Romani i Petro Markos me titull "Një emër në katër
rrugë" në faqen e fundit mban datën e vitit 1972. Ai mbeti dorëshkrim, nuk
u lejua botimi i tij edhe pse duket të jetë më pretenduesi në veprën letrare të
shkrimtarit. Ky roman u botua vetëm pas 29 vjetësh, më 2001. Pas leximit të
romanit sikur bëhet më i qartë fati i tij. Në të autori rrëfen botën shqiptare
të viteve '30 dhe pjesën e parë të '40-ve përmes katër perspektivave të
mundshme, katër realiteteve dhe alternativave që barten përmes katër Gjikëve.
Që të katërt kanë lindur në Dhrimadh, buzë detit jon, prej nga marrin udhët e
botës dhe si jehonë jetësore kthehen rishtas te kjo vatër e gjallë. Katër
Gjikët mëtojnë ta përthithin tërë realitetin shqiptar të kohës si dhe të
nesërmen shqiptare.
Nëpërmjet tyre fokusohen katër mundësi fati dhe të fatalizmit shqiptar në prag
të luftës çlirimtare, pra në prag të kthesës së madhe shqiptare.
Për të qenë i hapur deri në fund dhe për t'u dhënë shanse të barabarta katër
perspektivave shqiptare, ndjehet hapur abstenimi i autorit. Në këtë roman ka
një galeri të tërë personazhesh të vërteta, me identitet historik, dhe të
sajuar, duke filluar që nga mbreti Zog, kryeministra dhe ministra, parlamentarë
dhe intelektualë të shquar të kohës, përfaqësues turmash, revolucionarë
komunistë etj.
Ja si duket shkurtimisht profilizimi i katër personazheve të realitetit
shqiptar. Njëri Gjikë, Gjikë Nina nuk lëviz nga vendlindja që simbolikisht
është në funksion të mburojës etnike të truallit, të Dhrimadhit. Gjikë Mërtiri,
i dyti, student në Francë dhe gjykatës në Shqipëri, shfaqet si intelektual
liberal i tipit evropian. I treti, Gjikë Argjiri del sinonim i së keqes dhe i
shëmtimit, ndërsa i katërti, Gjikë Bua, që në këtë roman voluminoz, përveç
personazh i zgjedhur i autorit është njëkohësisht dhe narratori formohet dhe
kultivohet brenda botës dhe atmosferës së grupeve komuniste shqiptare të kohës.
Si i tillë ai do të bëhet dhe një nga krerët e luftës antifashiste.
Gjikë Mërtiri gjykatës është figura artistikisht më e realizuar e romanit; i
veçantë dhe karakteristik është dhe qëndrimi i narratorit (autorit) ndaj tij.
Ai kthehet në Shqipëri me bindjen dhe shpresën se do të mund ta ushtrojë
detyrën e atij që ndan drejtësi, pa u lakuar dhe pa u thyer nga presionet dhe
pesha e padrejtësisë. Ka iluzionin se para drejtësisë mund të nxirret cilido
shkelës, qoftë ai dhe ministër. Kur do të bindet përfundimisht për pamundësinë
e vet, kur do të bindet se nga salla e gjyqit del i pafajshëm ai që jep më
shumë para dhe që ka mbështetjen e pushtetit, do të zhgënjehet rëndë. Pikërisht
me këtë përcaktim të autorit ndaj këtij personazhi, lind një problem që nuk
është i panjohur në praktikën narrative përgjithësisht.
Që Gjikë Mërtiri del më i artikuluar dhe më i fuqishëm, më
mbresëlënës, edhe pa dashjen e autorit, nuk është rastësi. Nuk është vështirë
të kapet simpatia e pashprehur, por e pranishme e autorit për të edhe pse
deklarativisht autori ndjen nevojë të jashtme, ekstrakrijuese, që të
distancohet nga pikëpamjet e këtij intelektuali liberal-perëndimor. Prandaj
shtrohet pyetja: mos vallë shkrimtari ndjehej më pranë kësaj rruge dhe kësaj
alternative shqiptare gjatë viteve '30?
Prandaj simpatia për Gjikë Mërtirin, qoftë dhe si realizim artistik e vë atë në
pozita superiore përballë të tjerëve. Pikërisht për këto tipare dhe
individualitet të formuar dhe të fuqishëm, fundi i tij, zgjedhja e rrugës për
vetëvrasje vjen si një imponim i jashtëm dhe jo i natyrshëm.
