Kalaja e Badhrës ndodhet në Jug-Perëndim të
fshatit Borsh dhe shtate kilometra nga Fterra
Kalaja ka formën e një elipsi të çrregullt. Kalaja e
Badhrës si nga teknika e ndërtimit të mureve, 2 m lartësi (me gurë të papunuar)
me përmasa mesatare e të vogla dhe pa lidhje llaçi, ashtu edhe nga materiali
arkeologjik, paraqet një nga fazat më të hershme të ngritjes së vendbanimeve të
fortifikuara të epokës së bronzit të vonë, 1500-1200 vjet para Krishtit. Linja
e murit është gjarpëruese, e parregullt, e pasigurt, duke iu përshtatur
terrenit, mbrohet nga ana jugore nga rrëzime shkëmbore, si një ndërtim i bërë
pjesë-pjesë. Sipërfaqja brenda mureve është pjesërisht shkëmbore dhe nuk ka
gjurmë banimi. Fortifikimi nuk është llogaritur për një kohë të gjatë, por
vetëm për qëndresa kundër grabitësve. Këto të dhëna na japin fizionominë e një
vendbanimi fisnor, ku bashkësia patriarkale është vendosur në një territor të
përshtatshëm për blegtorinë. Jashtë mureve të kalasë (në anën Veriore e
Perëndimore) ruhen rrënojat e 15 banesave, të cilat kanë rëndësi sepse janë
banesat e para të epokës së bronzit në Shqipëri. Ato hedhin dritë mbi
organizimin fisnor patriarkal të shoqërisë ilire të asaj kohe. Kalaja e Badhrës
është e një periudhe me kalatë e tjera ilire të zbuluara ne bregdetin e Jonit,
si: në Koros, Qeparo, Kalivo. Me Badhrën kemi modelin më të hershëm të lindjes
së fortifikimit. Ajo përfaqëson etapa të ndryshme në realizimin e lidhjes midis
hapësirës së fortifikuar dhe asaj të banuar. Kalaja e Badhrës është dominuese e
të gjithë bregdetit Lukovë, Borsh, Piqeras. Brenda fortifikimit janë zbuluar
banesa në formën rrethore. Venbanimi datohet në bronzin e mesëm e të vonë.