tiranë, gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, nën drejtimin e
mjeshtres së korit Suzana Turku, është krijuar edhe kori tjetër i njohur i
vendit, Pax Dei.
Aktivitetet kryesore të
jetës së sotme muzikore shqiptare mbahen kryesisht në Tiranë dhe pjesa
dërrmuese e tyre realizohen nëpërmjet veprimtarisë së shoqatave muzikore,
përmes të cilave janë afirmuar emra të rinj kompozitorësh, si Aleksandër Peçi,
Sokol Shupo, Vasil. S. Tole, Endri Sina, etj., dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre
koncertal ansamblet e specilizuara për interpretimin e muzikës së re, SPECTRUM
dhe ASMUS. Në vitin 1992 kompozitori Feim Ibrahimi (i cili ishte dhe Presidenti
i parë i Këshillit Kombëtar të Muzikës Shqiptare - anëtar i Këshillit
Ndërkombëtar të Muzikës pranë UNESCO-s që në 1991), ideoi dhe krijoi festivalin
Ditët e Muzikës së Re Shqiptare. Pas vdekjes së kompozitorit NAM është ai që
vazhdoi traditën e këtij festivali i cili organizohet në të muajin maj të çdo
viti dhe prej vitit 1994 organizon edhe Festivalin e Interpretimit të Muzikës
Bashkëkohore “Nikolla Zoraqi”. Me inisiativën e Seksionit shqiptar të ISCM
qyteti i Tiranës pret në çdo sezon vjeshte muzikantë dhe artistë të huaj,
pjesëmarrës në veprimtarinë komplekse Vjeshta e Tiranës, inaguruar në tetor
1994. Veprimtari të tjera permanente të fushes së interpretimit dhe
krijimtarisë muzikore janë Festivali i Romancës Shqiptare (organizuar që nga
viti 1994 nga Shoqata muzikore “Tonin Harapi”), Konkurset e pianistëve të rinj
(organizuar që nga viti 1993 nga Shoqata EPTA), etj.
Qendrat muzikore
koncertale janë të shtrira në disa prej qyteteve kryesore të vendit; në Tiranë
ndodhen midis të tjerash Salla e Koncerteve e Akademisë së Arteve, ajo e
Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Teatri Rubairat, etj; në Shkodër salla e Teatrit
Migjeni, në Korçë Salla e Koncerteve e Shtëpisë së Kulturë; në Elbasan salla e
Teatrit Skampa; në Durrës, Salla e Koncerteve e Pallatit të Kulturës; etj.
Muzika e lehtë
shqiptare
Bën pjesë edhe ajo në
traditën e re artistike të formuar mbas Luftës II Botërore, pavarësisht disa
përpjekjeve të pjesëshme që zënë fill gjatë viteve 1920-1930. Këngëtarët dhe
instrumentistët e muzikës së lehtë e zhvillojnë veprimtarinë e tyre kryesisht
pranë trupave të Teatrove të Varieteve, pothuajse aktive në të gjitha qytetet
kryesore të Shqipërisë. Sidoqoftë, Tirana, si qendër kryesore kulturore e
vendit, është njëherësh edhe qyteti më i pasur i veprimtarive të muzikës së
lehtë. Këtu zhvillohen në mënyrë të rregullt dy aktivitetet kryesore të vitit,
Festivali Kombëtar i Këngës në Radio-Televizion (themeluar në vitin 1962) dhe
Festivali i Pranverës - ky i fundit destinuar kryesisht për muzikantët e rinj,
ndërsa të dy sëbashku, të njohur si aktivitete ekskluzive të Radio-Televizionit
Shqiptar.
Mbas viteve 1990 kënga
e lehtë shqiptare pësoi zhvillime të rëndësishme si rrjedhojë e hapjes së
përgjithëshme kulturore të vendit ndaj shoqërisë perëndimore. Me formimin e
traditës bazë të llojit, të kryesuar nga emra shumë popullorë për publikun
shqiptar, si ai i këngëtares së shquar Vaçe Zela, i kompozitorit Agim Prodani,
i fizarmonicistit, kompozitorit dhe aranzhatorit Agim Krajka, në Shqipërinë e
fund-shekullit të njëzetë, muzika e lehtë mund të cilësohet si një ndër fushat
e artit, që njohu ridimensionime ndër më të të ndjeshmet, duke adaptuar format
dhe drejtimet kryesore të njohura perëndimore. Aktualisht ajo njeh të gjitha
zhvillimet e mundëshme, që nga muzika rok, xhaz, rap, tekno, etj, duke synuar
njëherësh edhe pasurimin me elemente ritmike dhe timbrikë të folklorit muzikor vendas.
Shqipëria ka sot një
numër të madh interpretësh, kompozitorësh, kantautorësh, aranxhuesish të
muzikës së lehtë, ndër më të njohurit e të cilëve janë Ardit Gjebrea, Elton
Deda, Elsa Lila (këngëtarë), Shpëtim Saraçi (kompozitor-aranzhator), etj, si
dhe një sërë kompleksesh të muzikës alternative.