Gjikë Argjiri është personazhi më i realizuar negativ i
romanit. Është shprehje e koncentrimit të faqes më të shëmtuar të realitetit
shqiptar të kohës. Me veti të kameleonit Gjikë Argjiri do t'i përshtatet çdo
pushteti. Ai i nënshtrohet çdo eprori nga i cili varet, i gatshëm për çdo rast
korrupsioni dhe, mizor deri në absurd ndaj të nënshtruarve. Është i të gjithëve
dhe i çdo kohe. Petro Markoja me intuitën e intelektualit, e pati ndjerë se nga
ky soj i qenies sonë nuk do ta marrë veten kollaj bota shqiptare.
Gjikë Bua që rrëfen dhe për rrugën e tij jetësore dhe për atë të të tjerëve,
mëton të jetë zëri i autorit. Ai do të jetë bartës i ideve revolucionare,
komuniste, në roman dhe rruga e tij mes katër të mundshmeve do të jetë zgjedhje
e autorit dhe më e vërteta sipas kësaj perspektive. Gjikë Bua nuk vendoset në
situata të mprehta, të paktën jo në atë shkallë siç ndodh me Gjikë Mërtirin, ku
autori ka derdhur pjesën e vet më autentike apo atë më të ëndërruarën.
Karakteristikë e narracionit në këtë rrëfim romanor, është mbështetja në faktografinë,
identitetin historik, të hapësirës dhe të njerëzve, është prirja për një rrëfim
të dokumentuar.
Por ajo çka duket më e rëndësishme në lidhje me natyrën, me misionin dhe
perspektivën e narratorit, është se Petro Markoja në këtë roman heq dorë nga
narratori i gjithëdijshëm, karakteristikë për tërë epokën e romanit realist të
shekullit XIX, me jehonë dhe gjatë shekullit që lamë pas. Narratori kësaj here
është njëri nga personazhet dhe ai do të rrëfejë nga perspektiva e atij që mund
të dijë aq sa mund të dijë çdo njeri dëshmitar i drejtpërdrejtë apo i
tërthortë. Megjithatë, autori, përmes zërit të vet, nuk mund të përmbahet
plotësisht pa përzgjedhur apo pa gërshetuar mes personazhit dhe narratorit
zërin e vet autorial.
Por nëse çdo personazh është personalitet i veçantë, kryepersonazhi është i
pajisur dhe me boshtin plus. Duke qëndruar dhe vrojtuar nga një perspektivë
superiore ai i sheh më qartë lëvizjet e njerëzve dhe të dukurive në hapësirën e
fokusuar. Zakonisht ai qëndron më pranë filozofisë jetësore të vetë autorit.
Në fillim përmendëm shkurtimisht katër rrugët e Gjikëve:
misionin e të parit nuk do ta marrë Gjikë Nina, simbol i rrënjës së lashtë dhe
i mburojës jetike të truallit, as Gjikë Mërtiri që sjell diplomën e juristit
dhe frymën e qytetërimit evropian të kohës, por Gjlkë Bua, shkollar i Vlorës
dhe pjesëmarrës aktiv në grupet komuniste tiranase. Pikërisht ky, me dashjen e
autorit, do të jetë më pranë zërit të tij. Romani kështu del me tezën se ideja
revolucionare komuniste e mbjellë në fillim të shekullit në Evropë dhe që gjen
truall dhe në tokën shqiptare, do të bartet përmes personazhit të Gjikë Buas.
Dhe pikërisht me këtë përcaktim zë fill dhe ndodh mosmarrëveshja ose
vetëmashtrimi mes Petro Markos shkrimtar dhe Petro Markos njeri. Ndërsa
kryepersonazh i konvencioneve të kohës, pra i diktimeve nga jashtë do të bëhet
Gjikë Bua, me Gjikë Mërtirin, shkrimtari Petro Marko do të shprehë vizionin e
vet jetësor e filozofik si dhe pjesën më substanciale të shpirtit të vet.
Pavarësisht nga ky "disekuilibër" në sipërfaqe, narratori arrin të zhytet dhe të depërtojë në skutat më të errëta të personazheve dhe të ngjarjeve të kohës. Këto vlera, qoftë në shkallë të ideve apo të realizimeve artistike, bëjnë që romani "Një emër në katër rrugë" të jetë ndër më të realizuarit e veprës romanore të Petro Markos.
Pavarësisht nga ky "disekuilibër" në sipërfaqe, narratori arrin të zhytet dhe të depërtojë në skutat më të errëta të personazheve dhe të ngjarjeve të kohës. Këto vlera, qoftë në shkallë të ideve apo të realizimeve artistike, bëjnë që romani "Një emër në katër rrugë" të jetë ndër më të realizuarit e veprës romanore të Petro Markos.