Kalaja
e Bashtovës ngrihet pranë fshatit të Bashtovës në një distancë prej 3-4
km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Kështjella është ndërtuar
në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve. Zona e Bashtovës është përmendur
si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave.
Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60 x 90 mertra. Pjesa perëndimore e
saj është rindërtuar në
shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9
metrash. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që ju do ta
gjeni vetëm disa km jashtë Kavajës dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe
civilizimit. Rrethinat e saj kanë mbetur të plota dhe sot ruhen si një momument
kulture nga shteti shqiptar.
Rreth
e përqark kalasë lulëzon një pyll dafinash, që përveçse është i shpallur
monument natyre, krijon edhe një mjedis shumë tërheqës për piknikë në natyrë.
Nga muret e kalasë mund të vëzhgoni bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga
Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta. Për të vizituar kalanë duhet të
shkoni në fshatin Vilë Bashtovë, në jug të qytetit.